Intervista epike / Ibra: Unë jam Zoti, kam vuajtur që ditën e parë të jetës kur rashë nga duart e infermieres. Mamaja e Lukakut më bëri magji









Duke filluar nga dje, është në shitje libri i Zlatan Ibrahimoviçit. Autobiografia e dytë e tij titullohet “Adrenalina” dhe lidhur më të, por edhe shumë aspekte të tjera, sulmuesi ka folur në një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera”.

ibrahimovic 2

Zlatan Ibrahimoviç, në çfarë gjuhe mendoni?
Varet, por në fushë kurrë suedisht. Është shumë e sjellshme si gjuhë e në një ndeshje nevojitet egërsi. Më mirë mendoj në gjuhë sllave. Ndonjëherë anglisht e të tjera italisht, por në shtëpi bëjmë gjëra suedezësh.

Çfarë qenkan këto?
Heqim këpucët përpara se të futemi në shtëpi ku qëndrojmë me çorape. Kemi vetëm një sanitare në shtëpi, ndërsa gjërat e tjera i bëjmë vetë.

A besoni në Zot?
Jo. Vetëm te vetja ime. Jeta është kjo dhe kur vdes, mbaron gjithçka. Nuk e di nëse dua një varrim apo një varr sepse më duket si vend ku do të vuajnë ata që më donin kur isha gjallë. Nuk besoj as në fat e nuk më pëlqen kur më bëjnë urime fatsjellëse. Nuk më duhen sepse ecurinë e çdo gjëje e vendos unë.

Cili është kujtimi i parë nga fëmijëria?
Jugosllavia. Shkonim me tren, me makinë dhe asokohe kishte ende komunizëm. Ishte një botë tjetër e unë një fëmijë që vuante. Kam vuajtur që në ditën e parë të jetës kur rashë nga duart e infermieres. Gjithmonë kam vuajtur. Edhe në shkollë kur isha i vetmi brun, ndërkohë të tjerët ishin biondë e me sy blu. Edhe të folurën e kisha ndryshe, siç kisha edhe lëvizjet. Njëherë, prindërit e shokëve të ekipit bënë peticion që të largohesha. Më kanë urryer ngado dhe në fillim reagoja keq.

Duke i rënë me kokë ndonjë shoku?
Jo, duke u izoluar. Me kalimin e kohës mësova ta ktheja vuajtjen dhe urrejtjen në forcë, benzinë, më kupton? Luaj mirë kur jam i lumtur, por jam më i fortë kur jam me nerva ose kur kam përballë dikë që më urren. Praktikisht si herën e fundit ndaj Romës. Tifozët më quanin “cigan m…”, ndërsa arbitri ma dha mua kartonin e verdhë.

Po me vajzat si ka qenë qasja juaj?
Shumë i ndrojtur. Në takimin e parë i kisha shkruar pyetjet që do bëja në një copë letër. Vajza në fjalë fliste për diçka tjetër, ndërsa unë vazhdoja me pyetjet që kisha në shënime. Isha për të ardhur keq dhe çdo gjë e kam bërë shumë më vonë sesa bashkëmoshatarët e mi.

Kur keni bërë dashuri për herë të parë?
17 vjeç sepse në atë moshë nisa të dilja nga getoja ku banoja. Fillova të dilja në qendër të Malmoes dhe aty zbulova vajzat suedeze: të bukura, të gjata, bionde dhe të lira. Në lagjen time vajzat i kishin flokët të shkurta dhe mbanin perçe.

asdasdasdasda

Keni 20 vjet më të njëjtën bashkëshorte. Cili është sekreti?
Durimi dhe ekuilibri që më dhuron. Helena është dhjetë vjet më e madhe se unë dhe më ka dhuruar dy djem, Maksimiliani dhe Vinsenti.

Goli që ju ka lumturuar më tepër?
Ai në roveshatë ndaj Anglisë. Tifozët anglezë më kanë përçmuar gjithmonë duke thënë se nuk u shënoja kurrë…

Nuk ju kanë fort qejf as në Francë, që e cilësuat si një vend m…
Europarlamentarja Marin lë Pen kërkoi përjashtimin tim nga Franca. M’u duk sikur e kisha tepruar për një moment, por ditën tjetër takova shumë francezë që ishin dakord me mua.

Është e vërtetë që e këshilluat Mbapenë të largohej nga Parisi?
Shumë e vërtetë. Mbape ka nevojë për një mjedis më të strukturuar, si ai i Real Madridit, por më pas i thashë presidentit të PSG-së të mos e shesë.

A është e drejtë të vërshëllehet dikush si Donaruma?
Xhixho është një portier i madh. Nëse do t’i kishin dhënë atë që kërkoi, ai do të kishte qëndruar te Milani. Tani ai duhet të bëjë rrëmujë për të qenë titullar i PSG-së. Nuk ka pse amerikanojugorët të kërkojnë që të luajë Navasi. Xhixho është më i fortë.

Më bukur t’u shënonit anglezëve apo lindja e fëmijëve?
As që krahasohen sepse ardhja në jetë e një fëmije është gjëja më e bukur që mund të ndodhë. Maksimilianin e vendosa në gjoks sapo lindi, ndërsa Vinsenti një herë më pati thënë se e kishte marrë malli. M’u ça zemra. Doja të lija gjithçka, madje edhe Milanin, vetëm për të shkuar tek ai.

Është e vërtetë që djemtë tuaj e urrejnë futbollin?
Kur i merrja për të luajtur së bashku, njëri qante ndërsa tjetri shihte zogjtë. Tashmë luajnë të dy dhe nëpër prova paraqiten me mbiemrin e së ëmës. Maksimiliani ka vendosur të mbajë mbiemrin tim, ndërsa djali tjetër nuk ka vendosur ende.

Si e kujtoni luftën në Jugosllavi? Im atë vuante shumë sepse çdo ditë njoftohej për vdekjen e dikujt që njihte. Ai i ndihmonte refugjatët, por nuk donte që unë të përzihesha. Kur më vdiq halla, nuk shkova dot as në varrim sepse babai nuk donte. Nuk mundi të më ndalonte kur vëllai im u nda nga jeta për shkak të leucemisë. Ai më priti derisa shkova ta shihja dhe frymën e fundit e dha me mua pranë. E varrosëm sipas ritit mysliman dhe babain nuk e pashë t’i shpëtonte asnjë pikë lot. Një ditë më pas shkoi vetëm në varreza dhe e qau tërë ditën. Krejt i vetëm.

Në librin tuaj “Adrenalina”, keni treguar për një rast kur ju kapën duke vjedhur një biçikletë në një qendër tregtare…
Shokët e mi kishin rroba të shtrenjta, ndërsa unë lëvizja me uniformën e ekipit. Nuk kisha çorape dhe përdorja getat e ndeshjeve. Për këtë më tallnin shumë, ndaj u desh të gjeja një zgjidhje. Isha me një shok me ngjyrë dhe na kapën. Morën babain në telefon, por për fat ai nuk u përgjigj. I shkruan një letër dhe mua më lanë të lirë. Çdo ditë zgjohesha herët për të kontrolluar kutinë e postës. Për fat, e gjeta i pari sepse përndryshe nuk do të isha këtu me ju sot për të treguar atë histori. Ai është një tip që nuk toleron kur bëhet fjalë për disiplinë.

Keni ndryshuar shumë me kalimin e kohës?
Përveçse isha i ndrojtur, me vajzat nuk kisha sukses edhe pse dashuroja shumë veten. Gjatë ndeshjeve mundohesha të bëja diçka spektakolare sepse egoja ime ishte më e madhe se e gjithë Suedisë. Në Itali ndryshoi gjithçka. I kërkova gruas sime, Helenës, që të vinte me mua në Torino. Për fat, funksionoi.

Po ndryshimin në futboll kush ju detyroi ta bënit?
Fabio Kapelo. Më mësoi të mendoja për golat duke më masakruar vazhdimisht. Ishte shumë i ashpër. Pas prezantimit tim e gjeta në dhomat e zhveshjes. E përshëndeta, por nuk m’u përgjigj. Qëndroi çerek ore duke shfletuar një gazetë e më pas u largua sikur unë të mos isha aty fare.

©Moscrop-Falzone/Lapresse Juventus conferenza stampa Cannavaro e Ibrahimovic - ©Nando Vescusio / La Presse 01-09-2004 Torino Sport - Calcio Conferenza stampa Fabio Cannavaro e Zlatan Ibrahimovic Nella Foto : Roberto Bettega, Antonio Giraudo, Zlatan Ibrahimovic, Luciano Moggi, Fabio Cannavaro e Fabio Capello. - Fotografo: Lapresse

Në librin tuaj keni folur shumë mirë për Moxhin…
Me mua është treguar fantastik. Kemi fituar tituj së bashku e nuk mund të na i heqë askush sepse djersa, mundimi, vuajtjet, dëmtimet dhe golat nuk fshihen. Kur më thonë se kam fituar 11 tituj, unë reagoj duke thënë se kam fituar 13. Moxhi ndoshta ndikonte, por tek unë nuk e kishte atë efekt.

Si Berluskoni. Çfarë mendoni për të?
Shumë i këndshëm. Një të diel isha në tribunë në “San Siro” dhe ai më bën të ulem pranë tij. Pastaj më thotë “Ibra a ka problem të shtyhet me një vend? Një person shumë i rëndësishëm po vjen”. Unë shtyhem, e po ashtu edhe Galiani. Mendoj se po vjen një politikan. Në vend të kësaj, vjen një grua e bukur, me taka mbresëlënëse. Berluskoni më shkel syrin: Njeri shumë i rëndësishëm… Dhe ndoshta për të ai ishte vërtet.

asdasd

Përveç fushës triumfuat edhe në Sanremo.
Kam qenë shumë nervoz ato ditë. Amadeus më dha liri të plotë, ndërsa me Fiorelon nuk pata kimi. Ai ishte i pari, i dyti, i treti e pastaj vinin të tjerët. Është i zoti, por fliste aq shpejt saqë mezi e kuptoja.

Në Sanremo kënduat me Mihajloviçin. Sot e keni mik, por dikur e goditët me kokë…
Në atë ndeshje më provokonte gjatë gjithë kohës duke më ofenduar në serbokroatisht dhe unë s’e mbajta dot veten. Tani më quan “bato” (serbisht: djali im). Kur u sëmur me të njëjtën sëmundje si im vëlla, isha gati të shkoja te Bolonja për të. Mihajloviç në fushë ishte provokator. I njëjtë me Balakun, një profesionist i provokimit, por e bëjnë për të avantazhuar ekipet e tyre. Jo si Materaci.

Pse, si ishte ai?
Ndërhynte për të dëmtuar dhe ne futbollistët e kuptojmë nëse një lojtar ndërhyn për të dëmtuar apo është thjesht i ashpër si Kielini, Stam apo Maldini. Paolo ishte shumë i keq dhe nëse donte të dëmtonte, mund ta bënte, por e shmangte sepse egërsinë e shfrytëzonte në dobi të skuadrës së tij. Me Materacin kisha një llogari të hapur dhe hesapet i lava në një derbi. Ai ndërhyri me taka, por unë e shmanga dhe e godita në kokë me bërryl. Pipo Inzagi e komentoi shumë saktë kur tha se ishte derbi më i bukur i jetës pasi kishte shënuar Ibra dhe Materaci kishte përfunduar në spital. E kishte me shaka sigurisht.

ibra

Në librin tuaj keni thënë se Inzagi dinte vetëm të shënonte…
Ju duket pak? Pipo më thoshte gjithmonë që të dribloja, të shkoja nga të doja ose të krosoja, ndërkohë që ai do të qëndronte përpara portës. Dinte vetëm të shënonte, ashtu si Trezegeja. Unë mes një sulmuesi driblues dhe një tjetri që shënon zgjedh gjithmonë këtë të dytin.

Me Lukakun çfarë ndodhi?
Ishte derbi i Kupës. Ai u grind me Romanjolin e më pas me Salmakersin. Ndërhyra për shokët e mi dhe Lukaku më ofendoi në aspektin personal. U shokova sepse në Mançester kishim qenë shokë skuadre.

Po, po, e njohim historinë e 50 paundëve për çdo stopim të saktë…
Ishte mënyra ime për ta përmirësuar (qesh). Ai nuk pranoi kurrë sepse ka një ego të madhe. Kujtonte se ishte lojtar klasi dhe me të vërtetë i fortë, por jam rritur në geto e kur dikush vjen me kokën lart përballë meje, unë di si t’ia çoj në vend. Nuk i përmenda kot mamanë dhe ritualet e saj. Aty Romelu e humbi kontrollin dhe mua më lindi një dyshim.

Çfarë dyshimi?
Atë derbi Milani e humbi. Unë dola me karton të kuq dhe më pas u dëmtova. Ndodhën disa episode fatkeqe dhe mendova se ritet magjike mamaja e Lukaku i kishte bërë vërtet. U kërkova disa miqve besimtarë që të luteshin për mua. Me Lukakun kam hesape për të larë dhe uroj të përballemi së shpejti.

lukaku ibra

Në rrugë?
Jo, jo. Janë gjëra që zgjidhen në fushë. Unë nuk urrej askënd, e aq më pak dikë si Lukaku. Urrejtja është një ndjenjë e rëndë.

Çfarë mendoni për hetimet që po i bëhen Juventusit?
Është herët për të dhënë mendime. Mund t’ju them se unë kam shumë kujdes në këto gjëra dhe i paguaj mirë ata që merren me taksat dhe bilancet e mia.

A mendoni se menaxherët kanë më tepër pushtet sesa duhet?
Jo, sepse ata mbrojnë lojtarët. Mino Raiola për mua është një mik, një vëlla e një baba. Po ju tregoj një ngjarje. Në Mançester theva gjurin dhe dola nga fusha me këmbët e mia ngaqë nuk doja të pija diçka kundër dhimbjes sepse nuk mendoja se isha dëmtuar aq rëndë. Ja që më ishte thyer ligamenti i kryqëzuar, tendinat ishin shkëputur dhe muskujt ishin tërhequr. Në atë moment Mino nisi të merrte telefonata nga çakejtë.

ibra

Kush?
Kirurgët. Italianë dhe joitalianë. Donin të më operonin. E analizuam situatën dhe kuptuam se Fredi Fu ishte më i miri në këtë aspekt. Kishte lindur në Hong Kong dhe punonte në Pitsburg të Shteteve të Bashkuara. Udhëtuam gjithë natën dhe në 4 të mëngjesit ishim në zyrën e tij. Ai po na priste së bashku me stafin e tij.

Mesi apo Ronaldo?
Shumë të fortë që të dy. Unë zgjedh Mesin sepse kam luajtur me të.

Çfarë raporti kishit?
Profesional. Leo jeton për futbollin, por sivjet “Topin e Artë” e meritonte Levandovski.

Po me Guardiolën si ishte situata?
Nuk më kuptoi kurrë. Donte të programonte çdo gjë që duhet të bëja. Në fushë mundohesha të ndiqja udhëzimet e tij, por herë pas here ndërhynte instinkti im, ndaj mendoja dyfish. Guardiola nuk i ka qejf lojtarët me personalitet dhe u bëra shumë shpejt problem për të. Ai nuk dinte si ta zgjidhte, ndaj e zgjidha unë duke u larguar nga Barcelona.

Edhe me Alegrin keni pasur probleme?
Kishim humbur 3-0 ndaj Arsenalit, por ai ishte i lumtur sepse ishim kualifikuar. Unë i tërhoqa vëmendjen dhe ai më qortoi sepse kisha luajtur shumë keq.

Po ju?
I thashë që unë detyrën e kisha bërë keq, por jo aq keq, sa ai nga frika kishte marrë në stol dy portierë rezervë. Alegri ishte i zoti me menaxhimin e grupit, por nuk kishte kurajë si ajo që nevojitej për të shkuar te Reali e të matej me ambientet jashtë Italisë. Zgjodhi Juven, destinacionin më komod.

Përse nuk i përshëndetni kurrë trajnerët rivalë përpara ndeshjeve?
Sepse jam shumë i përqendruar te paraqitja. Është e vërtetë, nuk e bëj kurrë, as me Murinjon, i cili gjithashtu më pëlqen shumë. Vetëm një herë e kam përqafuar Mihajloviçin kur ishte i sëmurë.

Cili është futbollisti më i fortë në histori?
Ronaldo “Fenomeni”. Kur isha fëmijë, e imitoja.

Po Maradona?
Maradona është një mit. Duke parë një dokumentar mbi të, vendosa të shkoja te Napoli, për të bërë si Diego: të fitoja titullin.

Në atë kohë ishit te Los Anxheles.
Isha lodhur me Amerikën e po mendoja të tërhiqesha. Mino më tha se duhet të kthehesha në Itali. Me Napolin kisha edhe një akord, por shkarkuan Ançelotin dhe vendosa të shkoja te Milani sepse kishte më tepër nevojë për mua. Klubin e njihja, qyteti më pëlqen, ndaj ja ku jam.

Ju e ndryshuat Milanin…
Në fillim askush nuk vraponte në stërvitje. I kam përballur një nga një dhe jo mënjanë, përballë të tjerëve: në stërvitje duhet të vrasësh veten me punë. Nëse vrapoj, nëse vras veten, shoku im do të vrapojë dhe do të vrasë veten për mua. Të gjithë e kuptuan, përveç njërit.

ibrahimovic

Kujt?
Leao nuk ma vinte veshin. Nëse e ka këtë arritje, e ka arritur vetë.

Keni thënë se nuk darkoni me shokët e skuadrës. Përse?
Do t’i vija në siklet. Unë jam një lider. Ata nuk do të ishin rehat. Është një sakrificë që bëj për ta.

Si është të jesh në këto nivele me 40 vite mbi shpinë?
Përshtas lojën me trupin dhe llogaris lëvizjet duke pasur kujdes sa herë bëj një sprint. E ardhmja më shqetëson gjithsesi. Nuk besoj se do të bëhem trajner pasi të lë futbollin e luajtur. Më duhet diçka që të më japë adrenalinë, por derisa të më mbajnë këmbët do të bëj sulmuesin. Dua të luaj deri në fund për titullin dhe të luaj Botërorin e Katarit.

Ibra, nga afër po më dukeni si njeri i mirë.
Si shumë të zhgënjyer po ju shoh.

Pak po.
Jam i mirë sepse kemi një orë që bisedojmë. Në fushë do t’ju kisha shqyer.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI
PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *