INVESTIGIMI/ ‘Diktatura’ e futbollit, centralizimi i votës së FSHF “betonizon” pozitat e Armand Dukës! Si ndryshuan rregullat e lojës! DOKUMENTET

1 Minifutbolli

Asambleja e Jashtëzakonshme, 14 qershor 2021 - 55 delegatë
Asambleja e Jashtëzakonshme, 14 qershor 2021 – 55 delegatë

Hyri në fuqi statuti, sipas të cilit klubet profesioniste (Superiore dhe Kategoria e Parë) kanë përfaqësi të barabartë me Shoqatat Rajonale të Futbollit

  • 26 klube profesioniste
  • 26 Shoqata Rajonale

* Shkodër                           3

* Lezhë                               2

* Tiranë                             8

* Durrës                            3

* Elbasan                          2

* Fier                                 3

* Gjirokastër                   3

* Korçë                             2

  • 1 Shoqata e Trajnerëve
  • 1 Shoqata e Mjekëve Sportivë
  • 1 Shoqata e Arbitrave

Ndryshimi i balancave të votave nga Asambleja Zgjedhore e vitit 2018 në Asamblenë e fundit është i dukshëm. Nëpërmjet dokumentacionit zyrtar të regjistrimit të shoqatave në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kuptohet që vota e ndikuar nga politika e “klubeve të vogla” është shndërruar në votë të ndikuar nga vetë Federata.

Dokumentet vërtetojnë se, disa trajnerë të Kombëtareve të Moshave apo futbollit të femrave figurojnë të angazhuar direkt dhe paguhen nga FSHF si pjesë e strukturës së tyre.

E njëjta gjë ndodh edhe me zyrtarë të tjerë, që janë të punësuar apo kanë lidhje të ngushta në Federatën e Futbollit.

Ndryshimi i dyshimtë i rregullave të lojës

Pikërisht ky konflikt interesi, në një kohë kur thuajse gjysma e votave në zgjedhje i ka kaluar pikërisht Shoqatave Rajonale të Futbollit, e bën krejtësisht të dyshimtë skemën se si pritet të zgjidhet këtë herë drejtuesi i FSHF-së.

Njohësit e futbollit e konsiderojnë skemën e re të pavlefshme, sa kohë që iu heq votën klubeve dhe ua jep shoqatave.

Është hap i mirë që shoqatat të hyjnë, por asnjëri nga klubet nuk mund të përjashtohet nga vota. Nuk mund t`iu hiqet vota skuadrave për shoqatat. Përpara ardhjes së demokracisë, Memaliaj e Himara kishin ekipe të jashtëzakonshme. Sot, Himara nuk ekziston më”, – tha një burim i mirinformuar për Investigative Network Albania, që preferoi të fliste në kushtet e anonimatit.

Struktura duhej të ishte bërë shumë kohë më parë, por nuk u realizua, sepse, ata që e drejtuan futbollin në këto 20 vjet, mbështeteshin te politika dhe më pas te klubet.”, – vazhdoi i njëjti burim.

Mbledhja e datës 8 prill 2021 në Shoqatën Rajonale të Futbollit, Shkodër
Mbledhja e datës 8 prill 2021 në Shoqatën Rajonale të Futbollit, Shkodër

Presidenti i FSHF, Armand Duka, përkrah Armando Cungut, kreut të shoqatës dhe njëkohësisht trajner i Kombëtares së 19-vjeçarëve të Shqipërisë

Zotërinjtë e Federatës së Futbollit kanë zgjedhur një sistem të padrejtë, për t’iu përshtatur sistemit mjeran, shqiptar”, – theksoi Rudi Vata, që në vitin 2010 kandidoi për president të FSHF-së.

Futbolli shqiptar i këtyre 20 viteve ka prodhuar vetëm vuajtje, mjerim, shitblerje, nepotizëm e qoka. Aspak argëtim, aspak “fair-play”, prandaj aktorët kryesorë janë këta mini-diktatorë, që janë kthyer në diktatorë. Fatkeqësia e tyre është që nuk e kuptojnë se janë të tillë”, – kritikon më tej Rudi Vata mënyrën se si drejtohet Federata Shqiptare e Futbollit.

Dokument zyrtar, gjyqësor i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Tiranë
Dokument zyrtar, gjyqësor i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Tiranë
Dokument zyrtar, gjyqësor i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Shkodër
Dokument zyrtar, gjyqësor i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Shkodër
Dokument zyrtar, gjyqësor i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Durrës
Dokument zyrtar, gjyqësor i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Durrës
Dokument zyrtar, gjyqësor i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Korçë
Dokument zyrtar, gjyqësor i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Korçë

Konkretisht, në Shoqatën Rajonale të Shkodrës, ku fillimisht ishte kryetar trajneri i përfaqësueses së femrave, Armir Grima, tashmë kryetar është trajneri i Kombëtares së 19-vjeçarëve, Armando Cungu. Cungu paguhet drejtpërdrejt nga FSHF si trajner i Kombëtares së 19-vjeçarëve.

Në Tiranë kryetar është Sulejman Mema, një emër i madh i futbollit, por që ka edhe funksione zyrtare në Federatë. Madje, në mars të vitit 2019, pas shkarkimit të Christian Panucci-it nga Kombëtarja, Mema dhe Ervin Bulku shërbyen si trajnerë të përkohshëm në ndeshjen me Andorrën.

Në Shoqatën e Durrësit kryetar është Mikel Furxhi, që në Asamblenë e 14 qershorit 2020 ishte pjesë e Komisionit të Verifikimit të delegatëve.

Në Shoqatën e Korçës figuron kryetar Ilirjan Përmeti, shef i klubit të futbollit Skënderbeu, skuadër, e cila, me gjithë vendimin e UEFA-s për ta përjashtuar me dhjetë edicione nga turnetë ndërkombëtare për trukime, në Shqipëri nuk mori asnjë dënim.

Dokumenti zyrtar i Asamblesë së Zakonshme të FSHF-së në vitin 2016, i firmosur nga delegatët me mandat vote nga Shoqatat Rajonale të Futbollit
Dokumenti zyrtar i Asamblesë së Zakonshme të FSHF-së në vitin 2016, i firmosur nga delegatët me mandat vote nga Shoqatat Rajonale të Futbollit

Faktin që shoqatat rajonale të sportit përfitojnë fonde direkte nga FSHF, ndërkohë që iu është dhënë edhe e drejta e votës, ekspertët e konsiderojnë konflikt të rëndë interesi dhe se zgjedhjet duheshin anuluar.

Shoqatat Rajonale të Futbollit në vendet europiane nuk kanë asnjë lidhje financiare me federatat. Pra, askush nuk përfiton rrogë në mënyrë direkte nga Federata. Janë konflikte shumë të rënda interesi. Në çdo vend të Europës zgjedhjet do të ishin anuluar. Sekretariati i Shtetit për Sportet do të kishte marrë masa disiplinore ndaj këtyre situatave”, – pohoi burimi i mirinformuar i INA MEDIA-s, që preferoi të mbetej anonim.

Me kalimin e thuajse gjysmës së votave në dorën e shoqatave pushteti është centralizuar.

“Sigurisht që ka centralizim pushteti në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ajo duket qartë, siç është vetë drita e diellit. Por, shteti shqiptar pranon gjithçka”, – akuzoi Rudi Vata.

Një tjetër shembull është Shoqata e Mjekëve Sportivë, e cila ka një votë në Asamble. Për shkak të angazhimeve aktive në botën e sportit edhe këtu çdo detaj jepet në kushtet e anonimatit.

“Prej komunizmit Shoqata e Mjekëve ka qenë si fasadë, sa për të thënë që ekziston. Nuk ka vendimmarrje, as në Federatë, as në Komitetin Olimpik, thjesht ka një votë. Shoqata ka dy vjet që nuk mblidhet, nuk ka funksionuar. Kryetari, Profit Canaj, ka vuajtur nga probleme shëndetësore. Ishte i sëmurë edhe në Asamblenë e fundit të Federatës dhe ia delegoi votën njërit prej pjesëtarëve të stafit mjekësor të Kombëtares, por jo mjek me profesion. Ishte gabim i madh, sepse nga shoqata mund të votojnë vetëm mjekët”, – sqarojnë burimet për INA MEDIA-n.

 Arsyet e manovrës së Federatës

Lëvizja e Federatës për ndryshimin e statutit lidhet me garën e zgjedhjeve të vitit 2018, ku përballë kreut aktual, Armand Duka, kandidoi deputeti Bashkim Fino, garë në të cilën Duka ndjeu kërcënimin e “votës politike”.

Me pjesën dërrmuese të klubeve shqiptare, që janë pronë e bashkive, më tepër se 1/3 e atyre që votuan, ishin kryetarë bashkie dhe mbështesnin kandidatin që ishte pjesë e forcës së tyre politike.

Për të fituar mandatin e pestë në Federatë, kreut aktual, Armand Dukës, iu nevojit raundi i dytë i votimit, pasi nuk siguroi menjëherë 2/3 e mbështetjes së 66 delegatëve të pranishëm.

Në raundin e dytë, ku fituesi shpallej me maxhorancë të thjeshtë, pra 50% + 1 votë, presidentit të ri i nevojiteshin 33 vota. Duka mori 38 vota, kandidati Fino, 24, tri u shpallën të pavlefshme dhe një anëtar nuk votoi.

Faksimile e gazetës “Sporti Shqiptar”, më 6 mars 2002. Armand Duka fitoi mandatin e parë si president i Federatës Shqiptare të Futbollit
Faksimile e gazetës “Sporti Shqiptar”, më 6 mars 2002. Armand Duka fitoi mandatin e parë si president i Federatës Shqiptare të Futbollit

Ajo ndaj ish-deputetit Bashkim Fino ishte gara më e pasigurt prej vitit 2002 për Dukën e FSHF. Vetëm kur mori drejtimin e FSHF para dy dekadave, kreut aktual iu nevojit balotazhi në raundin e dytë, për të thyer rivalin Mehdi Bushati. Në Asambletë e tjera vota ka qenë dukshëm në favor të tij. Me ndryshimet në sistemin e votimit dhe bazuar në të dhënat e garave të mëparshme, aritmetika është e thjeshtë. Për të fituar 2/3 e votave nga 55 delegatë, në vitin 2022 Armand Dukës i nevojiten vetëm 37 vota. Ky do të ishte numri më i ulët i votave të marra ndonjëherë prej tij, por që me manovrën në statut do t`i mjaftonte për mandatin e gjashtë.

Rezultatet e votimeve në pesë mandatet e fituara nga Armand Duka përballë rivalëve nga Asambleja Zgjedhore e FSHF në vitin 2002 deri në vitin 2018
Rezultatet e votimeve në pesë mandatet e fituara nga Armand Duka përballë rivalëve nga Asambleja Zgjedhore e FSHF në vitin 2002 deri në vitin 2018

Pas zgjedhjeve të fundit votat e skuadrave të vogla, të cilësuara të kërcënuara apo/dhe në varësi të drejtpërdrejtë të politikës, iu shpërndanë Shoqatave Rajonale të Futbollit. Këto të fundit u krijuan me argumentin për t`i shërbyer futbollit, nga masivizimi e deri tek evidentimi i talenteve.

Tabelë me përqindjen e votave të fituara nga Armand Duka në pesë Asambletë e fundit Zgjedhore
Tabelë me përqindjen e votave të fituara nga Armand Duka në pesë Asambletë e fundit Zgjedhore

Në fakt, si struktura të varura direkt nga Federata qëllimi i tyre i kamufluar u konfirmua që lidhej plotësisht me votën.

“E drejta e votës është e drejtë vote, por punohet, për shembull, që vota e një çobani, si ne të klubeve, të mos jetë e barabartë me atë të një intelektuali, siç janë ata të Federatës”, – ironizoi Sinan Idrizi.

Për administratorin e Flamurtarit ka një disproporcion të theksuar për mënyrën se si është konceptuar ndarja e re e futbollit sipas rajoneve.

“Problemi është sita si është bërë kjo ndarje. Në Shoqatën Rajonale të Fierit janë 25 ekipe për 3 delegatë me të drejtë vote, ndërsa në Gjirokastër janë 8 ekipe për 2 delegatë. Në sistemin e zgjedhjeve në Shqipëri luhet me skemat e ndryshme që serviren sipas momentit dhe interesave. Problemi është se nuk dimë një njësi matëse si është bërë ndarja”, – thotë Sinani, administratori i Flamurtarit.

“Të mendosh që qendrën e futbollit, Vlorën, FSHF e ka lënë në rajonin e Fierit! Me këtë logjikë i bie që jugu i Shqipërisë duhet të kërkojë alternativa të tjera në futboll”, – akuzon më tej ai.

Por, debati për krijimin e një sistemi autokrat në futbollin shqiptar nuk është as i ri e as sekret.

“Po të shikoni rastin e presidentit aktual të FSHF, ai është zgjedhje e politikës. I ardhur nga biznesi i rritjes së shpendëve, pa pasur asnjë kontribut, meritë, lidhje, emocion dhe pa shpenzuar asnjë ditë të vetme në sport, një ditë të bukur bëhet president i Federatës së Futbollit”, – akuzon ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata.

Çështja e mbretërimit nga një grusht njerëzish në futboll nuk është vetëm një histori shqiptare. Disa vjet më parë futbolli botëror u përfshi në një prej skandaleve më të mëdhenj në histori.

Sepp Blatter u cilësua në vitin 2015 si “diktatori më i suksesshëm jo-vrasës në historinë e viteve të fundit”. Ai e drejtoi futbollin botëror për 17 vjet e 122 ditë (nga 8 qershori 1998, deri më 8 tetor 2015), duke e zhytur FIFA-n në një seri skandalesh dhe korrupsioni në nivelet më të larta. (Prestigjiozja britanike “The Guardian”).

Sugjerimi i UEFA-s për kufizim mandatesh

Për muaj me radhë statuti i ri i Federatës së Futbollit mbeti në ajër. Por, në fund, sipas dispozitave ligjore, Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi të miratojë ndryshimet.

Për MAS ka rëndësi të veçantë ligjshmëria e çdo federate dhe FSHF nuk bën përjashtim. Për këtë arsye ministri e ka miratuar statutin e ndryshuar të FSHF vitin e kaluar. Për sa i përket pyetjeve tuaja mbi zgjedhjet apo pjesëmarrësit në to, qëndrimi i MAS vijon të mbetet se kjo është një çështje e brendshme e FSHF, e cila duhet të rregullohet sipas statutit të saj dhe ministria nuk përfshihet në pavarësinë e organizimit të federatave”, – ishte përgjigjja e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve pas një kërkese për informacion nga INA MEDIA.

Ndryshimet në statut janë miratuar edhe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë. Sipas shkresave zyrtare në kthim të përgjigjes nga Investigative Netëork Albania kuptohet që kërkesa e federatës u dorëzua shtatë muaj pas Asamblesë, më saktësisht më 28.07.2021 dhe mes pikave figuronte “Të miratojë Statutin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilit i bashkëlidhen Shtojca A “Pyetësor për kontrollin e integritetit” dhe Shtojca B “Rregullore e Asamblesë se Përgjithshme”. Në aspektin jurudik, problematike mbetet vetëm situata e Shoqatës Rajonale të Futbollit, Lezhë, pasi më 4 tetor 2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë hodhi poshtë kërkesën për regjistrimin e saj.

Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë më 4 tetor 2021, ku nuk pranohet kërkesa për njohje e Shoqatës Rajonale të Futbollit, Lezhë
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë më 4 tetor 2021, ku nuk pranohet kërkesa për njohje e Shoqatës Rajonale të Futbollit, Lezhë
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë më 4 tetor 2021, ku nuk pranohet kërkesa për njohje e Shoqatës Rajonale të Futbollit, Lezhë
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë më 4 tetor 2021, ku nuk pranohet kërkesa për njohje e Shoqatës Rajonale të Futbollit, Lezhë

Kjo skemë e “mbretërimit” të një personi të vetëm është kritikuar edhe nga UEFA, e cila i orientoi të gjitha federatat europiane që në ndryshimet statusore të përfshinin edhe pikën e kufizimit të mandateve.

UEFA dhe FIFA dhanë shembullin të parat, duke miratuar kufizimet me dy mandate, plus një mandat të tretë si afat maksimal në rangjet drejtuese.

Si objektiv primar ishte korrigjimi i gabimeve të së kaluarës, për të evituar krijimin e të tjera sistemeve diktatoriale.

Në Shqipëri ky sugjerim nuk u përfshi në statutin e ri, të ndryshuar në dhjetorin e vitit 2020.

Krejt ndryshe ndodhi në Poloni. Pas tetë viteve shumë të suksesshme, presidenti Zbigniew Boniek u largua, pas vendimit të qeverisë se krerët e federatave nuk duhet të qëndrojnë në detyrë më tepër se 8 vjet. Ish-futbollisti i famshëm i Juventus-it dhe Romës tashmë mban postin e zëvendëspresidentit të UEFA-s.

Një tjetër emër i madh i futbollit, si Davor Šuker, u largua pas 9 vjetësh nga drejtimi i Federatës kroate. Te fqinjët e Maqedonisë së Veriut gjatë 20 viteve të fundit janë ndryshuar të paktën tri herë presidentët e Federatës. Aktualisht, drejtues është një shqiptar, Muamed Sejdini, i cilësuar si një prej drejtuesve më të suksesshëm në historinë e këtij institucioni.

Modelet e huaja të organizimit

Ndryshe nga rasti i futbollit në Shqipëri, ku amatorët u përjashtuan dhe votat e tyre u rigrupuan në mënyrë tejet të dyshimtë, në sistemet e vendeve më të zhvilluara në përgjithësi struktura e futbollit është e mbështetur në bazë të gjerë tek amatorët.

Në modelin italian të Asamblesë Zgjedhore për presidentin e Federatës së Futbollit marrin pjesë me të drejtë vote të gjitha skuadrat e Serisë AB dhe CLiga e Amatorëve (Serie D dhe ekipet e moshave), sportistët, trajnerët dhe arbitrat marrin pjesë në votime nëpërmjet delegatëve që përcaktohen sipas rregullores elektorale. 276 delegatët e futbollit italian kanë gjithsej 516 vota. Për këtë arsye vota e çdo delegati ka peshë të ndryshme në raport me kategorinë së cilës i përket. Vota e shprehur nga çdo përfaqësues i klubeve të Serisë A shumëzohet me 3,1. Megjithatë, Liga Kombëtare Amatore gëzon pjesën më të madhe të votave elektorale në tërësi (176 të tilla).

Në modelin spanjoll në Asamblenë Zgjedhore votojnë 140 delegatë. 20 prej tyre janë zyrtarë të lartë të futbollit. Veçantia lidhet me faktin se edhe vetë presidenti i Federatës spanjolle ka të drejtë vote, ashtu si edhe 19 presidentët e federatave territoriale.

Profesionistët përfaqësohen nga 20 skuadra dhe 13 futbollistë. Futbolli jo-profesionist përfaqësohet nga 29 skuadra dhe 17 lojtarë. Të drejtë vote kanë nga të gjitha nivelet edhe 16 trajnerë, 11 arbitra, 12 ekipe futbolli, si edhe një votë nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës spanjolle të Futbollit, Andreu Camps. Fituesi nga votimi i 140 delegatëve shpallet me maxhorancë të thjeshtë. Dy shembuj krejt të ndryshëm nga Shqipëria, ku skuadrat dhe aktorët e vërtetë të lojës, jo vetëm që nuk përjashtohen nga procesi zgjedhor, por, ata që cilësohen si më të vegjlit, kanë pjesën më të madhe të votave dhe rrjedhimisht të vendimmarrjes./ INA MEDIA
* PORTAL INVESTIGATIV I FINANCUAR NGA AMBASADA AMERIKANE

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.