Investigimi pas dështimit të sistemit/ Nga shkollat e futbollit tek ekipet e të rinjve, në Itali luan kush… paguan






“Axurrët” e vegjël, nuk po rriten… Me këto fjalë, e përditshmja prestigjioze “Repubblica”, ka vendosur që të bëjë një analizë të detajuar, madje shumë më të thellë, duke marrë shkas edhe nga moskualifikimi i dytë radhazi për në Botëror i kombëtares së Italisë. Investigimi i gazetarëve të kësaj medie, tregon për stadin e shkollave të futbollit dhe të sektorëve të të rinjve ku vërshon “lumi” i futbollit italian.

MANCINI

BIZNES SHKOLLASH – Një statistikë e frikshme tregon se pas Botërorit 2014, shkollat e futbollit kanë nisur që të humbin “palcë”, duke qenë se në këto 8 vite konfirmohet se ka 44 mijë më pak regjistrime. Një prej motiveve kryesore janë kostot, duke qenë se në rastet më të shumta kërkohet një tarifë prej 800-900 eurosh në vit vetëm për t’u stërvitur, pa llogaritur bazë materiale, dietë ushqimore apo akoma më shumë edhe tarifat e federimeve të nevojshme.

Një tjetër aspekt është se edhe trajnerët e grupmoshave, nuk po duan më që të stërvisin, duke parë se pagat në shkolla lënë për të dëshiruar.

Kjo ka bërë që diçka të çalojë edhe në këtë aspekt, duke qenë se trajnerët që pranojnë të punojnë me të rinjtë, më së shumti nuk janë profesionistë dhe të certifikuar për të punuar me pasion dhe mbi të gjitha për të nuhatur talentin dhe cilësitë e vërteta për një të ardhme më të mirë.

Dhe për t’i vënë kapak kësaj, familjet e futbollistëve të rinj duhet të vetëfinancojnë transfertat për ndeshje të ndryshme, për një faturë totale e cila në vit mund të prekë nga 2000 në 3000 euro të tjera.

LUAN KUSH PAGUAN – Gjithsesi, kanceri i vërtetë është ai se edhe futbollistë adoleshentë në dukje të përgatitur, që kanë sakrifikuar ndër vite së bashku me familjet e tyre, duke nisur nga mosha 13 vjeç e sipër, shpesh u kërkohet të paguajnë nga xhepi i tyre për të bërë një provim në ndonjë prej klubeve të qyteteve që kanë pranë, apo edhe ato të mëdha.

Kërkesat e mësuara me anë të kamerave të fshehta, nisin nga 1000 deri në 3000 euro, por problemi nuk mbetet vetëm këtu. Kjo, sepse edhe nëse pranohesh në ndonjë klub, të rinjtë shpesh lidhen me kontrata shumë afatgjata nga klube të provincës, pse jo deri në 22-25 vjeç.

Ndaj, ka pasur edhe nga ato raste që nëse vjen një ofertë për lojtarë të ndryshëm, nga klube të Serisë C, B ose A, janë sërish vetë këta futbollistë që ëndërrojnë të bëjnë një karrierë të bukur që duhet sërish të paguajnë nga xhepi i tyre dhe të zgjidhen nga akordet ligjore të mëparshme nga drejtues shpesh të pashpirt, që kërkojnë me çdo kusht që të përfitojnë diçka.

Ndaj, kur flitet për talente që nuk shpërthejnë kurrë, nuk u jepet një shans, apo duhet të paguajnë për të luajtur apo për t’u çliruar nga kontrata “boshe” duke paguar nga xhepi i tyre, me sa duket Shqipëria nuk qenka e vetme në Europë…

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.