“Kanë humbur lidhjen me realitetin”, Putin: Perëndimi ka harruar të bëjë kompromis, një arrogancë e tillë…

kane humbur lidhjen me realitetin putin perendimi ka harruar te beje kompromis nje arrogance e tille

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Perëndimi kishte humbur lidhjen me realitetin për luftën në Ukrainë. Ai paralajmëroi se nëse udhëheqësit perëndimor kanë harruar se si të bëjnë kompromis, atëherë bota do të duhej të shihte se ku të çon një arrogancë e tillë.

Zoti Putin akuzoi Perëndimin për nxitjen e konfliktit në Ukrainë, të cilën ai e vlerëson si pjesë të një lufte shumë më të madhe midis Rusisë dhe një Perëndimi arrogant.

“Bashkëbiseduesit tanë në Perëndim duket se kanë harruar plotësisht se ekzistojnë koncepte si vetëpërmbajtja e arsyeshme, kompromisi, gatishmëria për të hequr dorë prej një gjëje për të arritur një rezultat të pranueshëm për të gjithë”, tha Presidenti Putin.

“Ata janë padyshim të fiksuar pas vetëm një gjëje, të realizojnë interesat e tyre me çdo kusht. Nëse kjo është zgjedhja e tyre, le të shohim se çfarë do të vijë prej saj”, tha zoti Putin në një takim të Klubit të Diskutimit Valdai në Soçi të Rusisë.

Gjatë fjalimit të tij, Presidenti Putin gjithashtu njoftoi se Rusia ka realizuar me sukses provat me një raketë që funksionon me energji bërthamore, ndërsa paralajmëroi se vendi i tij mund të anulojë ratifikimin e traktatit për ndalimin e provave bërthamore.

“Bëmë me sukses provën e fundit të raketës vetëlëvizëse me rreze globale Burevestnik, që ushqehet me energji bërthamore”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme. Kjo është hera e parë që njoftohet dalja me sukses e provave për raketën Burevestnik, për të cilën presidenti rus pati folur për herë të parë në vitin 2018.

Nuk ekziston shumë informacion për raketën Burevestnik, të cilës NATO i ka vënë emrin e koduar “Skyfall”. Shumë ekspertë perëndimorë janë treguar skeptikë për këtë raketë, pasi thonë se një motor bërthamor do të ishte shumë i paqëndrueshëm.

Mendohet se kjo lloj rakete mund të mbartë mbushje bërthamore apo konvencionale, se mund të qëndrojë në ajër më gjatë se raketat e tjera, dhe se mund të përshkojë distanca më të mëdha falë motorit të saj bërthamor.

Kur Presidenti Putin bëri të ditur për herë të parë se Rusia po punonte për këtë raketë në fjalimin e tij në vitin 2018, ai pretendoi se raketa do të kishte një rreze të pakufizuar, duke i mundësuar asaj të qarkullonte mbi mbarë globin, e padiktuar nga sistemet e mbrojtjes ndaj raketave.

Shumë vëzhgues kanë mbetur skeptikë, duke argumentuar se një armë e tillë do të ishte e vështirë për t’u menaxhuar dhe do të përbënte një kërcënim mjedisor. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik punuan me motorët e raketave me energji bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë, por përfundimisht i anuluan projektet, duke i konsideruar ato shumë të rrezikshme.

Raketa Burevestnik mendohet se pësoi një shpërthim në gusht 2019 gjatë provave të marinës ruse në Detin e Bardhë, duke vrarë pesë inxhinierë bërthamorë dhe dy ushtarakë dhe duke rezultuar në një rritje afatshkurtër të radioaktivitetit që shkaktoi frikë në një qytet aty pranë.

Zyrtarët rusë nuk e identifikuan kurrë armën e përfshirë, por Shtetet e Bashkuara thanë se ishte raketa Burevestnik.

Rusia thuhet se ka përdorur vendin ku Bashkimi Sovjetik bëri provën e fundit me armë bërthamore, arkipelagun arktik “Novaya Zemlya”, për të ndërtuar objekte për të bëra provat për raketën Burevestnik.

Në fjalim, Presidenti rus Putin vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar traktatin e vitit 1996 për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore, ndërsa Rusia e ka nënshkruar dhe ratifikuar atë. Ai argumentoi se Rusia mund të “pasqyrojë qëndrimin e marrë nga Shtetet e Bashkuara”.

“Teorikisht, ne mund ta revokojmë ratifikimin”, tha ai.

Deklarata e tij vjen mes shqetësimeve të gjera se Rusia mund të vendosë të rifillojë provat bërthamore, në përpjekje për të dekurajuar Perëndimin nga vazhdimi i ofrimit të mbështetjes ushtarake për Ukrainën pasi Kremlini dërgoi forca ushtarake në këtë vend.

Doktrina mbrojtëse e Rusisë parashikon një përgjigje bërthamore ndaj një sulmi atomik, apo edhe një sulmi me armë konvencionale, që “kërcënon vetë ekzistencën e shtetit rus”. Ky formulim i paqartë ka bërë që disa ekspertë rusë t’i kërkojnë Kremlinit ta saktësojë atë, në mënyrë që të detyrohet Perëndimi t’i marrë më seriozisht paralajmërimet.

I pyetur për ndryshime të mundshme në doktrinën ruse të armëve bërthamore, zoti Putin u përgjigj se nuk shikon ndonjë arsye për këtë.

“Nuk ka ndonjë situatë ku diçka mund të rrezikojë pavarësinë dhe ekzistencën e shtetit rus”, tha ai. “Mendoj se asnjë person me mendje të kthjellët dhe kujtesë të qartë nuk do të kishte ndonjë ide për të përdorur armë bërthamore kundër Rusisë”.

Ndërsa ai mbajti fjalimin, monedha ruse, rubla, vazhdoi të humbas vlerë kundrejt dollarit amerikan. Të enjten 1 dollar arriti vlerën e 100 rublave ruse.

Agresioni rus në Ukrainë, që filloi në shkurtin e vitit 2022, shkaktoi një luftë që ka shkatërruar pjesë të Ukrainës lindore dhe jugore, ka vrarë ose plagosur qindra mijëra njerëz dhe ka shkaktuar prishjen më të madhe në lidhjet e Rusisë me Perëndimin për gjashtë dekada.

Perëndimi e konsideron luftën si gabimin më të madh strategjik të Moskës, që nga pushtimi sovjetik i Afganistanit në vitin 1979. Udhëheqësit perëndimorë thonë se po armatosin Ukrainën për t’i mundësuar asaj të mbrohet dhe të mposhtë forcat ruse. Një kundërofensivë ukrainase deri më tani nuk ka arritur të japë sukses të madh në çlirimin e territorit të pushtuar.

Megjithatë, Presidenti Putin e paraqet luftën si pjesë të një beteje shumë më të madhe me Shtetet e Bashkuara, për të cilën elita e Kremlinit thotë se synon të ndajë Rusinë, të rrëmbejë burimet e saj të mëdha natyrore dhe më pas t’i përdorë ato në konkurrencën me Kinën.

Perëndimi, tha ai, ishte shkaktari i luftës në Ukrainë sepse Shtetet e Bashkuara janë një “hegjemon” që e vlerëson veten arbitrin e vetëm të së vërtetës në planet.

“Ne nuk e filluam të ashtuquajturën luftë në Ukrainë. Përkundrazi, ne po përpiqemi t’i japim fund asaj”, tha ai.

Ish-spiunët, që kanë pushtetin në Moskë kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e një lufte Rusi-NATO, ndërsa dominimi i Perëndimit pas Luftës së Ftohtë po zbehet, Rusia, që më në fund po lë pas ndjenjat e poshtërimit pas dështimit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Kinës që po ngrihet në statusin e superfuqisë./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts