Joachim Nagel, zgjidhje kompromisi në krye të Bundesbank-ës

joachim nagel zgjidhje kompromisi ne krye te bundesbank es
joachim nagel zgjidhje kompromisi ne krye te bundesbank es

08:45 24/12/2021

Socialdemokrati Nagel do ta drejtojë Bundesbankën në një periudhë delikate të inflacionit të lartë. Ai njihet për qëndrime konservatore në politikën monetare. Po tani, cilën linjë do të ndjekë ai, pyet Auron Dodi.

Joachim Nagel, presidenti i ri i Bundesbankës, Bankës Qendrore gjermane është një president i vazhdimësisë së linjës së deritashme të Bundesbankës. Kjo linjë i jep rëndësi stabilitetit financiar dhe është kundër thellimit të inflacionit.  Me 55 vjeçarin Nagel nuk pritet ndryshim rrënjësor në politikën e Bankës Qendrore gjermane. 

Nageli vlerësohet si ekspert me njohuri të thella për funksionimin e Bundesbank-ës dhe të financave në Evropë. Karrierën e tij kryesore ai e ka bërë pikërisht në Bundesbank, ku punoi prej vitit 1999 deri në 2016.

Më pas ai kaloi në Bankën Gjermane për Zhvillimin (KfW). Dhe së fundi, prej vitit 2020 ai punoi në Bankën për Shlyerjet Ndërkombëtare.

Si President i Bundesbankës, Joachim Nageli bëhet automatikisht edhe anëtar i Bankës Qendrore Evropiane në Frankfurt, bankës që mbikqyr Euron. Në bordin prej 19 përfaqësuesish të vendeve të Eurozonës, Nageli do të mbrojë pozicionin e Gjermanisë në politikën e Bankës Qendrore Evropiane.

Emërimi i Nagelit në postin e presidentit të Bankës Qendrore të ekonomisë më të madhe të Evropës, ka tërhequr  vëmendjen ndërkombëtare. Analistët e kategorizojnë Presidentin e ri për momentin në grupin e „skifterëve”, pra të atyre që mbrojnë një politikë të rreptë financiare në Eurozonë. Ka pak deklarata publike të Joachim Nagelit. Por tërheq vëmendjen një deklaratë e tij e vitit 2012, kur ai kritikoi blerjen masive të obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane.

Ashtu si paraardhësi i tij në krye të Bundesbankës, Jens Weidmann, edhe Nageli pa këtu një kalim të kompetencave nga Banka Qendrore Evropiane, e cila sipas statutit duhet të kujdeset për stabilitetin e monedhës së Euros.

Me këtë rast Joachim Nageli tha se “ndarja e qartë e detyrave mes politikës fiskale dhe asaj monetare nuk duhet të lëkundet.” Kjo është tradita financiare gjermane, ndërsa tradita amerikane e quan artificiale ndarjen e politikës fiskale nga ajo monetare.

Stil më i butë dhe diplomatik ndaj Evropës

Megjithë këtë, me Nagelin pritet një stil më i butë dhe më diplomatik në Evropë. Me të konsiderohet e mundur një politikë me tolerante financiare, në mbështetje të investimeve për agjendën e gjelbër evropiane. Analistët besojnë se ai mund të ketë sukses më të madh se parardhësi në Bankën Qendrore Evropiane, për të siguruar mbështetje më të mirë për argumentat e Gjermanisë.

Frankfurter Allgemeine Zeitung shkroi këtë javë se ish-Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, italiani Mario Draghi, me mjetet e pushtetit të tij arriti ta etiketojë në mënyrë të padrejtë si „mister-jo”, presidentin e deritashëm të Bundesbankës, Jens Weidmann. Kjo e veçoi Weidmann-in dhe ua bëri të pamundur solidarizimin me të anëtarëve jo evropianojugorë të bordit të Bankës Qendrore Evropiane.

Nageli i ka mbështetur që në krye të karrierës së tij socialdemokratët në politikën financiare. Në vitin 1995 ai punoi në Bonn si këshilltar për kryesinë e SPD-së. Ky fakt e bëri më të lehtë për kancelarin Olaf Scholz ta propozojë atë si kandidat kompromisi në Gjermani.

A do të tregojë Nageli zhdërvjelltësi në krye të Bundesbank-ës?

Pikëpamjet për një politikë të rreptë financiare e bënë Nagelin të pranueshëm edhe për qëndrimet më konservatore të liberalëve të FDP-së. Kryetari i FDP-së, Christian Lindner e lëvdoi Nagelin si ekonomist të orientuar drejt stabilitetit. Lindneri tha për Nagelin se “përballë rreziqeve të inflacionit, rëndësia e një politike monetare të orientuar drejt stabilitetit po rritet. Ai është një personalitet me përvojë që siguron vazhdimësinë në Bundesbank.”

Kandidatja tjetër për të drejtuar Bundesbankën, Isabel Schnabel, e cila njihet për qëndrime më liberale p.sh. ndaj inflacionit, në konstelacionin aktual politik në Gjermani nuk pati shans.

Në dorëheqjen e tij, paraardhësi i Nagelit, Jens Weidmann tërhoqi vëmendjen se vendimet monetare dhe politike pas krizës financiare e kanë “ndryshuar masivisht” botën. Zgjedhja e Nagelit, si zgjedhje e vazhdimësisë, sugjeron se për momentin Gjermania reagon ndaj këtyre ndryshimeve me linjën e mëparshme të politikës së rreptë financiare.

Edhe kancelarin Scholz, gjermanët e zgjodhën si kandidat të vazhdimësisë të kancelares Merkel. Por vëzhguesit i njohin Scholzit sensin e fortë pragmatik. A do ta dëshmojë Joachim Nageli të njëjtin sens, duke e avancuar traditën e Bundesbankës, kjo mbetet të shihet./DW

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts