INTERVISTA- “Do rrëzojmë Ramën edhe përmes Reformës Territoriale”/ Nënkryetari i PD-së: S’kemi marrëveshje me PS. Ja porositë që u janë dhënë strukturave në rrethe





MARIGLEN KUME/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se synimi i kësaj force politike është që përmes Reformës së re Territoriale, të zbresë pushtetin dhe qeverisjen sa më pranë qytetarëve dhe të rrëzojë qeverinë “Rama”. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Alibeaj u shpreh se në këto kohë PD u ka dhënë porosi të gjitha strukturave të brendshme në rrethe që të analizojnë të gjitha defektet dhe mosfunksionimin e Reformës.

alibeaj

Prej muajsh keni vendosur në prioritetet tuaja Reformën Territoriale. Pse është e rëndësishme për ju kjo reformë? Po paguani ju pasojat e bojkotit të reformës disa vite më parë?

Ndoshta mund ta thoni edhe këtë. Megjithëse në fakt nuk është në vijën e parë të diskutimit tonë momentet e fundit. Qëndrimi ynë për Reformën Territoriale ka qenë i pastër që në 2014-ën, pavarësisht faktit se nuk morëm pjesë. Siç duket, koha na dha të drejtë. Sot pas 5 vitesh të implementimit të Reformës Territoriale, për çdokënd është e qartë që reforma nuk ishte lokale, nuk ishte e pushtetit vendor. Por ishte elektorale. Kjo është bërë e qartë për këdo.

Shikoni rezultatet e 2015-ës. Ndërkohë, sot për këdo është e qartë. U premtua se reforma do sillte reduktimin e kostove. Sot me një numër bashkish më pak po rezulton se kostot e pushtetit lokal janë shtuar me 60 milionë euro, përkundër realitetit me 375 komuna e bashki. Kjo të bën të mendosh se ka një dështim të fortë në aspektin financiar. Së dyti, ajo që është bërë konkrete edhe në aspektin elektoral: bashkitë sot janë shndërruar në depozita punësimesh të militantëve. Qëllimi është për t’u përdorur si reparte elektorale në proceset zgjedhore.

Kjo është edhe një arsye më e fortë për ta rishikuar të gjithë atë mekanizëm që u prezantua si reformë në 2014-ën. Dhe e fundit, por më e rëndësishme, kudo të pyesësh në territor, në zonat periferike, jashtë qendrave të qytetit, kuptohet fare thjesht dhe për ne që kaluam reformën ka qenë një refren i përditshëm mosmarrja e asnjë lloj shërbimi nga pushteti vendor. Pushteti vendor është shndërruar në mekanizëm tenderësh luksozë vetëm për qendrat e qyteteve.

Njerëzit nuk marrin as shërbimet më elementare. Kjo është arsyeja më e madhe se përse do duhet të rishikohet kjo reformë. Për të pasur një reformë të qëndrueshme në kohë dhe autonome, duhet parë nga kjo sy. E fundit që mund të them është arsye e fortë; më tepër sesa thjesht dhe vetëm ribërja ose rishikimi në aspektin pozitiv të Reformës Territoriale, është procesi se si. Për këtë arsye, në këtë seli, në këto kohë u janë dhënë porosi të gjithë strukturave të brendshme në mënyrë të freskët, të gjithë defektet disfunksionet territoriale të Reformës. Pasi të merret një panoramë, të konsultojmë edhe me sytë e tjerë jopolitikë, profesionistë, shoqëri civile, partnerë. Në mënyrë që ajo që do jetë ofertë për të rishikuar reformën, të jetë e qëndrueshme, funksionale dhe të garantojë zbritjen e qeverisjes pranë individit.

Çfarë do të kërkoni ju? Sa bashki do të kërkoni në mënyrë që pushteti të shkojë sa më afër qytetarëve?

Është një pyetje që s’të jap dot në këtë moment përgjigjen sepse do të bëjmë një proces. Pushteti dhe qeverisja duhet të jetë sa më afër qytetarëve. Në 2014-ën ka pasur edhe disa studime. Disa të financuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë që parashikonin një numër më të madh bashkish sesa janë. Pushteti lokal ka një synim: qeverisja të vijë sa më afër njerëzve. Pra, duhet të realizohet decentralizim i pushtetit. Nga qendra në bazë. Kjo do të jetë edhe një nga risitë që duhet të vijë nga kjo reformë. Duhet t’i japim pushtet dhe përgjegjësi.

Reforma Territoriale ka edhe efekt elektoral dhe ju ndër vite e keni akuzuar Ramën që e ka strukturuar në mënyrë të tillë që dëmton PD-në. A doni ju të ndryshojë edhe ky detaj?

Ka qenë opinioni ynë i tillë që në atë kohë dhe tani e kanë treguar rezultatet elektorale, qoftë ato vendore, qoftë ato politike, që ajo reformë u dizenjua thjesht dhe vetëm nga ky interes. Besoj që një nga defektet kryesore që duhet eliminuar është asgjësimi i të gjitha këtyre meandreve elektorale politike me të cilat u vizatua harta elektorale. Do duhet që partitë politike të kenë forcën politike që të mos bien në interesin e ngushtë, që të mos e shndërrojnë Reformën Territoriale në bazë të interesit të ngushtë. Kjo është një nga simptomat që ka reforma e fundit që duhet eliminuar dhe duhet të çlirojmë mendimin politik nga kjo simptomë.

PD ka nevojë për votat e PS për të realizuar këtë reformë. Ka një marrëveshje?

Nuk ka një marrëveshje. Ajo që duhet të themi ne është se të gjitha aksionet tona politike synojnë rrëzimin e regjimit që është instaluar në Shqipëri. Me të gjitha mjetet, brenda dhe jashtë Parlamentit. Brenda Parlamentit jo vetëm me retorikë, por me të gjitha ofertat tona, ku një prej tyre është Reforma Territoriale. Të gjitha këto lëvizje besoj unë nuk do të kenë asnjë lloj kriticizmi pasi ne do ta shpërfaqim si një aksion politik që synon rrëzimin e regjimit dhe e dyta, shërbimi ndaj individit. Reforma Territoriale sigurisht që e dimë se janë numrat në Parlament. Ne nuk do të paraqesim një propozim e të themi se s’kemi numrat dhe kaq. Ne duam t’i shkojmë deri në fund. Moralitetin këtij propozimi ia jep propozimi se sa do të jetë ajo efektive në dobi të qytetarëve. Ne s’kemi komplekse të themi se ky është propozimi ynë dhe të votohet nga të gjitha palët.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *