Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Kushtetuta s’mund të ribëhet kollaj nga legjislativi! Si e dëmtuan marrëveshjet e politikës









Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, shpreh shqetësimin e tij në lidhje me qëndrimin që politika shqiptare ka ndaj Kushtetutës. Duke e cilësuar si gurin themeltar të shtetit shqiptar, Abdiu nënvizon “në vendet demokratike, Kushtetuta nuk mund të ribëhet kollaj nga legjislativi, ajo mund të përmirësohet me ndryshime të pjesshme apo me shtesa të dispozitave të veçanta, gjithmonë duke pasur si qëllim pasurimin e standardeve bazë të dispozitave themelore e parimore. 

fehmi abdiu-kushtetuta

Pra, ajo duhet të shërbejë si bazë mbi të cilin duhet të ndërtohet vizioni i kohës dhe realizmi modern të bëjë punën e vet”. Në një analizë të tij, në kuadër të 28 Nëntorit 1998, ditës kur hyri në fuqi Kushtetuta e re e miratuar me referendum popullor, Abdiu shprehet se “mendimi mbizotërues që na kënaq të gjithëve, është se Kushtetuta shqiptare, është një dokument solid me vlera të pakundërshtueshme, e cila i ka shërbyer ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të shtetit shqiptar.

Referimet ndaj rëndësisë së garancive kushtetuese, gjithnjë e më shumë po behën pjesë e jetës politike, por edhe e një debati më të avancuar neë fushën akademike e më gjerë, mbi rëndësinë e interpretimit kushtetues, duke e konsideruar atë me të drejtë si një Kushtetutë të “gjallë”, si aktin themeltar të shtetit të së drejtës”. Por, ai shpreh keqardhje për ndryshimet e befta që i janë bërë Kushtetutës së Shqipërisë në 2007 për anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo atyre të vitit 2008, pas kompromisit RamaBerisha për sistemin zgjedhor dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës me shumicë të thjeshtë parlamentare. Sipas Abdiut, kur politika vijon të ketë tendenca për ndërhyrje të tjera në Kushtetutë, është detyrim i Gjykatës Kushtetuese të jetë garante e Kushtetutës.

Nga prof. as. dr. FEHMI ABDIU

Përpjekjet e gjata e të vështira për miratimin e Kushtetutës pas dështimit të referendumit popullor të vitit 1994, u kurorëzuan me sukses në atë të datës 21/9/1998. Me hyrjen e saj në fuqi, më 28/11/1998, u plotësua kuadri kushtetues shqiptar me dokumentin më të rëndësishëm që do t’u shërbejë shqiptarëve si udhërrëfyes për problematikat që nxjerr koha për plotësimin e aspiratave për t’u përfshirë në bashkësinë Europiane.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë promovon vlera demokratike të gjithëpranuara nga vendet perëndimore dhe demokracitë përparimtare. Në të janë sanksionuar parimet e demokracisë kushtetuese si pluralizmi, ndarja e pushteteve, të drejtat e njeriut, shteti i së drejtës etj., që në tërësinë e tyre përbëjnë frymën e saj.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm mbi rolin thelbësor që luan Kushtetuta në ndërtimin dhe transformimin e historisë së një vendi. Falë Kushtetutës, Shqipëria prej vitesh prezantohet si një shtet modern, i vendosur për të ndërtuar shtetin e së drejtës, për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të gjithë qytetarëve të saj, për të garantuar balancimin dhe ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor etj.

Sot, pasi ka kaluar një kohë relativisht jo e shkurtër nga miratimi i saj, mendimi mbizotërues që na kënaq te gjithëve, është se Kushtetuta shqiptare, është një dokument solid me vlera të pakundërshtueshme, e cila i ka shërbyer ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të shtetit shqiptar. Referimet ndaj rëndësisë së garancive kushtetuese, gjithnjë e më shumë po behën pjesë e jetës politike, por edhe e një debati më të avancuar në fushën akademike, e më gjerë, mbi rëndësinë e interpretimit kushtetues, duke e konsideruar atë me të drejtë si një Kushtetutë të “gjallë”, si aktin themeltar të shtetit të së drejtës.

Kushtetuta jonë duhet të trajtohet si një pasuri kombëtare, jo vetëm për faktin se është hartuar dhe miratuar me shumë përpjekje, por gjithashtu se e meriton të trajtohet si kushtetutat e tjera të vendeve demokratike, megjithëse nuk ka të njëjtën histori qindravjeçare si ato. Sigurisht, kjo nuk përjashton evoluimin, pasurimin e saj në të ardhmen me qellim shtimin e vlerave në vite, duke marrë në konsideratë moralin aktual të modernizimit të shoqërisë sonë dhe ndjenjat e qytetarëve.

Në vendet demokratike, Kushtetuta s’mund të ribëhet kollaj nga legjislativi, por ajo mund të përmirësohet me ndryshime të pjesshme apo me shtesa të dispozitave të veçanta, gjithmonë duke pasur si qëllim pasurimin e standardeve bazë të dispozitave themelore e parimore. Pra, ajo duhet të shërbejë si bazë mbi të cilin duhet të ndërtohet vizioni i kohës dhe realizmi modern të bëjë punën e vet. Por, a e kanë pasur këtë qëllim ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës?

Kushtetuta është prekur, ndryshuar deri tani disa herë. Në fillim ajo është prekur me ligjin nr. 9675, datë 13.1.2007 « Për disa ndryshime ne ligjin nr. 8417, date 21.10.1998 » Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë shpallur me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 9591, date 14.1.2007. Me ndryshimet e lartpërmendura u amendua neni 109 i saj, sipas të cilit organet përfaqësuese të njësive vendore zgjidheshin çdo tre vjet dhe u ndryshua që këto zgjedhje të behën për çdo katër vjet. Kjo zgjidhje është pranuar si e drejtë dhe është vlerësuar pozitivisht si nga faktori shqiptar edhe nga faktori ndërkombëtar e sidomos Komisioni i Venecias. Por, i kundërt qe vlerësimi për ndryshimin tjetër, që u bë me ligjin e lartpërmendur në lidhje me një ndryshim për një shtesë për një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky qëndrim me të drejtë u vlerësua si i pakuptimtë, sepse akti themeltar nuk mund të preket për interesa jo të mëdha e për probleme jo shumë të rëndësishme.

Për herë të dytë, Kushtetuta është prekur me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, date 21.10.1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, shpallur me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 9700, date 06.05.2008”. Ky ndryshim që preku disa dispozita u bë krejt papritur e padiskutuar, sepse qe rezultat i një kompromisi jo transparent midis kryesuesve të dy partive kryesore PD dhe PS, si parti opozitare. Ndërsa shumë ndryshime kishin të bënin me sistemin zgjedhor që pranuan shumica e partive politike, shumë të diskutueshme u quajtën ndryshimet që kishin të bënin me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës që në thelb pranuan që në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Veç kësaj, të tilla u quajtën ndryshimet e neneve 104 dhe 105 të Kushtetutës për të drejtën e Kryeministrit për të paraqitur mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave.

Me këto ndryshime u abroguan nenet 153 e 154 të saj, duke pranuar që organizimi dhe funksionimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bëhej në bazë të ligjit për zgjedhjet. Jo pa rëndësi qenë ndryshimet e bëra me ligjin nr. 115 te vitit 2020 të neneve 64 e 68 në lidhje me sistemin zgjedhor qe synonin të ndryshonin aspekte me rëndësi për zgjedhjet.

Pavarësisht nga këto ndryshime që shumë herë kane qenë rrjedhojë e kompromiseve politike të rastësishme, Kushtetuta duhet të mbrohet nga çdo organ kushtetues, publik ose jo, nga çdo organizëm joqeveritar, pse jo dhe nga çdo qytetar i vendit.

Pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe veçanërisht ai gjyqësor janë të ngarkuar me mbrojtjen e Kushtetutës së vendit. Rol të veçantë ka Gjykata Kushtetuese, si garante e Kushtetutës, e cila bën interpretimin përfundimtar të saj, pavarësisht se këtë funksion në veprimtarinë e përditshme, kërkojnë ta bëjnë të tyre organe të tjera.

Me rendësi të madhe dhe me një përgjegjësi të tillë është konsideruar kudo veprimtaria interpretuese e Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese. Pavarësisht mendimeve e opinioneve të veçanta, mendoj se praktika e interpretimit kushtetues mbi disa dispozita të Kushtetutës, i ka shtuar vlera kësaj të fundit dhe ka qartësuar shumë pjesë të saj. Në fillimet e veprimtarisë së vet, nga Gjykata janë pranuar kërkesa për të qartësuar përmbajtjen e një apo të disa normave të saj dhe me kalimin e viteve kjo praktikë ka evoluar me kujdes duke pranuar të ndërhyhej vetëm kur kanë lindur dhe janë mbajtur qëndrime të ndryshme mbi një problem të caktuar. Kështu, duke modifikuar praktikën e saj, ajo është shprehur se “ndodhur para një rasti kur kërkuesi evidenton qëndrime të ndryshme nga Kuvendi i Shqipërisë, me qellim të evitimit të qëndrimeve kontradiktore, e çmon të nevojshme të bëjë interpretimin përfundimtar të pikës 2 të nenit 77 të Kushtetutës”

Teoritë mbi konstitucionalizmin dhe qasjeve të ndryshme të interpretimit kushtetues ofrojnë ide dhe mekanizma për ketë qellim, ku qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese konsiderohen pjesë përbërëse e Kushtetutës, të detyrueshme për çdo institucion apo individ. Fakti që Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa vendime të tilla është një gjë pozitive, por që kurrsesi nuk duhet të keqpërdoret, as nga organet që kanë të drejtë të venë atë në lëvizje dhe as nga vetë kjo gjykatë që vitet e fundit të praktikës me të drejtë ka përqafuar idenë se interpretimi duhet të behet vetëm atëherë kur ekzistojnë qëndrime të ndryshme për një problem konkret, pra kur jemi para situatës se “nuk ekziston një interpretim i vetëm, por më shumë”

Përveç rolit të Gjykatës Kushtetuese, si garantë e Kushtetutës, është e nevojshme të njihet dhe vlerësohej edhe detyrimi i gjykatave të sistemit të zakonshëm gjyqësor në drejtim të kontrollit kushtetues në rrethanat e parashikuara nga neni 145 i Kushtetutës, sipas të cilit: “kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese”. Sa me sipër, gjyqtarët janë aktorë të rëndësishëm për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe kanë përgjegjësinë e madhe për të zbatuar këtë dispozitë gjatë dhënies së drejtësisë. Për këtë arsye, “kontrolli i kushtetutshmërisë në këtë proces konsiderohet si operacion intelektual që konsiston në ballafaqimin e një norme me Kushtetutën.

Përveç këtyre, mendoj që është shumë e rëndësishme  që idetë e Kushtetutës të zbatohen në mënyre vullnetare e të ndërgjegjshme, sepse Kushtetuta është një dokument i gjallë që merr jetë nga zbatimi apo interpretimet e të gjitha subjekteve që kanë detyrë ta zbatojnë atë. Asnjë organ kushtetues e shtetëror nuk duhet të tolerojë asnjë shkelje të Kushtetutës apo ligjeve të vendit veçanërisht kur kjo ndodh nga ato organe kushtetuese të ngarkuara me zbatimin e tyre, që herë-herë konsiderohet si proces “normal” i tranzicionit tonë demokratik.

Duke e trajtuar Kushtetutën “një libër të shenjtë” në përpjekjet tona të përbashkëta për forcimin e shtetit të së drejtës, mendoj se çdo përvjetor i saj krijon një përvojë dhe një mundësi më tepër në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e demokracisë në vend. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë, veçanërisht për ne juristët të përkujtojmë si sot ditëlindjen e Kushtetutës dhe problematikat e zbatimit apo interpretimit të saj. Për fat të keq, për ketë ngjarje të rëndësishme që ka të bëjë me këtë dokument themelor, nuk ekziston vlerësimi i duhur, sepse ndër vite në vendin tonë nuk zhvillohen aktivitete që të kujtojnë këtë ngjarje.

Titulli i autorit: “Kushtetuta – Dokumenti themelor i shtetit të së drejtës”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.