
13:01 18/11/2022
Vetëm pak ditë larg Kupës së Botës Katar 2022, Shtëpia e parë e Pandave në Doha është hapur për publikun ditën e djeshme.
Qendra do të mirëpresë një çift pandash të rritur, një femër 3 vjeçe, Si Hai dhe një mashkull 4 vjeç, Jing Jing, sipas “Reuters”. Si dy pandat e para në rajonin e Lindjes së Mesme, çifti u pagëzua me emra arabë, Suhail për Jing Jing dhe Soraya për Si Hai, që do të thotë yje qielli.

Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm i Katarit inauguroi Shtëpinë e Pandave, një event ku ishin të pranishëm ambasadori i Kinës në Katar dhe zyrtarë të tjerë vendas. Në ceremoni, u ftuan edhe fëmijët që pëlqejnë pandat.
Qendra pandave, rreth 50 km në veri të Doha-s, u ndërtua në vitin 2021. Për të siguruar riprodhimin, ushqimin, ndihmën mjekësore dhe argëtimin e pandave, ajo është e pajisur me një dhomë infermierie, trajtimi, përgatitjeje ushqimi dhe një dhomë sportive me ajër të kondicionuar. Sistemet e kondicionimit janë të programuar në mënyrë të tillë që temperatura dhe lagështia të ruajnë nivelet optimale për rehatinë e pandave.

“Bambuja vjen nga Sichuan i Kinës dhe gjithnjë kemi një plan rezervë. Në rast të një vonese fluturimi apo diçkaje tjetër, do ta importojmë nga Europa. Pandat janë rehatuar në shtëpinë e tyre të re. Ato i shijojnë vaktet e tyre dhe flenë mirë. Të dy kanë shtuar peshë. Jing Jing ka shtuar 3 dhe Si Hai 3-4 kg”, tha kuratori i qendrës.
Shtëpia e Pandave ka punësuar ekspertë të riprodhimit dhe veterinarisë për t’i ofruar arushëve kujdesin maksimal. Veç bambusë, dieta e pandave përfshin mollë, karota dhe një petull tradicionale kineze.

Ardhja e pandave shënon ngjarjen sportive të Kupës së Botës që do të zhvillohet në muajt Nëntor-Dhjetor në Katar. Në Maj 2020, Kina dhe Katari firmosën një marrëveshje bashkëpunimi që parashikon mbrojtjen e pandave, të biodiversitetit dhe specieve të rrezikuara në të dyja vendet.
Sipas marrëveshjes, pandat do të jetojnë në Katar për 15 vjet./tvklan.al