Juventusi shton kapitalin me 366.9 milionë euro, me Raiolën nis plani… “Pogba”









Për të ndërtuar apo rindërtuar një skuadër të madhe nevojiten lojtarë të mëdhenj, por lojtarët e mëdhenj vlejnë shumë miliona. Dhe pa dyshim që nëse njeh edhe menaxherin e duhur, asgjë nuk është e pamundur.

pog

Të paktën i kësaj ideje është Juventusi, i cili ditën e djeshme i ka dhënë një shtytje të fortë të ardhmes së klubit, duke zyrtarizuar një shtim kapitali në arkat e tyre prej 366.9 milionë eurosh, e thënë ndryshe 91.75 për qind e të gjitha arkëtimeve të një sezoni më parë.

Diçka e tillë lehtëson shumë jo vetëm punën e drejtuesve bardhezinj, të cilët pa dyshim që do të kërkojnë të shtojnë cilësi në ekip, por në të njëjtën kohë u jep shpresë edhe tifozëve se ndoshta ky sezon vërtet mund të ketë marrë një kthesë të keqe, por me të paktën kualifikimin në Champions dhe me disa investime bindëse që janë në plan së fundmi, sezoni i ardhshëm mund të jetë ai i shkëlqimit të shumëkërkuar.

PLANI “RAIOLA” – Natyrisht, Juventusi nuk është se do të shpenzojë gjithë shumën e marrë borxh në merkato, por një investim i madh duhet bërë, sidomos në mesfushë dhe ndoshta takimi i Pavel Nedvedit me Mino Raiolën në një restorant të Torinos, të mërkurën, ka pasur lidhje edhe me dëshirën e madhe që ekziston tashmë prej disa vitesh: rikthimin e Pol Pogbasë.

Ky i fundit aktualisht qëndron i dëmtuar dhe fazën e riaftësimit po e kryen në Dubai, ndonëse sinjale për rinovimin me Mançester Junajtid as që duken në horizont. Pa dyshim që ardhja e Kristiano Ronaldos në skuadër mund të këtë lëkundur disi Pogbanë për të qëndruar, por duke parë se edhe me asin portugez fitoret nuk po gjejnë vazhdimësi, ndoshta për Pogbanë është ora që të gjejë një tjetër skuadër.

Dhe siç e ka nënvizuar disa herë në javët e fundit edhe vetë menaxheri Mino Raiola, “Pol nuk e ka harruar kurrë Juven dhe do të ishte i lumtur që të kthehej në Torino. Tani duhet parë vetëm se sa shumë e do edhe Juventusi Pogbanë për të bërë të mundur ribashkimin”.

Dhe, sipas menaxherit të sulmuesit francez, e vetmja gjë që mund të tregojë sa shumë “Zonja e Vjetër” dëshiron Pol Pogbanë është që të hapë thesin. Pikësëpari duhen 30 milionë euro komision për Raiolën dhe në të njëjtën kohë një rrogë prej të paktën 17 milionë eurosh neto në sezon për 28-vjeçarin.

Për diçka të tillë Juvja duket se është gati, më saktë është e detyruar ta bëjë, pasi mesfusha që pas kohës së Pogbasë ka çaluar bindshëm dhe ndoshta transalpini është investimi i duhur, edhe pse i kushtueshëm, që nevojitet për të rikthyer Juven te kampionati, por pse jo për ta bërë të rrezikshme edhe në Europë.

Mes Raiolës dhe Juves është folur shpesh edhe për kartën “Haland”, ndonëse gjiganti norvegjez duket më shumë i destinuar drejt Spanjës ose Parisit sesa në Torino. Gjithsesi, me ofertën milionere të duhur, kurrë mos thuaj kurrë në futboll.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.