Këshilli Kombëtar shtyn primaret për zgjedhjen e kandidatëve për bashkitë! Grup auditi për financimet ruse, Berisha: Në arkën e PD nuk kanë hyrë para









Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi vendimin e kryesisë dhe ngriti grupin e punës për të realizuar auditimin për financimet ruse gjatë zgjedhjeve të 2017-s, Kodin Etik dhe disa rregullore të brendshme, ndërsa shtyu primaret për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë Bashkie.

f749d288-3555-4f40-8c87-ffa4a490cc49

Vendimi që ka për qëllim auditimin e përdorimit të fondeve të Partisë Demokratike për çështjen “Nik Muzin” do të ketë një grup pune me kryetare Ledina Mandia dhe anëtarë Florion Mima, Edmond Spaho, Eno Bozdo dhe Aldo Bumçi. Objekti i veprimtarisë së grupit të auditit është kontrolli, verifikimi, dhe bërja e transparencës së plotë lidhur me përdorimin ose jo të fondeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me çfarëdolloj prejardhje, në aktivitete lobimi në periudhën përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve për kuvendin e datës 25.06.2017.

Grupi i auditit duhet të verifikojë në mënyrë të veçantë dhe të japë përgjigje të plotë lidhur me akuzat e bëra publike në media mbi përdorimin e fondeve me prejardhje të dyshimtë ose dhe të paligjshme për aktivitete lobimi në favor ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këshilli Kombëtar shtyu për shtunën e ardhshme votimin për zhvillimin e primareve brenda partisë përpara zgjedhjeve vendore pasi anëtarët e kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me materialin e miratuar në kryesi. Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë disa kritere si të jenë me arsim të lartë, të kenë integritet dhe mos jenë dënuar për vepra penale, të mos kenë qenë anëtar kandidat, apo pasur funksione shtetërore apo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit përpara 1991.

AKUZAT

Kryetari i PD-së Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, i bëri thirrje Lulzim Bashës të flasë dhe të bëjë transparencë lidhur me financimin rus në parti, në 2017 për të cilën u ngrit edhe grupi i auditimit në PD dhe të zbulohet se çfarë ka ndodhur më këto para. “Ky është një kat shumë i rëndë për PD, ky është shkelmim, por do thekson tre gjëra, e para gjer sot nuk ka asnjë individ në PD që të ketë pasur dijeni për financime ruse, akt personal i Bashës.

Ai duhet të thotë ku i mori paratë dhe si i dërgoi në Skoci, e shpëtoi një herë Rama, por kjo çështje është shumë serioze dhe ai të bëjë transparencë të plotë se ka drejtuar këtë parti, ndonëse ju e dini që gjënë më të lehtë ka gënjeshtrën. Edi Rama deklaroi edhe para një jave se ato e dinim që janë para ruse, por faktikisht bëri gjithçka për të mbyllur dosjen, për të marr peng kryetarin e PD-së. Ai s’ka lënë asgjë në zyra, ka marrë dhe hard disc, por Komisioni me ato që mund të hetojë, të informojë Këshillin Kombëtar dhe opinion publik”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri komentoi edhe vendosjen e fashës dhe 4-fishimin e çmimit të energjisë elektrike për faturat mbi 800 këh në muaj. “Energjinë nga digat e shesin me 40 euro. Ai e shet në bursë me 130 euro dhe fitimin e ndan. Ata blerjen e energjisë me 500 euro kur në bursë shitet me 280 euro. Sot rrit çmimin për shtresën e mesme. Ai 800 KË është kurthi që ka ndërtuar kundër kësaj shtese dhe qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai. Kreu i PD-së e cilësoi Kryeministrin Edi Rama, si tradhtarin e kombit pasi sipas tij, është ai që shiti detin.

“Marrëveshja e detit e firmosur në 2009, nuk mund të them se ishte e përsosur por një ekspertizë serioze ndërkombëtare shprehet se linja të përcaktuara do të dërgojë në gjykatë. Këto verbërisht e ç’bënë gjithë këtë punë që ishte bërë. Në këtë rast Greqia përdori të drejtën që nuk mund t’i mohohej. Në ligjin ndërkombëtar ka të drejtë 12 milje, Edi Rama e njohu këtë të drejtë, Edi Rama shiti detin. Nuk po shkohet në gjykatë për marrëveshje të 2009, as për marrëveshje që negocioi me Kotsias, por për të përcaktuar linjën detare me 12 milje pala tjetër, dhuratë plotësisht e Edi Ramës, për shkak të largimit të tij nga gjykimi i marrëveshje së 2009. Sillet sikur ta ketë Shqipërinë çiflig të vetën”, tha Berisha.

PROTESTAT

Kryetari i PD-së deklaroi në Mbledhjen e Këshillit Kombëtar se protestat e fuqishme dhe të gjithanshme mund të shpëtojnë vendin nga ky regjim. “Shqipëria po zien e vlon sot, sepse sot pakënaqësia e urrejtja ndaj kësaj qeveria është më e jashtëzakonshme se kurrë. Shqiptarët sytë mendjen e besimin e kanë tek PD, tek demokratët. Ju takoni më shumë qytetarë se unë. Unë nuk gjej një të vetëm që të mos më pyesë ç’po bëni. Një të vetëm që të mos thotë te ju e kemi shpresën.

Një që të mos thotë protesta e vetëm protestat mund të shpëtojnë shqiptarët nga ky regjim. Situata është dëshpëruese dhe do përkeqësohet edhe më tej nëse ne nuk arrijmë të dëshmojmë se në misionin tonë nuk kemi të ndalur. Koha ka kaluar, jo po vjen, koha e protestave të fuqishme e të gjithanshme po kalon. Çdo ditë është humbje. Çdo demokrat e drejtues duhet të bëjë gjithçka për të mobilizuar e motivuar PD në radhë të parë e cila duhet të ngrihet në nivelin e temperaturave të larta që ekzistojnë tek qytetarët dhe urrejtjen e pakënaqësinë për këtë qeveri. Pastaj të kalojmë në forma të shumëllojta qëndrese e kryengritje paqësore”, tha Berisha.

Paloka: Aksioni opozitar do të përfshijë greva dhe protesta

Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka zbuluar vendimet e marra gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së këtë të hënë. Gjatë një deklarate për media në përfundim të takimit, Paloka zbuloi se anëtarët e Këshillit Kombëtar miratuan Kodin Etik dhe rregulloret për funksionimin e brendshëm të organeve qendrore dhe lokale të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, ai bëri me dije se rregullorja për primaret e zgjedhjeve lokale u shty për tu diskutuar të shtunën e ardhshme në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar. “Me vendim të Kryesisë u futën në rendin e ditës miratimi i Kodit Etik të Partisë Demokratike si dhe disa rregullore. Rregullorja për funksionimin e organeve qendrore të Partisë Demokratike, rregulloreje për funksionimin e degëve të Partisë Demokratike dhe më e rëndësishmja rregullorja e primareve për pushtetin lokal.

U miratuan rregulloret e para dhe Kodi Etik, ndërkohë që pati një propozim nga anëtarët e Këshillit Kombëtar, që rregullorja për primaret, pra zgjedhja e kandidaturave për pushtetin lokal të shtyhet në një kohë tjetër me qëllim që anëtarët të njihen më mirë me përmbajtjen e kësaj rregulloreje dhe pastaj dhe për diskutimet e ardhshme që pritet të bëhen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar, e cila u vendos të jetë këtë të shtunë. Meqenëse statuti parashikon 5 ditë para nga njoftimi”, tha Kryetari i Këshillit Kombëtar.

Paloka shtoi se gjatë takimit të sotëm u diskutua dhe vijueshmëria e aksionit opozitar që do të përfshijë protestat grevat dhe takimet me qytetarët. “Pati diskutime mbi qëndrimet që duhet të mbajë PD dhe aksionin opozitar dhe u ra në dakordësi që sa më shpejt duhet të organizohet jo vetëm protesta por një shumëllojshmëri aktet dhe aksionesh opozitare, përfshirë këtu grevat e grupeve sociale të cilët do të kontaktohen nga ne. Duke vazhduar nga sindikatët që janë në shqipëri dhe me grupet e tjera sociale si mjekët dhe mësuesit, që janë në syrin e ciklonit të kësaj keqqeverisje me qëllim që aksioni opozitar të ketë një shumëllojshmëri veprimesh që do të përfshijnë grevat protestat qytetare dhe një mori aktivitetesh që do të nisin me takimet kokë më kokë me qytetarët për të vijuar me këto aktivitete që unë thashë”, tha Paloka.

I pyetur nëse Të shtunën a do të diskutohet një datë proteste, Paloka theksoi se: “Data e protestës është një çështje burokratike sepse fillimisht duhet që gjithë kjo mori aktivitetesh të organizohen dhe të kemi pastaj rezultat nga gjithë ky aksion opozitar. Të shtunën do diskutohet hyrja e diskutimit për rregulloren e primareve, sigurisht do të ketë çështjë të tjera jashtë rendit të ditës që do duan të diskutohet anëtarët e Këshillit Kombëtar”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *