Kërkesa u refuzua, por operatori kabllor nga Serbia zgjerohet pa leje në jug të Ibrit

Programi i televizionit N1, që është një nga programet e rralla televizive me qëndrim kritik ndaj autoriteteve në Serbi – në pronësi të The United Group – nuk mund të shihet më në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Kjo është pasojë e transaksionit të kryer nga MTS, një degë e Telekomit të Serbisë, që bleu të gjithë operatorët kabllorë që mbulonin komunat e banuara me serbë në jug të lumit Ibër.

Transaksioni u konfirmua më 7 tetor nga drejtori i Përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Vlladimir Lluçiç. Ai deklaroi për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se MTS d.o.o., një degë e Telekomit të Serbisë, mori përsipër “të gjithë operatorët kabllorë në mjediset serbe në Kosovë”.

MTS d.o.o. është kompani e themeluar në vitin 2015, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Në krye të kësaj kompanie janë kryesisht njerëzit që janë të afërt me pushtetin aktual në Serbi, ndërkaq që Telekomi i Serbisë është themelues, me pjesëmarrje prej 100 për qind.

Pas blerjes, në vitin 2019 të të gjithë operatorëve kryesorë në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, e njëjta gjë tashmë është bërë me operatorët kabllorë që operojnë në mjediset e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.

Por, Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM) pretendon se MTS nuk është operatori i vetëm që operon në mjediset me shumicë serbe në Kosovë dhe shton se kërkesa e fundit e operatorit Herc, për të transferuar kompetencat e saj në kompaninë MTS, nuk është miratuar.

A është MTS d.o.o operatori i vetëm?
Herc, që është një nga operatorët kabllor më të mëdhenj në anën jugore të lumit Ibër, javën e kaluar ia ka dorëzuar biznesin e saj kompanisë MTS d.o.o, e cila, përveç N1, e hoqi menjëherë nga oferta kanalin Nova S, i cili gjithashtu është në pronësi të The United Group.

Megjithatë, ky kanal i dytë, ndërkohë është kthyer dhe është i qasshëm për shikuesit në pjesën qendrore të Kosovës.

Në kompaninë Herc nuk kanë dashur që të japin kurrfarë deklarate për Radion Evropa e Lirë, me shpjegimin se “MTS d.o.o. tani është përgjegjës për të gjitha deklaratat”, edhe pse vetëm pak ditë më parë ata i thanë Radiotelevizionit lokal KIM-it nga Çagllavica, në afërsi të Prishtinës, se kanalet N1 dhe Nova S ishin përjashtuar nga oferta për “shkaqe teknike”.

Radio Evropa e Lirë më pas i është drejtuar Zoran Millojeviçit, i cili, deri para disa muaj, ishte drejtor i degës së kompanisë së Telekomit në Mitrovicën e Veriut, por ai tha se nuk kishte të bënte me kompaninë e përmendur dhe tha se drejtor është Dejan Ognjenoviç.

Ognjenoviç, nga ana tjetër, nuk donte t’u përgjigjej pyetjeve të Radios Evropa e Lirë përmes telefonit, por kërkoi që pyetjet t’i parashtrohen me shkrim.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar Ognjenoviçit pyetjet me shkrim, por përgjigjet në pyetjet “nëse MTS d.o.o. është operatori i vetëm në mjediset me shumicë serbe në Kosovë” dhe “pse N1 u përjashtua nga oferta televizive”, nuk kanë arritur deri në publikimin e këtij teksti.

A është dhënë një leje?
Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM) konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se disa muaj më parë ajo mori një kërkesë nga operatori “BB Herc” me seli në Shtërpcë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, për t’i transferuar pronësinë e saj operatorit MTS d.o.o, por ky komision ka theksuar që ajo “kërkesë u refuzua për shkak të dokumentacionit jo të plotë”.

Komisioni i Pavarur për Media pohon se MTS d.o.o. nuk është operatori i vetëm që operon në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por se ekzistojnë edhe katër operatorë të tjerë të licencuar.

Nga ky komision theksojnë se Rregullorja për shpërndarjen e shërbimeve të mediave audio dhe audio-vizuale, përcakton që operatorët, pa kompensim, duhet t’i transmetojnë kanalet e shërbimeve publike, si dhe kanalet e tjera komerciale me transmetim tokësor, të cilat kanë statusin e transmetimit të detyrueshëm.

“Ofruesit e shërbimeve të mediave audio-vizuale me transmetim tokësor lokal dhe rajonal gëzojnë statusin e transmetimit të detyrueshëm përmes të gjithë operatorëve të shpërndarjes që veprojnë në atë komunë ose rajonin përkatës”, thotë nga KPM-ja.

Kush qëndron pas kompanisë MTS në Kosovë?
Kompania MTS d.o.o. u themelua në tetor të vitit 2015, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacionin. Selia e kompanisë është në Mitrovicën e Veriut dhe deri vonë, kreu i kësaj kompanie ishte Zoran Millojeviç – Zelja, përndryshe zyrtar në Partinë Progresive Serbe (SNS), në krye të së cilës është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Millojeviç më herët ka qenë i angazhuar në Zyrën për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.

Pas marrjes së të gjithë operatorëve kryesorë kabllorë në veri të Kosovës, kompania MTS d.o.o. është zgjeruar muajt e fundit në mjediset e banuara me shumicë serbe, në gjashtë komuna, në anën jugore të lumit Ibër.

Komenti nga N1
Igor Bozhiç, drejtor i televizionit N1 për Serbinë, vlerëson se “blerja e operatorëve të vegjël në mjediset e banuara me serbë në Kosovë nga filiali i MTS-së është një lloj zbatimi i politikës së Telekomit shtetëror në Serbi”.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që se kjo kompani ka punuar për më shumë se dy vjet për të shtypur dukshmërinë në Serbi, “ndërkaq tani këtë e shohim edhe në Kosovë”.

Bozhiç sqaron se operatorët serbë në Kosovë kanë pasur mundësinë që të transmetojnë televizionin N1, ndonëse ata vet nuk kanë pasur ndonjë marrëveshje konkrete.

Deri dy vjet më parë, në bazë të detyrimeve kontraktuese, N1 transmetohej përmes operatorit të madh kabllor të pavarur “Copernicus”, i cili më pas është blerë nga kompania Telekomi i Serbisë.

“Kur ata i blenë ata operatorë, në fakt kanë pritur që të skadonte kontrata dhe më pas anuluan programin tonë. Në Serbi, ata praktikisht po zvogëlojnë shikueshmërinë tonë në rreth 300,000 familje, aq sa në atë kohë mund të shiheshin nga familjet, përmes atyre dy operatorëve që ishin blerë ”, thotë Bozhiç.

Ai më tej sqaron që Telekomi ofroi të transmetonte televizionin N1 falas “që është në kundërshtim me biznesin kabllor që ekziston në Serbi”.

“Ishte e qartë se pronarët e kanalit tonë nuk mund të jepnin falas dhe u ofrua çmimi minimal për N1, por Telekomi refuzoi”, thotë Bozhiç.

A ka raste të ngjashme?
Vetëm rreth dy vjet më parë, RTV MIR (RTV Paqja) nga Leposaviqi, në veri të Kosovës, u shkëput nga sistemi kabllor, pasi filiali i kompanisë MTS d.o.o. bleu rrjetet më të mëdha kabllore në atë pjesë të vendit (VGN, Impuls dhe SAT).

Pastaj, këtij televizion lokal, i cili konsiderohet si i pavarur, iu shkyç dhe interneti, kështu që iu pamundësua transmetimi i programeve.

Më pas, RTV MIR ngriti padi ndaj MTS d.o.o. dhe në fund të dy palët ranë dakord për gjithçka. RTV MIR u tërhoq nga padia dhe dëmshpërblimet, ndërkaq MTS d.o.o. e ka kthyer këtë kanal në ofertën e tij.

“Unë nuk do të kërkoj më asgjë në lidhje me kompensimin e dëmeve. Ata e zbatuan atë që morën si vendim dhe e kthyen RTV MIR në kuadër”, thotë drejtori i televizionit MIR, Nenad Radosavleviç.

Ai edhe më tej pretendon që arsyeja fillestare për shkëputjen e RTV MIR nga sistemi kabllor ishte i një natyre politike, ndonëse, më pas, shkëputjen ia arsyetuan si “konsolidim të operatorëve kabllorë”.

“Ata operatorë kabllorë u blenë dhe pastaj ata duhet të bashkoheshin, ky ishte shpjegimi i tyre. Megjithatë, disa televizione lokale, si TV Most, nuk u shkyçën”, thotë Radosavleviç dhe sërish pohon se në fakt, kjo kishte ndodhur “për arsye politike, sepse MIR është një televizion i pavarur, i cili në mënyrë të barabartë i dha hapësirë opozitës dhe pushtetit”.

“Unë me këtë arsyetim u përfaqësova edhe në gjykatë, por ja që erdhi deri te ndryshimi i qëndrimeve dhe në fund erdhëm deri te marrëveshja e përbashkët”, thekson ai.

Nga Komisioni i Pavarur i Mediave thonë për Radion Evropa e Lirë se janë të njohur me rastin e RTV MIR dhe shtojnë se ky televizion ka të drejtën e transmetimit tokësor, në kategorinë rajonale dhe se të gjithë operatorët e licencuar që veprojnë në rajon duhet ta përfshijnë atë në paketën e tyre të kanaleve, sepse e “gëzon statusin e transmetimit të detyrueshëm”.

Ata deklarojnë se KPM -ja mbajti bisedime me palët e përmendura për të zgjidhur problemin dhe se më 6 gusht 2021, u informuan se ishin kthyer në listën e kanaleve dhe se “problemi ishte zgjidhur”.

Drejtori i RTV KIM nga Çagllavica, në afërsi të Prishtinës, Isak Vorguçiç, konsideron se nuk është problem që në periudhën e ardhshme mund të ketë vetëm një operator kabllor, por thekson që “nuk do të ishte mirë të keqpërdoret ai status dhe që ai operator të përcaktojnë kush shkon përmes kabllorit dhe kush jo”.

Megjithatë, ai konsideron që probleme të tilla nuk do të ndodhin, sepse RTV KIM duhet të transmetohet nga të gjithë shpërndarësit kabllorë.

“Me sa di unë dhe me aq sa kam informacione, gjithçka që ka të bëjë me televizionin KIM dhe pronarët e rinj, do të mbetet e njëjtë, siç ka qenë deri më tani”, thotë Vorguçiç.

Sa media në gjuhën serbe ka në Kosovë?
Në Kosovë ekziston kanali i dytë i Radio Televizionit të Kosovës (RTK2), i cili funksionon në kuadër të Shërbyesit Publik dhe që transmeton program në gjuhën serbe gjatë gjithë ditës.

Gjithashtu, brenda Shërbyesit Publik funksionon Radio Kosova, ku një program dy orësh në gjuhën serbe transmetohet çdo ditë, në valët e një kanali tjetër të kësaj radioje.

Përveç Shërbyesit Publik, ka edhe kanale televizive dhe radio stacione lokale, si dhe portale, të cilat kryesisht janë krijuar me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim të informimit të komunitetit serb.

Ekziston edhe ndërmarrja publike “MrezhaMost” Beograd (Rrjeti Ura), e themeluar me vendim të Qeverisë së Serbisë në vitin 2010, në kuadër të së cilës në hapësirën e Kosovës funksionojnë gjashtë media, tri televizione dhe tri radio stacione: TV Most nga Zveçani, Radio dhe TV Puls nga Shillova, Radio Mitrovica e Kosovës dhe Radio TV Graçanica./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *