
23:27 19/11/2021
Presidenti Biden i nënshtrohet një kontrolli mjekësor me anestezi
Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris mori përkohësisht të premten kompetencat presidenciale, duke u bërë për pak orë gruaja e parë në zyrën më të rëndësishme të botës.
Transferimi i pushtetit erdhi pasi presidentit Biden iu nënshtrua një kontrolli rutinë shëndetësor.
Presidenti Biden iu nënshtrua procedurës së kolonoskopisë me anestezi. Ky është kontrolli i parë mjekësor i zotit Biden si President në prag të ditëlindjes së tij të 79-të.
Nënpresidentja Harris gjatë kohës që kishte të gjitha kompetencat ekzekutive mori kontrollin e Ushtrisë Amerikane dhe të armëve bërthamore. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga zëdhënësja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
57-vjeçarja Harris, është gruaja e parë dhe gruaja e parë me ngjyrë, që zgjidhet zv./Presidente e ShBA-së.
Zëdhënësja Psaki tha se transferimi i përkohshëm i pushtetit në rrethana të tilla nuk është e paprecedentë, pasi ajo është e përcaktuar në kushtetutën e vendit.
Një rast i tillë ka ndodhur në kohën e presidentit Xhorxh W Bush.
Biden është presidenti më i moshuar i SHBA-së. Ai ka kryer ekzaminimin e tij të fundit mjekësor në Dhjetor 2019. Në atë kohë, mjeku i tij lëshoi një raport mjekësor duke e përshkruar atë si “të shëndetshëm, energjik” dhe “të aftë për të kryer me sukses detyrat e presidencës”.
Klan News
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al