“Investrcorp” s’pyet për para/ Milani shitet për 1.18 miliardë euro, kuqezinjtë mes 10 më të mirëve në Europë









Përflitej se shitja do të mbyllej të premten dhe këto zëra gjejnë gjithmonë e më shumë konfirmime. Më 29 prill është edhe afati i bisedimeve ekskluzive që “Elliott” u kishte garantuar homologëve të “Investcorp”.

investcorp.mlan.2021.2022.nasdaq.460x340

Kjo skadencë është formale e nuk është një ultimatum, megjithatë edhe nëse firmat nuk hidhen të premten, ato do të shtyheshin, pa probleme të veçanta, në ditët e para të javës së ardhshme. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, shitja duhet të ndodhë për 1,18 miliardë euro (1,26 miliardë dollarë).

PLANI – Kthimi te lavdia dhe zvogëlimi i diferencës më të mëdhatë europiane është synimi i parë i pronarëve të rinj. Milani kërkon majat, por edhe të qëndrojë në ato nivele. Kjo nuk do të thotë “vetëm” rritja e vazhdueshme e të qenit konkurrentë në nivel sportiv, çka gjithashtu konsiderohet thelbësore, por edhe garantimi i rritjes financiare që do të lejojë që hendeku mes klubeve angleze, Realit, PSG-së dhe Bajernit të zvogëlohet në mënyrë progresive.

Ajo që ka rëndësi nuk është shfrytëzimi i një sezoni që do të gëzonte edhe fansat me ndonjë trofe, por një performancë gjithmonë e lartë. Askush nuk fiton gjithmonë, Champions është një kompeticion episodik, por nëse në çdo sezon je gati ta përballosh në mënyrën e duhur, herët a vonë vjen edhe koha e duhur.

Në synimet e “Investcorp” ka një Milan që kthehet përgjithmonë në elitën e futbollit europian (që do të thotë të kesh një shans të arsyeshëm për t’u vendosur gjithmonë ose pothuajse mes tetë më të mirave në Champions) dhe që ka fuqinë ekonomike për të ndërtuar ekipin pa pasur nevojë të shohë çdo herë sa para ka në portofol.

Për ta bërë këtë, është e nevojshme të forcohet marka që tërheq investitorët duke i lejuar fondit të përfitojë nga investimi i tij në mënyrën më të natyrshme. Me pak fjalë, plani parashikon që Milani të përfaqësojë në mbarë botën atë që ishte deri në pesëmbëdhjetë vjet më parë: përsosmërinë.

BISEDIMET – Teksa skuadra do të rikthehet sot në stërvitje, bisedimet e shitjes së Milanit vijojnë në dy grupe të ndryshme pune. I pari merret me analizën e llogarive të klubit, për të përcaktuar nëse një miliard e njëqind milionë është vërtet çmimi i duhur në dritën e të gjitha konsideratave që bëhen në këtë periudhë. Kujdesi i duhur për një operacion si ky teknikisht zgjat tri ose katër javë. Tashmë ka arritur në fazën përfundimtare dhe gjithçka sugjeron se mbyllja mund të arrihet në një kohë të shkurtër. Në vitrinë ka edhe blerës të tjerë të mundshëm, por “Investcorp”, përveç që ka dhe ekskluzivitetin, ka të gjithë interesat që ta përfundojë sa më shpejt blerjen.

Dhe “Elliott” e ka kuptuar se është zgjidhja e duhur për të gjithë. Do të duhet të shihet nëse palët, në rast se do të arrijnë një marrëveshje së shpejti, do të vendosin të vazhdojnë me njoftimin menjëherë apo vetëm kur Milani të ketë përfunduar kampionatin. Goli i Tonalit ndaj Lacios ka ngjallur entuziazëm edhe në Londër dhe askush nuk dëshiron të shqetësojë në asnjë mënyrë sprintin e skuadrës së Piolit.

Grupi i dytë i punës po merret me planin e biznesit, përkatësisht përmbajtjen dhe karakteristikat e projektit. Një projekt që do të duhet të tërheqë investitorët në mënyrë që “Investcorp” të rimarrë diçka nga shuma e madhe e shpenzuar për të ndihmuar Milanin të rritet, duke e rikthyer atë në galaktikën e dhjetë klubeve më të rëndësishme. Por edhe të pasur.

Klubet me te shtrenjta

RINOVIMI – Për ta shndërruar blerjen e kuqezinjve në një operacion madhor, megjithatë, nevojitet ndihmë edhe nga një pjesë e sistemit të futbollit italian. Në Londër theksohet se në ditët në vijim edhe Çelsi do të ndryshojë pronar dhe çmimi për shitjen do të jetë më shumë se dyfishi i asaj që do të duhet për të blerë Milanin. Megjithatë, Çelsi ka një vitrinë më pak të lavdishme, një stadium më të vogël (por në pronësi), një njohje ndërkombëtare më të ulët se ajo e kuqezinjve.

Por ja që vlen më shumë. Dhe kjo ndodh gjithashtu sepse kampionati anglez ka një joshje pa dyshim më të lartë se Seria A, siç vërtetojnë të drejtat televizive.

Kjo është arsyeja pse “Investcorp” do t’u japë një mandat drejtuesve të ardhshëm të Milanit për të zhvilluar një politikë rinovimi në vendet e përshtatshme që i shërben jo vetëm klubit, por të gjithë lëvizjes futbollistike italiane në përgjithësi. Vetëm në këtë mënyrë Seria A mund të jetë sërish e madhe. Vetëm në këtë mënyrë Milani do të jetë gjithmonë në mesin e dhjetë klubeve më të mira në botë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.