Katari: Hamasi me përgjigje përgjithësisht pozitive ndaj propozimit për armëpushim

katari hamasi me pergjigje pergjithesisht pozitive ndaj propozimit per armepushim

20:12 06/02/2024

Kryeministri i Katarit tha të martën se reagimi i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me planin e fundit për një armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve “përgjithësisht ishte pozitiv”.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili po qëndron në Lindjen e Mesme.

Katari, që për një kohë të gjatë ka ndërmjetësuar me Hamasin, ka punuar me SHBA-në dhe Egjiptin për të arritur një marrëveshje armëpushimi që do të përfshinte një ndalesë të zgjatur të luftimeve dhe lirimin e mbi 100 pengjeve që ende mbahen nga Hamasi, që kur grupi radikal palestinez kreu sulmin fillestar më 7 tetor në Izrael, sulm që nxiti luftën.

Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani nuk dha më shumë detaje lidhur me reagimin e Hamasit, por tha se grupi radikal palestinez “kishte komente”. Blinken konfirmoi se zyrtarët kanë pranuar përgjigjen e Hamasit dhe tha se ai do t’i njoftojë liderët e Izraelit kur ta vizitojë këtë shtet të mërkurën.

Përmes një deklarate, Hamasi tha se është përgjigjur “në frymë pozitive” ndaj propozimit të fundit të bërë nga ndërmjetësit amerikanë dhe të Lindjes së Mesme. Grupi radikal tha se ende kërkon një armëpushim “gjithëpërfshirës dhe të plotë” për t’i dhënë fund “agresionit ndaj njerëzve tanë”. Izraeli ka përjashtuar mundësinë e një armëpushimi të përhershëm, që po e kërkon Hamasi.

Blinken u takua më herët gjatë ditës me zyrtarët e Egjiptit, ndërkaq të hënën qëndroi në Arabinë Saudite.

Vizita e tij po zhvillohet në mes të rritjes së shqetësimeve në Egjipt lidhur me qëllimet e Izraelit për të zgjeruar luftimet në zonat e Gazës që gjenden në kufi me Egjiptin, ku po strehohen palestinezët e zhvendosur nga luftimet.

Ministria e Mbrojtjes së Izraelit tha se eventualisht ofensiva e Izraelit do të ndodhë edhe në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin.

Gjatë vizitës së tij, Blinken po synon që të arrihet përparim për një marrëveshje armëpushimi dhe potencialisht që të normalizohen raportet mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Propozimi i fundit për armëpushim parasheh lirimin e më shumë pengjeve, në këmbim të ndërprerjes disajavore të operacioneve ushtarake të Izraelit.

Që kur ka nisur lufta, në Gazë janë vrarë mbi 27.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor të udhëhequr nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe u morën peng afër 250 të tjerë.

Ndërkaq, gjatë një armëpushimi në nëntorin e kaluar, Hamasi liroi pengje në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë në Izrael./REL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts