
14:00 30/12/2022
Gjysma e vizitorëve rezultojnë pozitivë me virusin
Të gjithë shtetasit kinezë që mbërrijnë në Itali me avion do i nënshtrohen testeve në aeroporte që zbulojnë nëse janë të infektuar me Covid, në të gjithë aeroportet italiane.
Masa u vendos nga qeveria italiane pas një prove të kryer për disa ditë në aeroportin Malpensa të Milanos, ku të gjithë pasagjerët nga Kina iu nënshtruan testeve anti-Covid. Testimet zbuluan se gjysma e tyre ishin të infektuar aktivë me koronavirus.
Tamponët po iu nënshtrohen analizave të detajuara për të zbuluar ndonjë mutacion të ri që mund të shkaktojë një valë të re përhapjeje të koronavirusit nëpër Europë.
Në varësi të rrezikut mund të riaplikohen masa të reja kufizuese nëpër aeroporte. Italia u kërkoi edhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian të kryejnë testime masive për pasagjerët kinezë.
Vende si Gjermania, Franca dhe Austria janë kundër tamponëve pasi shpresojnë që me rikthimin e turistëve kinezë të rigjallërohet sektori i turizmit dhe i transportit ajror, pos 2 viteve të vështira të pandemisë.
Kinezët janë dyndur për të prenotuar fluturime jashtë vendit pasi prej 8 Janarit nuk do të ketë më karantinë 3 javore për ata që rikthehen në vend.
Tv Klan