Jo më emergjencë, por sëmundje që do të qëndrojë gjatë, Evropa shqyrton strategjinë e pranimit të koronavirusit

Kur koronavirusi është shpallur pandemi, spanjollëve u është thënë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për më shume se tre muaj. Për disa javë, ata nuk kanë mundur as të ushtrojnë jashtë. Fëmijëve u është ndaluar loja në ambiente të jashtme dhe ekonomia është ngadalësuar.

Mirëpo zyrtarët kanë thënë se këto masa drakonike kanë ndihmuar që të mos shkatërrohet sistemi shëndetësor. Sipas tyre, jetët janë ruajtur.

Tani, gati dy vjet më vonë, Spanja është duke u përgatitur për të miratuar një strategji të re ndaj pandemisë.

Me një prej shkallëve më të larta të vaksinimit dhe ekonominë më të goditur nga pandemia, Qeveria është duke diskutuar strategji për ta trajtuar koronavirusin jo si emergjencë, por si sëmundje që do të qëndrojë gjatë.

Hapa të ngjashëm janë duke u konsideruar edhe në Portugali dhe Britani. Ideja është që Spanja të kalojë nga kriza, në situatë të kontrolluar, duke e konsideruar koronavirusin sikurse gripin stinor apo fruthin.

Kjo nënkupton që infektime do të raportohen, por do të rritet kujdesi për pacientët në moshë, dhe ata me komplikime shëndetësore.

Kryeministri i qendrës së majtë në Spanjë, Pedro Sánchez, dëshiron që Bashkimi Evropian të konsiderojë ndryshime të njëjta, tani që varianti Omicron ka treguar se sëmundja po shkakton më pak vdekje.

“Çfarë po themi ne është se në muajt dhe vjetët e ardhshëm neve do të na duhet të mendojmë pa hezitim dhe sipas asaj që na thotë shkenca, në mënyrë që ta menaxhojmë pandeminë me parametra tjerë”, ka thënë ai të hënën.
Sánchez ka thënë se ndryshimet nuk duhet të ndodhin para se të përfundojë vala e Omicronit, mirëpo zyrtarët duhet të nisin të mendojnë për botën pas pandemisë.

“Ne po bëjmë detyrat tona, po shqyrtojmë skenarë”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është shumë herët për të kaluar në fazë të re.

Kjo Organizatë nuk e ka sqaruar kriterin për të shpallur sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, si endemike, mirëpo ekspertët kanë thënë më parë se një gjë e tillë ndodh kur virusi bëhet më i parashikueshëm dhe nuk ka shpërthime të vazhdueshme.

“Është disi gjykim subjektiv, sepse nuk ka të bëjë vetëm me numrin e rasteve. Ka të bëjë me ashpërsinë dhe ndikimin”, ka thënë mjeku Michael Ryan, shef i emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Duke folur para një paneli në Forumin Ekonomik Botëror, Anthony Fauci, shef për sëmundje infektive në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se COVID-19 nuk duhet të konsiderohet endemik, derisa nuk kalon “në një nivel që nuk pengon shoqërinë”.

Qendrat Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë këshilluar shtetet që të kalojnë në trajtim më rutinë të pandemisë, pasi të kalojë faza akute.

Agjencia ka thënë përmes një deklarate që më shumë shtete të BE-së, përveç Spanjës, do të duan të miratojnë “qasje më afatgjatë dhe më të qëndrueshme”.

Mbi 80 për qind e popullsisë së Spanjës ka marrë dozë të dytë të vaksinës dhe autoritetet tani janë të fokusuar në forcim të imunitetit të të rriturve me dozën e tretë.

Mjeku, Salvador Trenche, udhëheqës i Shoqatës për Familje dhe Komunitet Mjekësor në Spanjë, ka thënë se COVID-19 duhet të trajtohet sikur sëmundjet tjera, transmeton agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Ai ka thënë se “normalizimi i vëmendjes nga profesionistët shëndetësorë do të ndihmonte që të shmangeshin vonesat në trajtim të problemeve që nuk janë të lidhura me koronavirus”.

Publiku po ashtu duhet ta kuptojë se disa vdekje nga koronavirusi “do të jenë të pashmangshme”, ka thënë Tranche.

“Nuk mund ta bëjmë në valën e gjashtë atë që kemi bërë në të parën. Modeli duhet të ndryshojë nëse duam të arrijmë rezultate tjera”, ka thënë ai.

Ministria e Shëndetësisë në Spanjë ka thënë se është shumë herët për të prezantuar atë që po hartohet nga ekspertë dhe këshilltarë, mirëpo agjencia ka konfirmuar se një nga propozimet është që të ndiqet modeli ekzistues i “vëzhgimit roje” që aktualisht Bashkimi Evropian e aplikon për gripin stinor.

Diskutimet për ta konsideruar koronavirusin si endemi, janë të kufizuara te shtetet e pasura, që mund të flasin për më të keqen e koronavirusit si diçka të së kaluarës.

Ende nuk është e qartë si do të aplikohej kjo strategji e endemisë bashkë me qasjen “zero raste me COVID” të Kinës dhe disa vendeve tjera aziatike, dhe si do të ndikonte në udhëtime ndërkombëtare.

Shumë shtete me shifra të larta të të infektuarve – për shkak të variantit Omicron – janë duke hequr dorë nga testimet masive dhe janë duke zvogëluar periudhën e karantinës, sidomos për punëtorët që nuk tregojnë simptoma të rënda.

Në Mbretërinë ë Bashkuar, vendosja e maskës në vende publike dhe pasaportat e vaksinës nuk do të kërkohen më nga 26 janari, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson, duke thënë se vala e fundit “ka arritur pikun në nivel kombëtar”.

Kërkesa që personat e infektuar të izolohen për pesë ditë, do të vazhdojë të zbatohet, mirëpo Johnson ka thënë se do të shqyrtojë edhe heqjen e kësaj kërkese në javët në vijim, nëse shifrat e infektimit nisin të bien.

Sipas statistikave zyrtare, 95 për qind e popullsisë britanike ka krijuar antitrupa nga koronavirusi, qoftë nga infektimi apo vaksinimi.

“Ndërkohë që COVID bëhet endemi, neve do të na duhet të zëvendësojmë kërkesat ligjore me këshilla dhe udhëzime, duke iu kërkuar njerëzve që të jenë të kujdesshëm dhe të konsiderojnë të tjerët”, ka thënë Johnson.

Për disa qeveri tjera në Evropë, ideja e normalizimit të COVID-19, është në kundërshtim me përpjekjet për rritje të shkallës së vaksinimit te grupet që hezitojnë të imunizohen.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.