INTERVISTA/ Situata në PD rrezikon bllokimin e reformës territoriale e zgjedhore, Kreu i KQZ-së: Ka ardhur koha që të depolitizohen komisionerët






MARIGLEN KUME/ Situata e krijuar në Partinë Demokratike rrezikon të bllokojë reformën territoriale dhe atë zgjedhore. Rreth dy muaj më parë, në Parlament u miratua ngritja e Komisionit të Posaçëm për reformën territoriale dhe atë zgjedhore. Por që atëherë, në Parlament nuk kanë shkuar ende propozimet për anëtarët që do të jenë pjesë në atë komision. Ndërkohë, situata duket edhe më e vështirë për përbërjen e komisionit në një kohë që PD ndodhet në një krizë të brendshme dhe deputetët kërkojnë dorëheqjen e kryedemokratit.

Ndërkohë, në një intervistë për gazetën “Panorama”, kryekomisioneri Celibashi la të kuptohet se nëse nuk do të ketë një produkt brenda këtij sesioni, atëherë do të ishte shumë e vështirë një hartë të re territoriale për zgjedhjet e 2023 ose nëse do të realizohej një reformë territoriale dhe zgjedhore pas pushimeve të verës kjo do vendoste në vështirësi KQZnë për të përgatitur zgjedhjet. Nëse vullneti politik do të ekzistonte për një reformë të arritshme, Celibashi shprehet se ka ardhur momenti që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet depolitizimi i komisionerëve në nivelin e 2-të apo të 3-të.

Garancitë tashmë, sipas Celibashit, i jep teknologjia e informacionit. Ndërkaq, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik kryekomisioneri shprehet se projekti mund të shtrihet edhe më gjerë, por jo në të gjithë territorin. Një tjetër pikë ku Celibashi sugjeron se duhet të konsiderohet nga gjerësisht është aplikimi i numërimit të votave në qendrën e votimit. Kjo do të shmangte vonesat.

Z. Celibashi, vitin e ardhshëm do të kemi sërish zgjedhje lokale në të gjithë vendin. Ndërkohë, në Parlament është miratuar ngritja e dy komisioneve të posaçme, për reformën territoriale dhe për atë zgjedhore, por ende nuk janë çuar anëtarët përbërës të komisioneve. Duke parë edhe situatën politike, a ka kohë dhe deri kur mund të presë KQZ për t’u bërë ndryshimet në hartën territoriale?

Realisht jemi vonë edhe sot e kësaj dite në lidhje me një reformë të mundshme territoriale dhe reformë zgjedhore po ashtu. Por nëse ka vullnet politik dhe opsionet janë realiste, mendoj se nuk ka problem në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme. Unë jam skeptik edhe në mënyrë realiste e shoh të vështirë që brenda këtij sesioni, pa filluar pushimet e verës, ne të kemi një produkt, qoftë për reformën territoriale, qoftë edhe për atë zgjedhore. Nëse kjo do të shtyhet tej verës, kjo krijon probleme dhe do të jemi në të njëjtën situatë siç ishim në kushtet e zgjedhjeve të 25 prillit ku ndryshimet e kodit u bënë në fund të muajit shtator të vitit 2020.

Ndërkohë, sa i përket reformës zgjedhore, sa u përket zgjedhjeve lokale, cilat do të ishin ndryshimet emergjente që duhen bërë në kod për të qenë efektive në zgjedhjet e 2023?

Më së pari do duhet të diskutojmë dhe ta ndajmë njëherë e mirë çështjen e organizimit dhe funksionimit të komisioneve në nivele të dyta dhe të treta. Tashmë që është futur edhe teknologjia e informacionit në procesin zgjedhor, ka shumë arsye që partitë politike të mos jenë kaq të përfshira në përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve. Por në çdo rast ato nuk mund të jenë jashtë këtij procesi. Ato do vazhdojnë të kenë prezencën e tyre në përgatitjen e procesit zgjedhor. Ka nevojë të rishikohen procedurat që lidhen me ankimimet dhe sanksionet, kompetencat e komisionerit dhe KAS-it. Financimi i kandidatëve dhe i partive politike. Nuk e di nëse do duhet… por që në vlerësimin tim do duhet të konsiderohet mënyra sesi ne nxjerrim rezultatin. I gjithë procesi i nxjerrjes dhe tabulimit të rezultatit. Mendoj se do duhet ta rikonsiderojmë procesin e numërimit të votave në qendrën e votimit. Tashmë që ne kemi edhe kamera në qendrat e votimit, nëse do të shtojmë edhe kontributin e KQZ-së në ndërtimin e administratës zgjedhore në nivelin e dytë dhe të tretë, mendoj se janë garancitë për ta zhvilluar këtë proces në qendrat e votimit.

A ishte rasti i Vorës një shtysë që të kërkoni depolitizimin e komisionerëve në nivelin e dytë dhe të tretë?

Vora është një ilustrim i shqetësimit në lidhje me fuqinë që kanë partitë politike dhe peshën që kanë në përgatitjen e procesit zgjedhor. Por kjo është një çështje që ka qenë në diskutim edhe më herët dhe që ka ardhur koha që të kemi një zgjidhje tjetër dhe jo këtë që kemi.

Për të dytën herë, votimi dhe numërimi elektronik ka rezultuar edhe këtë herë i suksesshëm. Mendoni se ky projekt duhet të shtrihet në të gjithë vendin?

Nga pikëpamjet teknike, çdo gjë ka shkuar mirë. Do ishte me interes që të kishim një shtrirje më të gjerë. Ndoshta jo në të gjithë territorin e Shqipërisë, por edhe në disa bashki të tjera mund të pilotohej votimi dhe numërimi elektronik, por gjithsesi duhet të vlerësojmë edhe aspektin e kostove. Ofron disa avantazhe nga pikëpamja teknike, por nuk mund të themi që të gjitha problematikat mund të eliminohen nëse përdorim votimin e numërimit elektronik.

Keni një analizë paraprake se si shkuan këto zgjedhje?

Procesi pati një mbarëvajtje sa i përket aspektit përgatitor nga ana e KQZ-së. Ne i përmbushëm të gjitha detyrimet që parashikon Kodi Zgjedhor, ndonëse edhe koha ishte e shkurtër. Në dallim me herët e tjera të ngjashme, këtë herë s’kishim zgjedhje të pjesshme vetëm në një njësi zgjedhore por në 6 njësi. Vlerësoj që edhe fushata ishte në përputhje me Kodin Zgjedhor sa u përket atyre që ne monitoruam. Por kjo s’do të thotë që nuk patëm problematika. Megjithatë, rezultati është në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

Në dallim nga zgjedhjet e 25 prillit, ka një sensibilizim për të mos përdorur shtetin në zgjedhje?

Ndryshe nga zgjedhjet e 25 prillit ka një reflektim edhe në pikëpamjen sasisore dhe përmbajtjesore të sjelljes së institucioneve publike në periudhën zgjedhore. Institucionet publike kanë kuptuar që kanë disa përgjegjësi specifike në përmbushjen e detyrave të tyre gjatë periudhës zgjedhore. Ka një përfillje më të madhe ndaj detyrimeve të Kodit Zgjedhor në lidhje me sjelljen e tyre, kjo vetëm për faktin se numri i atyre institucioneve që raportojnë është më i madh, por edhe për faktin se ka një kujdes të shtuar për të mos kaluar vijën e kuqe ku këto institucione do duhet të penalizoheshin. Por sërish ka problematika. Një tregues i rëndësishëm është se edhe denoncimet për këto zgjedhje në lidhje me veprimtaritë e ndaluara shin shumë të pakta.

Ndoshta se zgjedhjet ishin në një sipërfaqe më të kufizuar se në 25 prill, por ka një perceptim, në fakt, që këtë herë teknologjia në zgjedhje pati problematika. Ju rezulton edhe juve kështu?

Në fakt, është krejt e kundërta se edhe nëse u referohemi shifrave, problematikat kanë qenë shumë të pakta. Qoftë në numra, por edhe në natyrën e problematikave. Ka qenë vetëm 0.1% e pajisjeve që kanë pasur probleme, në krahasim me 1.1% në zgjedhjet e 25 prillit. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi të thuhet në lidhje me procesin elektronik, nuk rezulton të ketë probleme me përdorimin e pajisjes ku operatori të ketë shënjuar në emër të votuesve.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *