“Jemi shumë krenarë për punën tënde”, Veliaj i dhuron Dritan Abazoviçit “Çelësin e Tiranës”. Zv. kryeministri malazez: Jeta jonë duhet të jetë pa kufij








Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti ditën e sotme në një takim Zëvendës Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

veliaj abazovic

Gjatë takimit në ambientet e Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Veliaj i dhuroi zv. kryeministri malazez “Çelësin e Tiranës”, si simbolikë të mikpritjes në kryeqytetin e shqiptarëve.

Në fjalën e tij Veliaj i shprehu vlerësimet zv.kryeministrit Abazoviç për punën e bërë prej tij për të orientuar Malin e Zi drejt perëndimit.

“Jemi shumë krenarë për ty dhe punën tënde. Përtej krenarisë që vjen prej trashëgimisë së përbashkët shqiptare, ke pasur urtësinë, inteligjencën, kurajën që të organizosh një strukturë multi-etnike me mendje të hapur, me ide të hapura, për të mbajtur një vend të vogël, që është një fqinj shumë i çmuar për ne. Njeriu nuk i zgjedh dot fqinjët, por nëse do zgjidhnim fqinj njerëz progresistë, me nevojën për të qenë të orientuar drejt perëndimit, nuk do ishte e mundur pa kontributin tënd, e sidomos vitet e fundit kur roli yt ka qenë vendimtar”, nënvizoi Veliaj.

Nga ana tjetër Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi, Abazoviç, e vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe për punë e bërë në krye të Bashkisë së Tiranës .

“Është nder i madh të marr ‘Çelësin e Tiranës’ nga miku im Erion Veliaj. Me kryeministrin Rama jemi dakordësuar për të ndërtuar një urë për zvogëlimin e distancës mes dy shteteve, që njerëzit të kalojnë për pesë minuta nga Mali i Zi në Shqipëri dhe anasjelltas. Jam i bindur se kur të ndërtohet ura, ajo nuk ka për të pasur kufij formal që tani ekzistojnë. Jeta jonë duhet të jetë pa kufij, këtë frymë e demonstron Tirana kohët e fundit, me një zhvillim të jashtëzakonshëm që konsiderohet edhe në Mal të Zi si një shembull se si duhet të zhvillohet qyteti”, pohoi Abazoviç.

Veliaj gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e forcimit të lidhjeve midis dy vendeve dhe sidomos në vitin 2022 kur Tirana do jetë “Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Sipas tij të rinjtë duhet të kapërcejnë kufijtë shtetërorë dhe të zhvillojnë projekte dhe biznese me njëri-tjetrin.

“Dua ta forcojmë këtë lidhje mes dy vendeve. Vitin tjetër, kur të jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë, kemi një mundësi fantastike. Djemtë e vajzat tona duhet të jenë në mënyrë konstante të lidhur me njëri-tjetrin. Ndajmë të njëjtin det, të njëjtin kufi. Djemtë dhe vajzat e Shqipërisë dhe Malit të Zi duhet të shkëmbejnë ide, të bëjnë projekte bashkë, e të kenë mundësi të bëjnë biznese bashkë. Dikush duhet ta hapi shtegun, ama kur shtegu hapet, ne mund të bëjmë punë të mrekullueshme”, përfundoi Veliaj

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *