Kërkuan ngritjen e katër akuzave për ish-presidentin Trump, ekspertët: Raporti i Komisionit të 6 janarit, historik

kerkuan ngritjen e kater akuzave per ish presidentin trump ekspertet raporti i komisionit te 6 janarit historik
kerkuan ngritjen e kater akuzave per ish presidentin trump ekspertet raporti i komisionit te 6 janarit historik

Komisioni i Kongresit amerikan që hetoi sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, publikoi dje variantin e plotë të raportit përfundimtar të hetimeve. Pas një pune që zgjati rreth një vit e gjysmë dhe dëshmive të më shumë se një mijë dëshmitarëve, ligjvënësit theksojnë se ish-presidenti Donald Trump luajti një rol kyç në inkurajimin e përpjekjes për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 2020-ës.

Pothuajse dy vjet pas sulmit më të rëndë ndaj Kapitolit që prej dy shekujsh, ligjvënësit amerikanë publikuan raportin e tyre përfundimtar mbi ngjarjet e asaj dite – duke arritur në përfundimin se ish-Presidenti Donald Trump inkurajoi në mënyrë aktive sulmin.

“Për 187 minuta, ai shpërfilli në mënyrë aktive detyrimin e tij kushtetues që ligjet të zbatohen me besnikëri, siç e kemi vërtetuar nga muaj të tërë hetimesh, kjo për shkak se turma synonte atë që dëshironte Presidenti Trump – të pengonte transferimin paqësor të pushtetit”, u shpreh ligjvënësja demokrate Elaine Luria.

Raporti përmban dëshmi dhe dokumente të papublikuara më parë.

“Është historik fakti që publiku mund të shohë të dokumentuara ngjarjet e asaj dite, ashtu siç është bërë me raportin e Komisionit për 11 shtatorin. Është një dokumentim historik, që synon të paraqesë sa më saktë faktet e asaj dite”, thotë profesori i Universitetit “George Washington”, Jon Lewis.

Bazuar në provat e mbledhura, komisioni i ka rekomanduar Departamentit të Drejtësisë të ngrejë akuza penale ndaj ish-presidentit Trump– hera e parë që kjo ndodh në historinë amerikane.

“Një nga parimet thelbësore të sistemit demokratik amerikan, që e ka bërë kaq të qëndrueshëm, është se presidenti i ri dhe qeveria e tij, në përgjithësi nuk përpiqen të ndëshkojnë një ish-president. Kështu, ideja e një përpjekjeje për ndjekur penalisht një ish-president është e panjohur në historinë amerikane. Fakti që kjo po bëhet në këtë rast, tregon se sa të skajshme ishin veprimet e ish-presidentit Trump.”

Zoti Trump e ka kritikuar komisionin gjatë gjithë hetimit të tij dhe tha të hënën se kërkesa për akuza penale e forcon atë.

Më shumë se 930 individë janë ndjekur penalisht për përfshirje në sulm – dhe megjithëse sipas raportit shumë vetë kanë shprehur keqardhje për përfshirjen, analistët e ekstremizmit thonë se lëvizje me ideologji të tilla vazhdojnë.

“Siç shihet nga grupet ‘Oathkeepers’ dhe ‘Proud Boys’ sot, këto organizata vazhdojnë të përqafojnë teoritë e tyre konspirative dhe pikëpamjet e tyre rreth ngjarjeve të 6 janarit”, thotë prof. Lewis.

Raporti dokumenton gjithashtu dështime të shumta nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe zbulimit për të parashikuar kërcënimet që vijnë nga ekstremizmi i brendshëm.

“Paraqet një rrezik shumë të madh për vendin fakti që terroristë të brendshëm, njerëz që duan të përmbysin sistemin politik amerikan, ekzistojnë në një numër të madh në Shtetet e Bashkuara. Ata nuk e pranojnë sundimin e ligjit. Ata nuk pranojnë fakte. Ata nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve. Dhe janë të gatshëm të ngrenë armët kundër Shteteve të Bashkuara”, thotë prof. Berman.

Publikimi i raportit shënon përfundimin e punës së komisionit. Departamenti Amerikan i Drejtësisë po kryen hetimin e vet për ngjarjet e 6 janarit, që ka të ngjarë të ndikojë në vendimin nëse do të ngrihen apo jo, akuza penale ndaj ish-presidentit Trump./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts