
12:56 17/08/2022
Një arrestim i pazakontë ka ndodhur në Georgia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një djalë i ri 24-vjeçar lajmëroi policinë pasi ishte i pakënaqur me shërbimin në McDonald’s.
Antoine Sims njoftoi policinë duke iu ankuar se në fast-food i kishin shërbyer patatet të ftohta. Përpara kësaj, ai i ishte ankuar edhe stafit të McDonald’s.
Pas telefonatës policia shkoi në vendngjarje. Por teksa oficeri po afrohej, 24-vjeçari qëndronte në distancë edhe pse i lajmëroi vetë. Më pas dalëngadalë filloi të largohej duke u thënë policëve se kishte frikë prej tyre.
Një ndjekje në këmbë ndodhi në parkingun e McDonald’s në përpjekje për të kapur 24-vjeçarin. Pas verifikimit ai u arrestua pasi rezultonte të ishte person në kërkim si i dyshuar për një vrasje.
Në vitin 2018, Antoine Sims dhe dy persona të tjerë akuzohen se i vendosën zjarrin një makine brenda së cilës ndodhej trupi i një gruaje. Sims u akuzua për vrasjen e gruas në atë kohë, pasi dyshohet se viktima kishte shkuar në apartamentin e Sims për të blerë drogë.
“Është shumë e pazakontë që dikush i cili e di se kërkohet nga policia të thërrasë policinë, por Sims e bëri këtë”, tha një zëdhënës i policisë. /tvklan.al