Jim Jordan dështon sërish të zgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

jim jordan deshton serish te zgjidhet kryetar i dhomes se perfaqesuesve

Ligjvënësi republikan Jim Jordan nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve edhe pas një raundi të dytë votimi që u mbajt të mërkurën, duke dështuar të bindë kundërshtarët e tij brenda grupit republikan, që ta mbështesin atë.

Nëse do të zgjidhej, zoti Jordan do të zëvendësonte në këtë detyrë ish-kryetarin Kevin McCarthy, i cili u shkarkuar nga kjo pozitë, nga vetë republikanët.

Për të dytën ditë me radhë ligjvënësi Jim Jordan, që ka marrë mbështetjen e ish-Presidentit Donald Trump, nuk arriti të sigurojë 217 votat e nevojshme për t’u bërë kryetar, pasi 22 republikanë dhe të 212 demokratët, votuan kundër tij.

Por edhe pas këtij dështimi zoti Jordan tha se nuk ka në plan të tërhiqet.

Ai është zotuar të qëndrojë në garën për kryetar pavarësisht se raundi i dytë dëshmoi një rënie në mbështetje. Të martën 20 republikanë votuan kundër tij, ndërsa të mërkurën 22 nuk i dhanë atij mbështetje.

Zoti Jordan tha se do të takohej me secilin prej ligjvënësve individualisht dhe se nuk e dinte se kur do të kërkonte që të mbahej një raund i tretë votimi. Ditën e mërkurë atij i nevojiteshin 18 vota për t’u bërë kryetar i Dhomës.

Dhoma e Përfaqësuesve është futur tashmë në ditën e 16-të të saj pa një udhëheqës, duke pezulluar punën e Kongresit, e duke paralizuar përgjigjen ndaj shqetësimeve që lidhen me konfliktit në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, ose për të ndërmarrë veprime për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë për shkak të përplasjeve lidhur me buxhetin.

Totali i votave të ligjvënësit Jim Jordan prej 199 të tilla, ishte më pak se 200 vota republikanësh që ai siguroi të martën, në votimin e parë. Kjo shifër është edhe më e vogël sesa arriti të sigurojë Kevin McCarthy, në cilindo nga 15 raundet e votimit, që çuan tek zgjedhja e tij si kryetar i Dhomës.

Edhe pse zoti Jordan thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në garë republikanë të tjerë kanë thanë se ka ardhur koha për të shqyrtuar një opsion tjetër, që do t’i jepte fuqi më të madhe ligjvënësit Patrick McHenry, i cili mban përkohësisht detyrën e kryetarit.

Unë nuk shoh që rezultati të ndryshojë“, u tha gazetarëve ligjvënësi Mike Lawler. “Ne duhet të fuqizojmë Patrick McHenry-n, që të shërbejë si kryetar i përkohshëm, në mënyrë që të mund të bëjmë punën për të cilën jemi ngarkuar nga populli amerikan“.

Kjo ide është hedhur si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët, si dhe nga dy ish-kryetarë republikanë të Dhomës, Newt Gingrich dhe John Boehner.

Sipas një propozimi të paraqitur nga ligjvënësi Mike Kelly, zoti McHenry do të emërohej si kryetar deri më 17 nëntor ose derisa të zgjidhej një kryetar i përhershëm. Një propozim i tillë mund t’i japte kohë edhe më shumë zotit Jordan për të siguruar mbështetje që të zgjidhet në detyrën e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts