Këshilli i Mandateve miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës, BIRN: Pesë deputetë të PS dhe Alibeaj nga opozita votuan unanimisht

keshilli i mandateve miratoi kerkesen e spak per arrestimin e berishes birn pese deputete te ps dhe alibeaj nga opozita votuan unanimisht

Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë miratoi të hënën një kërkesë të SPAK për të lejuar caktimin e një mase arresti ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv në atë që njihet si afera me pronat e Klubit Partizani.

Kërkesa e SPAK për të autorizuar arrestin do të votohet në Kuvend në seancën e së enjtes.

Mbledhja e Këshillit të Mandatave filloi me masa të ashpra sigurie për shkak të protestës së organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha para hyrjes së Kuvendit. Për shkak të protestës godina ishte e rrethuar me punonjës të policisë, ndërsa brenda korridoreve kishte prani të shtuar të gardës dhe policisë.

Megjithatë, seanca vijoi normalisht dhe mbrojtësit e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, parashtruan një kërkesë për pezullimin e shqyrtimit deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjokutaj tha se 30 deputetë të opozitës kishin bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar nenin 73 pika 2.

Mbrojtja e Berishës pretendon se masat e marra nga Gjykata e Posaçme për “detyrim paraqitjeje” dhe ndalimi për t’u larguar nga Shqipëria janë “heqje lirie” dhe këmbëngul që për to duhej të ishte bërë kërkesë në Kuvend. Por kjo kërkesë u rrëzua nga Këshilli i Mandateve që vuri në dukje se ajo ishte e pabazuar në ligj.

Në krahun tjetër, prokurorët e SPAK Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja parashtruan kërkesën, duke këmbëngulur se masat e marra deri në atë moment nuk kërkonin autorizim të Kuvendit. Në përgjigje të pyetjeve të deputëteve dhe avokatëve të Berishës, Kraja theksoi disa herë se kërkesa për arrestim bazohej vetëm në faktin që Berisha kishte refuzuar të zbatonte vendimet e gjykatës deri në atë moment.

“Ne themi që Berisha nuk zbaton vendimet e dy Gjykatave të Posaçme, është shtetas i Shqipërisë, dhe si i tillë duhet të jetë i barabartë para ligjit,” tha Kraja.

Kraja këmbënguli që kërkesa e SPAK nuk kishte prapavijë politike, dhe në përgjigje të pyetjes së deputetit të opozitës, Enkelejd Alibeaj, tha se SPAK ishte përballur me akuza për njëanshmëri politike edhe në rastin e arrestimeve të përfaqësuesve të shumicës, por se qëndrimet nuk ishin politike.

Mbrojtja e Berishës u përfshi disa herë në polemika me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndërsa Gjokutaj e akuzoi Këshillin e Mandateve për paragjykim. Gjokutaj pretendoi se SPAK nuk kishte kryer hetime të plota dhe kishte fshehur prova që vinin në dukje rolin e kryeministrit Edi Rama si ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës në procesin e tjetërsimit të destinacionit të truallit të klubit Partizani. Avokatët po ashtu pretenduan se nuk kishte arsye pse të ndryshohej masa ndaj Berishës. Avokati Sokol Mëngjesi vuri në dukje në fjalën e tij se Berisha nuk ishte njoftuar rregullisht për masat shtrënguese, nuk kishte tentuar të largohej nga vendi dhe se masa e marrë ndaj tij deri në këtë moment ishte e paligjshme.

Votimi Ne Kuvend Per Berishen 2048x1365
Votimi Ne Kuvend Per Berishen 2048×1365

Të 6 deputetët e pranishëm në sallë, Lindita Nikolla, Emonela Felaj, Klotilda Bushka, Arben Pëllumbi, Bledi Çuçi të Partisë Socialiste dhe Enkelejd Alibeaj nga segmenti i Partisë Demokratike të drejtuar nga Basha arsyetuan unanimisht se kërkesa duhej të miratohej, sa kohë që nuk kishte të dhëna se ajo ishte politike.

Alibeaj tha në fjalën e tij se ky ishte qëndrimi i vjetër dhe konseguent i Partisë Demokratike, ndërsa parashtroi se në vitin 2012, PD kishte kërkuar heqjen totale të imunitetit. Gjatë seancës së pyetjeve, Alibeaj u tha avokatëve të Berishës nëse ky i fundit kishte marrë nën shqyrtim qëndrimin moral të heqjes dorë nga mandati deri në përfundim të procesit penal ndaj tij.

“Ta konsiderojmë si shërbim ndaj shqiptarëve sot e në të ardhmen, zero imunitet për askënd, mbështetje totale për SPAK. Krijimi i një kushti pozitiv, që mos lejojë perceptimin se po krijohen dopio standarde,” tha Alibeaj.

Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe deputetët e shumicës, që u fokusuan kryesisht në barazinë para ligjit ndërsa vunë në dukje se Berisha kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Gjykatës së Posaçme. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, gjatë fjalës së tij në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, vuri në dukje qëndrimin e Komisionit të Venecias, sipas të cilit mbrojtja për deputetët jepej vetëm në raste shumë të rralla. Ai po ashtu tha se çdo kërkesë e SPAK do të miratohej. “Çdo kërkesë e SPAK, pavarësisht nëse deputeti është i majtë, i djathtë apo i asnjë krahu politik, do të gjejë mbështetjen tonë,” tha Çuçi.

Gjatë kohës që zhvillohej seanca, Berisha udhëhoqi një protestë para dyerve të Kuvendit të Shqipërisë në të cilën akuzoi SPAK se i shërbente Edi Ramës. “Sot në parlament, dy larot mercenarë të Edi Ramës janë dëshmia më flagrante e shtetit monist,” tha Berisha duke iu referuar prokurorëve që kanë ngritur akuza ndaj tij.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Berishën se ndërmori ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në marrjen e pronës që i hapi rrugën ndërtimit të një kompleksi prej 17 pallatesh në zonën ku më parë ndodhej klubi sportiv “Partizani”. Berisha i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar hetimin kundër tij si të orkestruar politikisht nga kryeministri Edi Rama./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts