“Izolimi duke mohuar liberalizimin e vizave, i padrejtë”, Xhaçka: Mbështesim aspiratat e Kosovës për integrim Euroatlantik

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologen e saj, Donika Gërvalla deklaroi se shqiptarët sot janë një faktor i rëndësishëm stabiliteti, garantë të paqes e stabilitetit në rajon.

Nga Kosova, Xhaçka pohoi se Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjithë këtë rrugëtim. Po ashtu ministrja tha se heqja e kontrolleve kufitare gjatë fundjavave në kufirin Shqipëri-Kosovë, ka sjellë një rritje të qarkullimit të mjeteve dhe udhëtarëve.

Duke u ndalur te çështja e liberalizimit të vizave, Xhaçka tha se izolimi që i është bërë këtij shteti është i padrejtë dhe i pakuptueshëm.

FJALA E XHACKES
Më së pari falënderoj Ministren Gërvalla për mikpritjen, si dhe diskutimet e hapura dhe të sinqerta që patëm mes nesh.

Për mua është një kënaqësi e veçantë që ndodhem në Prishtinë, aq më tepër që vizita bëhet në një moment mjaft kuptimplotë, në prag të 110 vjetorit të Pavarësisë. Përveçse një ditë e shënuar për kombin, ky është edhe një moment shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë e kudo tjetër në rajon, për të reflektuar për rrugën e gjatë e të vështirë që ka bërë kombi ynë në këto 110 vjet, për atë çfarë kemi arritur sot që flasim, e për atë që duhet të bëjmë për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë qytetarët tanë. Dhe ky është një diskutim që ne padyshim duhet ta bëjmë së bashku, duke dialoguar e bashkëpunuar ngushtë, si përfaqësues të dy shteteve, por të një kombi, që ndajmë një agjendë të përbashkët interesash kombëtare jetike.

110 vjet më parë, lindi shteti shqiptar. Shqipëria e lirë dhe e pavarur shënoi kulmimin e një përpjekje të gjatë e heroike për të cilën kontribuan shqiptarët e të gjithë trevave. Por ky moment shënoi njëkohësisht edhe fillimi e mundimshëm e tragjik për vëllezërit tanë që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Ishte një periudhë ku u vu realisht në pikëpyetje ekzistenca e kombit tonë.

110 vjet më vonë, ne kemi një situatë të transformuar rrënjësisht të shqiptarëve në rajonin tonë. Kemi Shqipërinë e Kosovën, por kemi edhe një progres të jashtëzakonshëm të shqiptarëve kudo në rajon, për sa i përket të drejtave të tyre. Shqiptarët sot janë një faktor i rëndësishëm stabiliteti, garantë të paqes e stabilitetit në rajon dhe të perspektivës euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor.

Është bërë shumë progres por ka ende edhe shumë punë për të bërë dhe është kjo arsyeja përse Shqipëria dhe Kosova janë dakordësuar për të punuar së bashku për mbrojtjen dhe afirmimin e interesave kombëtare, ku një vëmendje e veçantë i kushtohet interesave të bashkëkombësve tanë në Luginën e Preshevës duke vënë theksin në nevojën e mbështetjes më tej të projekteve të përbashkëta.

Por padyshim, çështja më e rëndësishme në këtë kontekst, është mbështetja e Dialogut Kosovë – Serbi dhe arritja eventuale e një marrëveshje të detyrueshme ligjore, që sjell njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve dhe i hap rrugë anëtarësimit në Kosovës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Arritja e kësaj marrëveshje është padyshim një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin.

Unë dua të përgëzoj edhe publikisht Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes para dy ditësh, që jo vetëm ndihmon në uljen e tensioneve, por edhe krijon kushte shumë më të përshtatshme për t’u fokusuar me urgjencë, me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e aleatëve tanë europianë dhe amerikanë, tek arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. E padyshim me mbështetjen e pakufizuar të Shqipërisë në çdo hap të këtij procesi.

Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjithë këtë rrugëtim, sepse siç e preka më lart, për ne ky është një interes kombëtar. Ne mbështesim aspiratat e Kosovës për integrim Euroatlantik, duke qenë pro-aktivë për forcimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën Atlantike, mbështesim të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për transformimin gradual të Forcave të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur. Mirëpresim synimin e Kosovës për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe duke ofruar për këtë edhe ekspertizën tonë. Ndërkohë që do të vazhdojmë të këmbëngulim për anëtarësimin e Kosovës në iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut (A5).

Në bashkëpunim shumë të ngushtë, jemi gjithashtu të angazhuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe në kuadër të Këshillit të Evropës, është në të drejtën tonë të kërkojmë që zëri dhe shqetësimi ynë lidhur me akuzat e pretenduara në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 për trafik organesh, të merren në konsideratë seriozisht nga Asambleja Parlamentare dhe është në nderin e Asamblesë Parlamentare që të vërë në vend këtë padrejtësi, pas hetimeve të thelluara ku nuk u provua dhe nuk përmendet në asnjë rresht trafiku i organeve.

Në vijimësi Shqipëria ka ngritur zërin në mbështetje të Kosovës, në çdo forum ndërkombëtar, përfshirë në Këshillin e Sigurimit, ku kemi ngulmuar që Kosova nuk është më një çështje që duhet të përfshihet në punën e Këshillit, që raportimet duhet të reduktohen një herë në vit dhe UNMIK ka humbur rolin që ka patur dhe mandati dhe aktiviteti i tij duhet të reduktohen.

Unë nuk dua të zgjatem duke listuar veprimet që ka ndërmarrë Shqipëria për të mbështetur Kosovën. Por dua të ndaj me ju një fakt nga puna e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë: në përgatitje të çdo takimi, çdo vizite, çdo qëndrimi që do të mbajë Shqipëria për një çështje të caktuar, pyetja e parë që shtrohet është si e ndihmon kjo Kosovën? Çfarë mund të bëjmë më shumë për Kosovën?

Sigurisht, që ka çështje për të cilat ndajmë qëndrime të ndryshme. Kjo është më se normale. Por në çdo rast, Kosova, mbështetja e saj, interesi i saj, është për ne një prioritet absolut për të cilin punojmë me po atë pasion e përkushtim si edhe për Shqipërinë.

Me kolegen patëm po ashtu mundësi të diskutojmë edhe për një sërë çështjesh konkrete duke filluar me zbatimin e detyrave të lëna nga takimi i dy Kryeministrave Rama dhe Kurti në Prishtinë, më 20 qershor, si dhe në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive që janë zhvilluar deri më tani.

U angazhuam për zbatimin e plotë të marrëveshjes midis dy ministrive të jashtme mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme nëpërmjet harmonizimit të veprimeve dhe aksioneve të diplomacisë për arritjen e objektivave strategjike kombëtarë.

Besoj që kemi dakordësi për shtimin e përfaqësimit të përbashkët në misione apo blerjen e godinave të përbashkëta, ku duhet ndërmarrë dhe hapi i krijimit të një grupi të përbashkët pune për racionalizimin e shpenzimeve dhe burimeve njerëzore por edhe për intensifikimin e bashkëpunimit. Diskutuam për përfundimin e projekteve të përbashkëta për Konsullatat në Strugë dhe Ulqin.

Diskutuam për koordinimin në kuadër të diplomacisë ekonomike ku vlerësohen hapat e ndërmarrë në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar në funksion të nxitjes së shkëmbimeve tregtare. Heqja e kontrolleve kufitare gjatë fundjavave në kufirin Shqipëri-Kosovë, ka sjellë një rritje të qarkullimit të mjeteve dhe udhëtarëve. Po ashtu, operimi i zyrës doganore të Kosovës në portin e Durrësit, jo vetëm është një risi, por edhe një hap përmbajtësor në integrimin e ekonomive të dy vendeve. Porti i Thatë në Prishtinë dhe ndërlidhja hekurudhore janë projekte madhore që do ndikojnë në bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, por edhe në drejtim të integrimit ekonomik rajonal dhe të trevave shqiptare në rajon.

E padyshim, biseduam edhe për punën që duhet të bëjmë më tej për ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës përmes arsimit dhe përdorimit të gjuhës amtare, si dhe ruajtjes e promovimit të vlerave dhe trashëgimisë kombëtare. Këtë vit mësimor fëmijët në diasporë do të mësojnë me tekstin e unifikuar çka është padyshim një arritje.

Së fundi, dy fjalë lidhur me një çështje që me të drejtë i pikëllon jo vetëm shqiptarët këtu në Kosovë, por edhe vëllezërit e tyre në Shqipëri. E kam fjalën për çështjen e vizave, e cila duket se më në fund po merr një zgjidhje. Unë dua ta theksoj që izolimi që i është bërë Kosovës duke i mohuar liberalizimin e vizave është i padrejtë dhe i pakuptueshëm. Nuk ka asnjë justifikim për ta zvarritur më tej këtë çështje dhe për të mbajtur pezull këtë situatë absurde.

Unë dua të garantoj kolegen, ashtu si edhe publikun e Kosovës që Shqipëria do të bëjë gjithmonë çdo gjë që ka në dorë për të mbështetur Kosovën. Dhe jam e bindur që duke punuar ngushtë së bashku, ne mund të bëjmë shumë për të çuar përpara amanetin e atyre që 110 vjet më parë luftuan për t’ju dhënë shqiptarëve, kudo në rajon, një të ardhme më të mirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb



Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *