Ishte kompetencë e Presidentit, betimi i shtetasve të rinj u kalon bashkive






Pas dekretit për fitim të shtetësisë shqiptare, ndryshimet në ligj, kanë kaluar në kompetencë të bashkive betimin e shtetasve të rinj të Republikës së Shqipërisë.

9c220391-ae1a-44c9-b658-5149383ccdc5-1

Kjo kompetencë i është hequr institucionit të presidencës, duke kaluar në dorë të njësive të qeverisjes vendore dhe krerëve të tyre. Petrit Krasniqi nga Prishtina, Përparim Sina nga Gjakova dhe Mustafa Ali Gezen, i cili ka lënë Turqinë për të jetuar në Shqipëri, u betuan dje përpara kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.

Në ceremoninë e betimit për fitimin e shtetësisë shqiptare, kryebashkiaku Veliaj tha se, ky është hapi i fundit i një maratone institucionale, por dhe hapi i parë i një kapitulli të ri për të lidhur fatet e njëri-tjetrit, si qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë lexoi formulën e betimit për 3 shtetasit që kanë fituar shtetësinë shqiptare, të cilët më pas nënshkruan edhe aktin e betimit.

“Ligji i ri kërkon nga sot, që të jetë kryetari i Bashkisë autoriteti në të cilin bëjnë betimin shtetasit e rinj të Republikës së Shqipërisë. Edhe pse tingëllon shumë formale, në thelb është një moment shumë kuptimplotë dhe domethënës, ku ajo që sot na bashkon në këtë ambient nuk është gjuha, as feja, as kombësia dhe as origjina nga kemi ardhur, por drejtimi nga do të lëvizim të gjithë së bashku nga tani e tutje, një drejtim që lidhet mbi një ideal të cilin shqiptarët e skalitën kaq bukur në faqen e parë të Kushtetutës.

Bashkimi nën këtë ideal, nuk është vetëm një gjë e mirëqenë e përbashkët, por edhe një përgjegjësi individuale për secilin, për t’i ruajtur dhe kultivuar këto parime kushtetuese dhe vlera demokratike si një kurorë që garanton lirinë dhe forcën për të avancuar përpara si shoqëri shqiptare. Vullneti dhe dëshira juaj për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi e dëshmon më së miri këtë.

Ndaj, sipas kompetencave që më janë dhënë nga ligji, sot kam kënaqësinë dhe privilegjin për t’ju kërkuar besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se, për të gjithë ata që sot aspirojnë të bëhen shtetas shqiptarë është shumë e rëndësishme të kuptojnë historinë nga kemi ardhur si shoqëri, si dhe në çfarë kushtesh të vështira dhe sakrificash është krijuar dhe ka avancuar shteti modern shqiptar.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *