“Isha me pushime kur u kalua tenderi”- Anëtarja e Komisionit dëshmon për aferën e Inceneratorëve: Më hoqën fletët nga dokumentet që dërgova te…









Skandali i aferës korruptive në inceneratorin e Fierit është kontestuar herët nga anëtarja e Komisionit të Koncesioneve, Armida Ali.

Në mbledhjet e realizuara në Këshillin Bashkiak të Fierit si dhe në praktikat që janë ndjekur për të gjitha procedurat e nevojshme për ngritjen e impiantit, që nga dokumentet për marrjen e tokës deri te firma fituese, janë gjetur shkelje. Duke iu referuar hetimeve të SPAK, GJKKO ka fiksuar në dosjen e zbardhur të hetimit të kësaj afere se bëhet fjalë për falsifikimeve dhe marrje vendimesh në kohën kur anëtarja e komisionit ka qenë me leje e zakonshme. Alia, para se sa të ikte me leje, kishte nisur një email zyrtar, në të cilin ajo kishte fiksuar kërkesat dhe kundërshtitë e projektit, ndërkohë prokuroria jo vetëm që ka sekuestruar të gjitha shkresat e saj, por edhe e ka marrë në pyetje, ku ka treguar se ajo e ka marrë lejen e zakonshme në datën 4 deri me 18 korrik të vitit 2016, ndërsa rezulton se dokumentet standarde të tenderit janë ngarkuar në sistem në datën 12 korrik 2016, nga llogaria elektronike e shtetasit Pëllumb Abeshi. Më poshtë sjellim pjesë nga procedimi nr. 187 i vitit 2020 që lidhet vetëm me inceneratorin e Fierit.

VENDIMI I GJYKATËS

“…Duke qene se është i njëjti fakt penal që po hetohet në kuadër të hetimeve të ‘procedimit penal nr. 187 të vitit 2020, konform nenit 79 germa ‘b’ të Kodit të Procedurës Penale, me datë 08.03.2022, është vendosur bashkimi i procedimeve penale, në një procedim penal të vetëm, me nr. 187 të vitit 2020. Nga aktet e administruara ka rezultuar se Bashkia Fier, me shkresën nr.2456 prot., datë 27 07.2015, i ka propozuar për miratim Këshillit të Bashkisë Fier projektvendimin datë 27.07.2015, për të filluar hartimin e një plani vendor për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta urbane për territorin që ka nën juridiksion, në përputhje me planin rajonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Këshilli i Bashkisë Fier, me vendimin nr. 15, datë 27.07.2015, ka vendosur të autorizojë ekzekutivin për të filluar hartimin e një plani vendor për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta urbane, për të negociuar me subjekte shtetërore ose private për përzgjedhjen e një venddepozitimi të ri, për të negociuar me qeverinë shqiptare dhe partnerë të huaj ose vendas për sigurimin e burimeve financiare për realizmin e këtij qëllimi. Si dhe është autorizuar ekzekutivi i Bashkisë Fier për të negociuar me subjekte shtetërore ose private për përzgjedhjen e një venddepozitimi të ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane për Bashkinë Fier. Ky projektvendim është shoqëruar me dokumentacionin tjetër, informacionin mbi domosdoshmërinë e mbylljes se venddepozitimit aktual të mbetjeve të ngurta urbane të Bashkisë Fier, herë nga Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Publike në Bashkinë Fier, Gazmira Plasati.

Me vendimin nr.15, date 27.07.2015, Këshilli i Bashkisë Fier, me propozim të ekzekutivit të Bashkisë Fier ka vendosur të autorizojë ekzekutivin e Bashkisë Fier për të filluar hartimin e një plani vendor për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta urbane. Me shkresën nr.2446/1 prot., datë 27.07.2015, Këshilli i Bashkisë Fier, ndër të tjera, i ka dërguar për miratim prefektit të Qarkut Fier edhe vendimin nr.15, date 27.07.2015!

Sipas procesverbalit të mbledhjes se Këshillit të Bashkisë Fier, datë 27.07.2015, në këtë mbledhje ka marrë pjesë dhe ka diskutuar edhe vetë Kryetari i Bashkisë, Armando Subashi. Me shkresën nr.986/ 1 prot., datë 28.07.2015, prefekti i Qarkut Fier ka konfirmuar se vendimi nr.15, date 27.07.2015, është ne përputhje me ligjin nr.8652, datë 3l.07.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore’, i ndryshuar, si dhe në zbatim të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’.

Këshilli i Bashkisë Fier, me vendimin nr.40, datë 26.10.2015, referuar situatës problematike të krijuar si pasojë e mungesës së venddepozitimit të përshtatshëm për grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve urbane të qytetit Fier, si dhe vendimit të datës 05.02.2014 të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve ‘Për shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe marrjen e masave të nevojshme për rehabilitimin e cilësisë së mjedisit’, me propozim të Kryetarit të Bashkisë Fier, ka vendosur shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në qytetin Fier, duke përcaktuar që të hartohet dhe realizohet zgjidhja më e mirë teknike e nevojshme për përmirësimin e situatës së krijuar nga strukturat përkatëse të Bashkisë Fier në sipërfaqen e evidentuar në Njësinë Administrative Portëz, Fshati Plyk, Zona Kadastrale 3000, Ngastra 8 dhe Ngastra 6. Në këtë vendim është ngarkuar kryetari për kryerjen e të gjitha procedurave përkatëse për zbatimin e këtij vendimi pranë të gjitha institucioneve qendrore të konsideruara të nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.

Me urdhrin nr.751, datë 25.11.2015, të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, është ngritur komisioni për dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat me objekt “Ndërtimin dhe administrimin impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier, me përbërje, kryetari, përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit, anëtarët e tjerë, një përfaqësues nga Ministria e Energjisë, dy përfaqësues nga Mjedisi, një përfaqësues nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) dhe dy përfaqësues nga bashkia Fier. Në këtë urdhër komisioni është ngarkuar për kryerjen e veprimeve për dhënien me koncesion/partneritet publik provat për këtë objekt që konsistojnë në studimin e fizibilitetit dhe një mori detyrash të tjera. Ky urdhër mban nënshkrimin e ministrit Lefter Koka, miratues dhe konfirmues janë B.Karoli, A. Thoma, V. Ballgjini dhe Alqi Bllako.

MBLEDHJET

Pas një sërë shkresash dhe urdhrash për zbatimin e urdhrit të ministrit të firmosura nga Bllako, është kërkuar që komisioni të mblidhej dhe të diskutoheshin detyrat. Në mbledhjen e parë është diskutuar rreth shqyrtimit të kërkesës së shoqërisë “Building Construction & Green Energy” sh.p.k, për projektin. Janë lënë si detyrë që anëtaret e Komisionit të paraqisnin komentet e tyre, me qellim hartimin e një studimi të plotë fizibiliteti, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nga shoqëria, sa do të jetë vlera e bonusit që do t’i jepet shoqërisë, që më pas të vazhdohet edhe me përgatitjen e dokumentacionit të bonusit.

Po ashtu, në këtë procesverbal përshkruhet se meqenëse Bashkia Fier do të veje në dispozicion të projektit tokën dhe mbetjet, u la si detyrë që përfaqësuesit e Bashkisë do t’i vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës që vërteton vënien e tokës në dispozicion. Në këtë mbledhje, nuk ka marrë pjesë anëtarja e Komisionit Etleva Kondi (Drejtoreshë e Koncesioneve MEI). Sipas procesverbalit nr.2, datë 29.12.2015, është bërë mbledhja e dytë e Komisionit, ku përshkruhet se kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë, Klodian Zoto dhe Elidiana Shehu, këta të fundit kanë prezantuar projektin. Komisioni ka vendosur që të dërgohet nga Ministria e Mjedisit kërkesa për miratim paraprak pranë Ministrisë së Financave, meqenëse projekti është me mbështetje financiare.

Sipas procesverbalit nr.3, date 12.01.2016, është bërë mbledhja e tretë e Komisionit, ku përshkruhet se nuk ka marrë pjesë vetëm njëri prej anëtarëve, Etleva Kondi, si dhe është propozuar dhënia e bonusit prej 10 pikë shoqërisë.

Sipas procesverbalit nr.4, datë 09.05.2016, është bërë mbledhja e katërt e Komisionit, ku përshkruhet se kanë marrë pjesë të gjithë anëtaret e Komisionit. Në këtë procesverbal përshkruhet se në takim u diskutuan çështjet përfundimtare në lidhje me studimin e fizibilitetit të projektit, draft kontratën e koncesionit, draftdokumentet standarde të koncesionit dhe studimin e thelluar financiar të projektit.

Gjithashtu, anëtarët e komisionit u njohën edhe me VKM përkatëse. Në këtë mbledhje, Komisioni ka vendosur të miratojë studimin e fizibilitetit të projektit, draft-kontratën e koncesionit dhe draft-dokumentet standarde të koncesionit, si dhe studimin e thelluar financiar te projektit, si dhe që t’i dërgohet zyrtarisht nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Financave, kërkesa për miratim të dokumenteve të sipërcituara, meqenëse projekti është me mbështetje financiare.

KUNDËRSHTIMI I ANËTARES SË KOMISIONIT

Me datë 18.06.2016, anëtarja e Komisionit Armida Ali ka bërë observacionin e saj para anëtarëve të tjerë, “Mbi dokumentet standarde të procedurës konkurruese, të dhënies me koncesion/ partneritet publik privat, të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të mbetjeve urbane në qarkun Fier dhe prodhimin e energjisë.

Në këtë observacion, shtetasja Armida Ali bën me dije anëtarët e tjerë se: “Në datë 07.07.2016 jam njoftuar përmes email-it për dhënien e sugjerimeve mbi draftin e dokumenteve, kohë kjo e cila përkon me lejen time të zakonshme. Në vijim nuk kam marrë asnjë njoftim, qoftë për takimin e radhës, qoftë për publikimin e tyre. Për rrjedhojë, në faqen e APP-së jam njohur personalisht me dokumentet e publikuara dhe kam konstatuar mangësitë që përshkruhen në dy fletë”.

E pyetur për këtë fakt, shtetasja Armida Ali ka deklaruar se te dokumenti i administruar “Observacioni i saj i datës 29.08.2016”, mungojnë fletët e plota të këtij observacioni, pasi ajo ka përshkruar edhe argumentet kundërshtues të gjetjes së saj, si dhe ua ka bërë të ditur me email-in e saj zyrtar, të datës 25.08.2016. Në lidhje me këtë fakt, është bërë këqyrje dhe marrje e komunikimeve elektronike të adresës zyrtare të Armida Ali, e cila me datë 25.08.2016, ora 15:09, ajo iu ka nisur anëtarëve të tjerë të Komisionit, observacion mbi dokumentet standarde të procedurës konkurruese për inceneratorin Fier”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.