Ish-drejtori i BBC-së jep dorëheqjen nga një bord pas hetimit për intervistën e Princeshës Diana

09:10 23/05/2021

Tony Hall, ish-drejtor i lajmeve dhe aktualitetit në BBC në kohën e intervistës eksplozive të radio-televizionit publik me Princeshën Diana në vitin 1995, dha dorëheqjen të shtunën nga posti i kryetarit të bordit të Galerisë Kombëtare të Britanisë.

Zoti Hall, i cili më pas u bë drejtuesi i BBC-së, u kritikua ashpër në një raport këtë javë për një hetim me të meta lidhur me faktin se si gazetari Martin Bashir e siguroi intervistën ekskluzive.

Në një deklaratë, 70-vjeçari tha se prania e tij e mëtejshme në galeri do të shkaktonte një “shpërqendrim për një institucion që e kam shumë për zemër”.

“Siç e thashë para dy ditësh, më vjen shumë keq për ngjarjet e para 25 viteve dhe besoj se udhëheqje do të thotë të marrësh përgjegjësi,” tha zoti Hall, i cili shërbeu si drejtor i përgjithshëm i BBC-së nga 2013 deri në 2020.

John Kingman, nënkryetari i bordit të administratorëve të Galerisë Kombëtare, do të marrë rolin e zotit Hall për momentin. Ai tha segalerisë i vjen “jashtëzakonisht keq” që humbi zotin Hall por se ” e kuptojmë dhe respektojmë plotësisht vendimin e tij.”

Raporti prej 126 faqesh nga gjyqtari në pension John Dyson, publikuar të enjten, zbuloi se hetimi i brendshëm i BBC-së kishte fshehur “sjellje mashtruese” nga zoti Bashir, i cili ishte pak i njohur si gazetar kur intervistoi Dianën.

BBC është përballur gjithashtu me pyetje se pse zori Bashir u rikthye në punë në vitin 2016 si korrespondent i çështjeve fetare të televizionit.

Djemtë e Dianës, Princat William dhe Harry, kanë sulmuar ashpër BBC-në që kur u botua raporti, duke thënë se kishte një lidhje të drejtpërdrejtë midis intervistës së vitit 1995 dhe vdekjes së nënës së tyre në një aksident trafiku dy vjet më pas ndërsa ajo dhe një mik i saj po ndiqeshin nga paparacët.

BBC-ja e kërkoi raportin pasi vëllai i Dianës, Charles Spencer, u ankua se zoti Bashir përdori dokumente të rreme dhe taktika të tjera të pandershme për të bindur Dianën të jepte intervistën.

Në intervistë, Diana tha se martesa e saj me Princin Charles kishte dështuar sepse ai ishte ende i dashuruar me ish-të dashurën Camilla Parker Bowles, me të cilin Charles do të martohej një dekadë më vonë.

Diana, që atëherë ishte 34 vjeç, tha se ishte dëshpëruar pa masë kur zbuloi në vitin 1986 – pesë vjet pas martesës – se Charles e kishte rifilluar lidhjen me Camillën. Diana tha se ishte aq shumë në depresion saqë e lëndoi veten qëllimisht në një thirrje të dëshpëruar për ndihmë.

“Ishim tre vetë në këtë martesë, kështu që ishim pak si shumë,” u shpreh Diana atëherë.

Pasojat e raportit kanë ngritur dyshime serioze në lidhje me integritetin e BBC-së, ndërsa qeveria britanike ka thënë se do të rishikojë rregullat e mbikëqyrjes së radio-televizionit publik./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *