
12:20 12/07/2022
Izraelitët kanë treguar edhe njëherë mendimet e tyre të ndara në lidhje me vizitën që do të bëjë kreu i administratës amerikane Joe Biden në rajon. Burime nga media të ndryshme raportojnë se kjo vizitë mund të vendosë bazat për një aleancë sigurie me shtetet arabe që do të lidhë sistemet e mbrojtjes ajrore për të luftuar sulmet me dronë dhe raketa iraniane në Lindjen e Mesme.
Uashingtoni shpreson se më shumë bashkëpunim rajonal i sigurisë mund të hapë rrugën për më shumë marrëveshje normalizimi me Izraelin, i cili vendosi lidhje me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin në vitin 2020. Qëllimi kryesor i Izraelit do të ishte Arabia Saudite, e cila thotë se normalizimi i lidhjeve të veta me do të kishte nevojë për krijimin e një shteti sovran palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Zyrtarët amerikanë thonë se normalizimi izraelito-saudite është ende shumë larg.
“Izraeli dhe vendet arabe presin që Biden të deklarojë pa mëdyshje angazhimin amerikan për të qëndruar në Lindjen e Mesme, për të sponsorizuar një aleancë efektive mbrojtëse, kryesisht kundër terrorizmit, dhunës dhe manipulimeve të Iranit në rajon. Izraeli pret që Biden, të thotë se ai është i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, sa të mira janë marrëdhëniet mes dy shteteve dhe të jetë i suksesshëm në organizimin e asaj aleance mbrojtëse”.
Por të tjerët e shikojnë këtë vizitë me mjaft skepticizëm.
“Unë mendoj se e gjithë kjo ngjarje është politike, është më shumë për popullaritet për kryeministrin e përkohshëm izraelit Lapid. Biden po përpiqet të tregojë se ka ndonjë përfshirje me Izraelin, por nuk mendoj se do të ketë çdo efekt pozitiv dhe rezultat. E vetmja gjë që mund të rregullojë kjo vizitë është që Biden të përpiqet të zgjidhë disa probleme që kemi me palestinezët”.
Zyrtarët izraelitë prezantuan idenë e një sistemi mbrojtës rajonal në një takim të Komandës Qendrore të SHBA-së ku morën pjesë zyrtarë ushtarakë nga Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti në mars. Uashingtoni shpreson se më shumë bashkëpunim do të ndihmonte në integrimin e mëtejshëm të Izraelit në rajon. Shqetësimet e Izraelit për rezultatin e negociatave bërthamore dhe kërcënimet e tij për të ndërmarrë veprime të njëanshme ushtarake kundër Iranit kanë marrë të gjithë vëmendjen në kryeqytetet perëndimore.
Klan News