Iu bë atentat me armë zjarri, zëvendëskryeministri i Sllovakisë: Për momentin jeta e kryeministrit Fico nuk është në rrezik

iu be atentat me arme zjarri zevendeskryeministri i sllovakise per momentin jeta e kryeministrit fico nuk eshte ne rrezik
iu be atentat me arme zjarri zevendeskryeministri i sllovakise per momentin jeta e kryeministrit fico nuk eshte ne rrezik

Udhëheqësi 59-vjeçar pro-rus, njoftohet se është në gjendje të rëndë. Ministri i Brendshëm tha se udhëheqësi sllovak ishte në rrezik për jetën dhe ndodhej në sallën e operacionit. Ai tha se organet e rendit dyshojnë se kryeministri u qëllua për arsye politike me pesë të shtëna.

Sulmi ndodhi pranë Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova. Kryeministri po takohej me mbështetësit e tij në qytetin që gjendet rreth 140 kilometra në verilindje të kryeqytetit. Presidentja e Sllovakisë tha se është ndaluar një i dyshuar për sulmin. Fico u dërgua në spital me helikopter.

Fico ka qenë prej kohësh një figurë përçarëse në Sllovaki dhe më gjerë. Por kthimi i tij në pushtet vitin e kaluar, me një mesazh pro-rus dhe anti-amerikan, shkaktoi shqetësime edhe më të thella mes Bashkimit Evropian, se ai do ta largonte edhe më tej Sllovakinë nga linja perëndimore.

Pas ardhjes në pushtet për herë të tretë, qeveria e tij i ndaloi dërgesat e armëve për Ukrainën. Kritikët e tij janë të shqetësuar se ai do ta largojë Sllovakinë, vend anëtar i NATO-s me një popullsi prej 5.4 milionë banorësh, nga kursi i saj properëndimor dhe do të ndiqte rrugën e Hungarisë nën udhëheqjen e kryeministrit populist Viktor Orban.

Mijëra njerëz kanë protestuar në të gjithë Sllovakinë kundër politikave të kryeministrit Fico.

Në një postim në llogarinë e Fico në rrjetin Facebook thuhej se ai ishte dërguar në një spital në Banska Bystrica, 29 kilometra nga qyteti Handlova, për shkak të nevojës për ndërhyrje të menjëhershme dhe se kryeqyteti Bratislava ishte shumë larg.

Të shtënat në Sllovaki ndodhin tre javë përpara zgjedhjeve vendimtare për Parlamentin Evropian, në të cilat partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë në bllokun 27-anëtarësh duket se do të shënojnë përparime.

“Një sulm fizik ndaj kryeministrit, është para së gjithash një sulm ndaj një individi, por është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë”, tha Presidentja në largim Zuzana Caputova, rivale politike e Ficos, gjatë një deklarate televizive. “Çdo lloj dhune është e papranueshme. Retorika e urrejtjes që vërehet në shoqëri çon në veprime urrejtjeje. Ju lutemi, le ta ndalojmë atë”, tha zonja Caputova.

Presidenti i sapo zgjedhur Peter Pellegrini, një aleat i Fico, e quajti sulmin “një kërcënim të paprecedentë për demokracinë sllovake. Nëse shprehim qëndrimet e tjera politike me pistoleta nëpër sheshe dhe jo përmes votës, ne rrezikojmë gjithçka që kemi ndërtuar së bashku gjatë 31 viteve të sovranitetit sllovak”.

Presidenti Joe Biden tha se ishte i alarmuar nga sulmi. “Ne e dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhune”, tha ai përmes një deklarate.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkroi në platformën e mediave sociale X se ishte “i tronditur dhe i tmerruar” nga tentativa për ta vrarë Ficon. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e dënoi atë që ajo e cilësoi si një “sulm të turpshëm”.

“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë të përbashkët më të çmuar”, tha zonja von der Leyen në një postim në rrjetin X.

Fico, kryeministër për herë të tretë dhe partia e tij e majtë Smer, i fituan zgjedhjet parlamentare të 30 shtatorit në Sllovaki. Por politika si zakonisht u la mënjanë pas tronditjes së vendit nga tentativa për vrasjen e kryeministrit Fico. Parlamenti sllovak i shtyu punimet deri në një njoftim të dytë.

Partitë kryesore në opozitë, Sllovakia Progresive dhe Liria dhe Solidariteti, anuluan një protestë të planifikuar kundër një plani të debatueshëm të qeverisë për të reformuar radion dhe televizionin publik. Opozita thotë se kjo do t’i jepte qeverisë kontroll të plotë mbi transmetimet publike.

Udhëheqësi i partisë Sllovakia Progresive, Michal Simecka, e dënoi dhunën. “U bëjmë thirrje të gjithë politikanëve që të përmbahen nga çdo qëndrim dhe hap që mund të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të tensioneve”, tha Simecka.

Kryeministri çek, Petr Fiala, e cilësoi incidentin “tronditës”, ndërsa uroi shërimin sa më të shpejt të kryeministrit. Ai tha se dhuna nuk duhet toleruar dhe se për të nuk ka vend në shoqëri. Deri në vitin 1992, Republika Çeke dhe Sllovakia kanë qenë pjesë e Çekosllovakisë./VOA

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts