“Iu sulën Elbasanit me forcën e krimit për të prodhuar vota”, Bardhi: Bandat shërbyen si eskortë të Ramës, morën bekimin e policisë dhe prokurorisë








gazmendbardhi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nga foltorja e Kuvendit Kombëtar të demokratëve tregoi sipas tij, se si u vodh vota në qytetin e Elbasanit nga kryeministri Rama.

Bardhi deklaroi se kreu i qeverisë sëbashku me bandat kriminale, iu sulën Elbasanit për të prodhuar vota, duke iu referuar kështu rasteve të denoncuara nga demokratët.

Sipas Bardhit, bandat kriminale morën bekimin e policisë dhe të prokurorisë për t’i shërbyer Ramës dhe kthyen në eskortë të tij.

“Makineria e manipulimit të votës ka qënë në marshin maksimal dhe nuk është ndalur në asnjë çast. Duke e ditur mirë se nuk kishte simpatinë, por përbuzjen e qytetarëve të Elbasanit, në secilën prej 7 bashkive, u sulën me gjithë fuqinë e pushtetit, të bashkive, të drejtorive, me forcën e bandës, me lejen e bekimin e policisë dhe prokurorisë atje, për të prodhuar vota. Kriminelët më famkeq të Elbasanit kishte aq shumë mbështetje politike dhe nga zyrat e shtetit e nga policia, sa shërbeu edhe si eskortë personale sigurie për Edi Ramën, kur ai u shfaq në një nga ato turet sa për fasadë, pasi bilanc nuk kishte për 8 vitet e qeverisjes, e aq më pak program për të ardhmen” – tha Bardhi.

Sekretari i PD-së thotë se demokratët nuk u surprizuan nga kjo situatë pasi nuk e besojnë që Rama do të lejonte shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve.

FJALIMI I PLOTË I GAZMEND BARDHIT

Të dashur miq, demokratë, delegatë Zonja dhe zotërinj,Jemi mbledhur në këtë Kuvend, në një moment të vështirë për vendin. Në një moment udhëkryqi. Kriza që shqiptarët jetuan për 8 vite me dukuritë më të këqija të një qeverisje, ka shtrirë tentakulat edhe më shumë, me tendencën për të asfiksuar totalisht vendin.

25 prilli ishte takimi i shqiptarëve me zgjidhjen, me rrugën e daljes nga kriza e shumëfishtë. Masivisht qytetarët ishin të bindur për nevojën për ndryshim.Por, ndryshimi u pengua, nuk u lejua të ndodhte. U ndalua me forcë, dhe pasojat po i vuan dhe do t’i vuajë vendi, pasi është e njëjta gjë si të stoposh qarkullimin e gjakut në një organizëm, freskimin e tij, kjo kur nuk ka asnjë rrugë tjetër për t’i shpëtuar dhimbjes e lëngatës.

Kjo mazhorancë ka humbur çdo aftësi, vullnet dhe dëshirë për të shërbyer. Ajo është e kalbur në thelbin e saj, e zhytur në kënetën e madhe të abuzimit e hajdutërisë. Po gjithkush e di, se një shumicë e tillë e korruptuar, e ka mundësinë, i ka instrumentat, forcën dhe mjetet, për të ndalur zgjedhjen e lirë të qytetarëve.Siç edhe bëri me 25 prill.
Vendosja e çdo zyre shtetërore, çdo aseti publik në shërbim të kapjes së votës, organizimi i bandave dhe krimit në këtë funksion, presionet skandaloze ndaj administratës, hedhja e miliona eurove të pisëta në çdo qark, prodhuan përbindëshin që kemi sot në krye.
Shihni lajmet e përditshme.

Rastet e kapura nga SPAK, janë sigurisht një pjesë e vogël e zullumit. Kërkojnë para dhe bëjnë plaçkë kudo, në çdo mundësi që kanë. Eshtë stili i tyre i jetës, është mentaliteti, idetë që kanë në kokë. Nuk bejnë dot ndryshe. Këtë mal abuzimi, me tendera të fiksuar, me shitje të vendeve të punës, me qokat me naftën e fermerëve, përfytyrojeni të gjithën me miliardat që nxjerr, në funksion të makinerisë së blerjes së votës.
Kjo ka ndodhur edhe me 25 prill.

Edi Rama është tashmë një armik i konsoliduar, i shpallur, i konfirmuar i votës dhe i zgjedhjeve.Dhe me precedent të theksuar kriminal në këtë drejtim. Çfarë ishin dosja 339, dhe 184. Ishin saktësisht historia, provat, dëshmia se si ndërhyrja kapilare e shtetit të bërë bashkë me krimin, arrijnë të prodhojnë një rezultat spektakolar zgjedhor në një Bashki apo në një Qark. 184 dhe 339-ta kanë ndodhur me 25 prill masivisht kudo.
Makineria e manipulimit të votës ka qënë në marshin maksimal dhe nuk është ndalur në asnjë çast. Duke e ditur mirë se nuk kishte simpatinë, por përbuzjen e qytetarëve të Elbasanit, në secilën prej 7 bashkive, u sulën me gjithë fuqinë e pushtetit, të bashkive, të drejtorive, me forcën e bandës, me lejen e bekimin e policisë dhe prokurorisë atje, për të prodhuar vota.

Rezultati i 25 prillit nuk ka asnjë lidhje me vullnetin e lirë, me atë që njerëzit mendojnë, me atë që ata shprehin. Ne kemi bërë dhjetra denoncime, me prova e dëshmi konkrete, edhe në Elbasan, se si ishin orkestruar shtet dhe krim bashkë për të shantazhuar, kërcënuar, ndikuar, blerë e dhunuar votën e qytetarëve. Kriminelët më famkeq të Elbasanit kishte aq shumë mbështetje politike dhe nga zyrat e shtetit e nga policia, sa shërbeu edhe si eskortë personale sigurie për Edi Ramën, kur ai u shfaq në një nga ato turet sa për fasadë, pasi bilanc nuk kishte për 8 vitet e qeverisjes, e aq më pak program për të ardhmen. A ishte kjo situatë një surprizë, një befasi për ne?

Nuk besoj se ndokush në këtë sallë, dhe jashtë saj, mendonte një ditë të vetme se Rama ishte korigjuar dhe do të lejonte shprehjen e lirë të vulllnetit të qytetarëve. Po ne bëmë gjithçka mundëm për të ofruar garanci për votën. Qe nga infrastruktura, ndryshimet në kod, e deri tek ndërgjegjësimi si asnjëherë tjetër më parë i miqve ndërkombëtarë, të cilët e vendosën në rezoluta e në dokumenta, ndëshkimin e krimit zgjedhor, dhe votën e lirë, si kusht për integrimin. Ne patëm vigjilencë dhe ndërhymë me mundësitë tona për të parandaluar rastet. Por ne e dimë mjaft mirë, se për të lejuar qytetarët të votojnë të lirë, nuk mjaftojnë masat, duhet vullnet politik. I vetmi vullnet politik që ka manifestuar kundërshtari ynë politik në gjithë zgjedhjet që kemi kaluar me atë në pushtet, është vullneti për të vjedhur votën, vullneti për të realizuar masakër elektorale.

Ne po ashtu patëm një program të plotë që adresonte gjithë problemet e vendit dhe ofronte zgjidhje. Angazhimet tona kishin në qendër rininë, familjen, dhe fermerët, dhe ishin kombinime masash që do të nxirrnin nga varfëria të pamundurit, e do të krijonin kushte për ecje përpara, për mirëqënie për secilin, dhe po ashtu, atmosferën dhe rrethanat e duhura për sipërmarrjen e për të bërë biznes. Ne synuam të kemi një qeverisje që shërben dhe u gjendet njerëzve në krah, e jo shtypëse, penalizuese për njerëzit dhe favorizuese të një grushti pasanikësh, siç është sot. Të dashur miq!  E di mirë se 25 prilli ka mërzitur demokratët, dhe mbarë shqiptarët. Dëshpërimi është ajo çfarë Edi Rama me të tijtë dëshiron. Dëshpërimi nuk sjell zgjidhje, është vetëm humusi i duhur për regjimin që kemi në krye. Ku ata që nuk janë dakort, që kontestojnë, që kritikojnë, të ndihen gjithnjë e më shumë të sulmuar e në armiqësi, e të mendojnë të ikin.

Ne demokratët më shumë se kurrë kemi sot detyrën ta shpëtojmë vendin nga kjo katastrofë. Nëse ne dorëzohemi, nuk ka më asnjë shpresë. Projekti ynë, jo vetëm i ka mbijetuar 25 prillit, por është sot më aktual e më i nevojshëm se kurrë. Edi Rama e vrau votën po nuk ja doli ta rrëzojë, ta mbysë idenë, alternativën tonë, për demokracinë, për votën e lirë, për planin ekonomik që ofron zgjidhje, për integrimin europian. Ne duhet të mbajmë gjallë shpresën se ndryshimi do të vijë. U ndalua me forcë, përkohësisht, por është i pashmangshëm, sepse ka të bëjë direkt me jetën dhe aspiratën e qytetarëve.

Duke nisur me këtë Kuvend, e në betejat e përditshme politike që do të bëjmë, ne do të inkurajojmë kudo e kurdo çdo energji të shoqërisë për t’u bashkuar në luftën e pandalshme, për shembjen e regjimit dhe për kthimin e Shqipërisë sonë të dashur në normalitet. Në çdo ambjent ku ne jemi, duhet të përcjellim mesazhin se Shqipëria do të bëhet, ne do ta bëjmë. Nuk do të mund të shkojë kurrë deri në fund pjella e një maskarade elektorale dhe kriminale. Eshtë sfida jonë që jo vetëm të mos gjunjëzohemi, por të rritemi përditë e më shumë. Duke hapur mendjen, zemrat, dyert për shoqërinë. Ne jemi e vetmja shpresë, e vetmja shtëpi e atyre që duan një Shqipëri europiane, të zhvilluar, që ofron shanse e mundësi për të gjithë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *