Jeta e vështirë e të mbijetuarve nga tërmeti në Turqi

[embedded content][embedded content]

13:24 10/02/2024

Pas një viti shumë prej tyre kanë humbur gjithçka, ndërsa problemet ekonomike bëhen më të mëdha

Abdulalim Muaini shtrihet në shtrat duke parë fotot e fëmijëve dhe gruas që humbën jetën pranë tij në tërmetin e një viti më parë, duke menduar se si i shkatërroi jetën e re që ata kishin ndërtuar në Turqinë jugore pasi kishin ikur nga lufta në Siri.

Fatkeqësia më vdekjeprurëse në historinë moderne të Turqisë, tërmeti me magnitudë 7.8 ballë shkatërroi qytete të tëra në juglindje të vendit dhe Sirinë fqinje.

Më shumë se 50,000 njerëz në Turqi, pothuajse 8,500 në Siri humbën jetën dhe miliona mbetën të pastrehë.

Muaini, tani 34 vjeç dhe i paaftë për të ecur, u shpëtua nga rrënojat e banesës së tij të shembur në Hatay gati tre ditë pasi tërmeti goditi në fund të natës.

Ishte tepër vonë për gruan e tij Esra, e cila kishte mbetur aty pranë tij, dhe për djalin e tij 10-vjeçar Muhsin dhe vajzën Basira, 7 vjeç. Ata komunikuan me njëri-tjetrin për rreth 12 orë para se fëmijët dhe më pas nëna të vdisnin.

“Basira ndërroi jetë. Unë bëra durim. Zoti më dha durim. Pas kësaj, Muhsin më pyeti “a më vdiq motra?” I them jo motra jote po fle s’ka vdekur pastaj vdiq Muhsini dhe nena e tij. Shumë tragjike”.

Duke reflektuar për përvjetorin e parë të tërmetit të 6 shkurtit, Muaini tha se i mungonte familja e tij më shumë se çdo gjë.

“Njeriu duhet të jetë i durueshëm, nëse nuk bën durim atëherë sëmundja i shtohet. Ai duhet të shpresojë që të shërohet dhe të qëndrojë në këmbë. Bota nuk ndalet për mua apo për këdo, por njeriu duhet të jetë i durueshëm dhe t’i lutet Zotit”.

Një foto e Muainit, duke parë nga poshtë një pllake të madhe prej betoni dhe tullash dhe duke u bërë me gjeste shpëtimtarëve të tij dy ditë pas tërmetit, me trupin e gruas së tij pranë tij bëri xhiron e botës.

Njëra nga këmbët e tij u dëmtua dhe tjetra u paralizua poshtë gjurit për shkak të shtypjes së betonit dhe tullave në shtëpinë e tij në Hatay e cila ishte provinca më e goditur në një zonë katastrofe të madhësisë së Holandës dhe Belgjikës së bashku.

“I humba këta njerëz, dhe ishim një familje bashkë, nga puna në shtëpi dhe nga shtëpia në punë, ne shkonim tek njëri-tjetri. Por tanimë jam vetëm dhe asnjë gjë tanimë nuk më gëzon”.

Ai u shpërngul nga Turqia jugore në Bursa, në veriperëndim, ku jeton me nënën, motrën dhe tre fëmijët e saj, duke bërë fizioterapi dhe duke ëndërruar për një këmbë protezë që të mund të kthehet në punë, të paguajë faturat dhe ndoshta më vonë të kthehet në Hataj ose në atdheun e tij në Siri.

Së bashku me gruan dhe djalin e tij, Muaini u largua nga Siria veriperëndimore e pushtuar nga lufta, ku kishte shitur kompjuterë, për në Turqi në vitin 2016. Atje ai fitonte jetesën duke shitur fruta dhe perime. Turqia ka pranuar miliona refugjatë sirianë nga lufta gati 13-vjeçare.

Në Bursa, qiraja është pesë herë më e lartë se në Hatay, dhe Muaini thotë se ai mbështetet te vëllai i tij për të ndihmuar në pagesën e asaj dhe ushqimin.

“Nuk kam plane, ka punë që mund të bëj. Sido që të jetë, individi duhet të punojë, dhe të ndihmojë veten me shpenzimet”.

Merve Akyuz, një mjeke fizike dhe rehabilituese në Spitalin e Qytetit të Bursës, për Reuters shprehet se ndërsa fizioterapia e sapofilluar për këmbën e paralizuar ofron një fener shprese për Muainin, do të duhet kohë për të ecur përsëri.

Muaini, i cili ka nevojë për ndihmë për t’u ngritur nga shtrati dhe shumica e detyrave të tjera, tregon se gjithçka që mund të bëjë tani për tani është të lexojë Kuranin, të lutet dhe të bisedojë me miqtë dhe të afërmit.

Tërmeti vdekjeprurës nuk shkaktoi dëme vetëm në Turqi por edhe në Sirinë e harruar nga lufta, me një kosto të vlerësuar nga Banka Botërore 5.1 miliardë Euro.

Një vit pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Sirinë dhe Turqinë, Amer Mohammed Haleel dhe familja e tij ende jetojnë në një tendë kampi të improvizuar pasi katastrofa shkatërroi shtëpinë e tyre në Jandaris të Sirisë.

Fatkeqësia më vdekjeprurëse vrau më shumë se 5,900 në Siri dhe la miliona të pastrehë. Haleel, tani 50 vjeç, shprehet se askush nuk e ndihmoi atë apo familjen e tij pas tërmetit.

“Askush nuk na ka premtuar asgjë, madje kam dëgjuar që në këshill po regjistrojnë makinat e të prekurve, kështu që shkuam dhe u treguam për makinën tonë të dëmtuar nga tërmeti  na pyetën nëse jetonim në çadër. Betohem në Zot nuk kam marr as tendë asgjë dhe për këtë që them jam përgjegjës, le të dëgjojnë të gjithë në Jandaris”.

Fqinjët, Sheikh Barakat 60 vjeç dhe Abu qëndrojnë pranë njëri-tjetrit ndërsa shikojnë shtëpitë e tyre të pabanueshme.

“Shkallët e shtëpisë u shkatërruan plotësisht, kështu që presim që ndërtesa  të rrëzohet. Nuk kemi marrë asgjë. Po rrimë brenda çadrave, çfarë të bëjmë, askush nuk erdhi për të na ndihmuar. Ata vijnë vetëm për ta parë, pa bërë asgjë”.

Vitin e kaluar, ata të dy kanë jetuar në tenda që kanë ngritur në një vendgrumbullim në afërsi të shtëpive të tyre.

“Një vit pas tërmetit, ata vijnë dhe shikojnë në shtëpinë time. Pranë saj është një ndërtesë tjetër e dëmtuar , askush nuk erdhi për ta kontrolluar. Kjo është situata jonë  ne po qëndrojmë këtu”.

Gati dy milionë sirianë, të zhvendosur nga betejat dhe bombardimet gjatë luftës 11-vjeçare të vendit, jetonin në kampet e refugjatëve në veriperëndim të mbajtur nga rebelët përpara tërmetit të madh të vitit të kaluar.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts