Katastrofë humanitare në Afganistan, 24 milionë afganë rrezikojnë të vdesin këtë dimër, zbulohet plani i Gjermanisë për t’i shpëtuar

Afganistani po përjeton një “katastrofë humanitare”, deklaron ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Ajo tha se duhet bërë më shumë për të ndihmuar Afganistanin pas marrjes së pushtetit nga talebanët.

Qeveria gjermane është zotuar të përshpejtojë evakuimin e njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje në Afganistan, tha të enjten ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Baerbock dëshiron të zgjerojë opsionet e largimit për afganët që kanë nevojë për mbrojtje. Ajo e bëri të ditur këtë kur paraqiti një plan veprimi për Afganistanin.

Qeveria federale dëshiron edhe ta zgjerojë evakuimin nga Afganistani të njerëzve veçanërisht të rrezikuar. Për këtë duhen eleminuar pengesat burokratike për marrjen e vizave, tha Annalena Baerbock në Berlin gjatë prezantimit të një plani veprimi për Afganistanin.

Afganistani “po ecën drejt katastrofës më të madhe humanitare të kohës sonë”, tha Annalena Baerbock kur prezantoi “planin e veprimit” të Gjermanisë.

“Sektorët kryesorë të ekonomisë kanë pësuar kolaps, shumë njerëz janë të uritur,” u tha Baerbock gazetarëve. “E ke të vështirë të pranosh se familjet, në dëshpërimin e tyre, shesin bijat e tyre për të blerë ushqime”.

Janë veçanërisht gratë dhe vajzat ato që vuajnë nga dominimi i talebanëve radikalë islamikë, theksoi Baerbock. Për ta “çdo ditë ka rëndësi këto ditë”. Ministrja e Punëve të Jashtme njoftoi për forcimin e lidhjeve me aktorët e shoqërisë civile në Afganistan, në mënyrë që të përshpejtohet largimi i afganëve që kanë nevojë për mbrojtje dhe për të përfituar nga premtimi i mirëseardhjes nga Gjermania.

Katër muaj pas përfundimit të transportit ajror ushtarak, Baerbock tha se më shumë se 15.000 vetë, të cilët Gjermania kishte premtuar t’i mirëpriste ndodhen ende në Afganistan. Kjo nga gati 25000 premtime për të ardhur në Gjermanië Këtu bëjnë pjesë rreth 135 shtetas gjermanë. Ajo këmbënguli se ata “nuk janë harruar”.

Rrugë të tjera daljeje

Së bashku me Ministrinë Federale të Brendshme, ne duam të heqim pengesat në procedurën e vizave për të mos humbur muaj të çmuar gjatë evakuimit, konfirmoi Baerbock. Në disa raste kjo mund të nënkuptojë futjen e të dhënave digjitale dhe kontrollin e sigurisë para nisjes dhe dhënien e vizave në vendet e tranzitit ose pas mbërritjes në Gjermani.

Përveç kësaj, tha ajo, diskutimet me shtetet fqinje të Afganistanit për rrugët shtesë të daljes duhet të fitojnë “vrull të ri”. Deri tani, qeveria federale ka qenë në gjendje të largojë njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje vetëm përmes Katarit dhe Pakistanit si pjesë e programit të saj të evakuimit.

Që kur talebanët morën pushtetin në gusht, më shumë se 10.000 vetë janë larguar nga vendi me ndihmën e Gjermanisë, duke përfshirë 5300 vetë si pjesë e një evakuimi ushtarak, tha Baerbock.

24 milionë jetë në rrezik

Ministrja e Jashtme e qeverisë së re gjermane tha se rreth 24 milionë afganë rrezikohen të vdesin këtë dimër.

“Ne nuk mund të lejojmë që qindra mijëra fëmijë të vdesin, sepse nuk duam të veprojmë,” tha Baerbock.

Gjermania ka lehtësuar deri tani evakuimin e rreth 10.000 qytetarëve që kur talebanët morën kontrollin e Kabulit në gusht.

Talebanët janë fajtorë për “krime lufte”, thotë Amnesty International

Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International javën e kaluar i bëri përgjegjës talebanët, ushtrinë amerikane dhe forcat afgane të sigurisë për sulmet që shkaktuan vuajtje të përhapura civile gjatë rënies së qeverisë në Kabul.

Sipas raportit të Amnesty-së, talebanët kryen “krime lufte” gjatë rënies së qeverisë afgane, e cila mbështetej nga komuniteti ndërkombëtar./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.