12:22 17/05/2023
Mbi 13 mijë të evakuuar nga moti i keq
Këto janë pasojat e përmbytjeve katastrofike që solli një valë e motit të keq në Italinë qendrore dhe veriore, duke prekur 24 komunat. E goditur më rëndë është rajoni i Emilia Romanjës, ku deri më tani përllogariten 9 viktima dhe disa të zhdukur.
Viktima pati në Çezena dhe Ravena. Disa prej tyre u gjetën në katet e para të banesave të përmbytura, të tjerë, në automjetet e gjendur mes vërshimeve të ujërave.
Autoritetet evakuuan të paktën mbi 13 mijë banorë gjithsej në Çezena, Ravena dhe Bolonja, të cilët mbetën të pastrehë. Të 21 lumenjtë dolën nga shtrati në rajonin e Emilia Romanjës. Banorët thanë se ujërat vërshuan aq shpejtë sa për pak minuta mbushën katet e para. Vërshimet mbërritën deri në qendër të Bolonjës.
Moti i keq dhe përmbytjet dëmtuan rëndë edhe linjat elektrike, duke lënë pa energji 50 mijë banorë.
Tv Klan