“Këtë vit do kemi 800 të dënuar të punësuar”- Ministri i Drejtësisë: Më 1 korrik rrisim paga për…









KELMENT BAÇI/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh dje në Kuvend se për herë të parë në 30 vite, të burgosurit do të punësohen në administratën e burgjeve ose sektorin privat.

Duke prezantuar nismën e re të dikasterit që drejton, Manja u shpreh se këtë vit do të punësohen 800 të burgosur, ndërsa në vitin e ardhshëm synimi është që kjo shifër të shkojë në 2 mijë të burgosur. “Një reformë strukturore kemi ndërmarrë në sistemin e burgjeve. Shumë shpejt do publikojmë edhe risitë që nuk kanë ndodhur në 30 vjet. Për herë të parë këtë vit do të kemi 800 të dënuar të punësuar si në administratën e burgjeve, ashtu edhe në sektorin privat. Ambicia jonë është që vitin tjetër të shkojmë në 2 mijë të dënuar të punësuar”, tha Manja. Ministri i Drejtësisë nuk la pa përmendur edhe premtimin e qeverisë për rritjen e pagave për punonjësit e burgjeve. “Më 1 korrik, fillojnë pagat e reja për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe uniformat e reja për Policinë e Burgjeve. Premtuam mbylljen e burgut të Zaharisë, një gangrenë që përmendej në çdo raport ndërkombëtar dhe e mbyllëm. Ne jemi qeveri e mbajtjes së fjalës edhe pse do donim të kishim bërë më shumë”, u shpreh Manja.

RAPORTI

Gjatë fjalës së tij, ministri i Drejtësisë iu përgjigj akuzave të opozitës për raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke thënë se ai vlerëson punën e bërë për ecurinë e Reformës në Drejtësi. “U bënë vite që qeveria socialiste ka për oponencë vetëm raportet që vijnë nga shtetet mike dhe aleate, ndërsa ajo që duhet vërtetë të bëjë opozitën, thjeshtë bën relatoren e raporteve dhe qëmton se ku ka ndonjë bojë gri që pastaj ta nxijë. Sa i përket raportit të DASH-it, qeveria shqiptare e ka studiuar me seriozitetin më të madh, sepse na ka takuar të jemi vetë kritikues dhe vetë korrigjues. Dikur raporte të tilla si ky i DASH-it sulmoheshin dhe anatemoheshin si herezi, ne mbajmë shënime, reflektojmë dhe reagojmë me punë. Ky është një ndryshim shumë i madh.

Sipas DASH-it qeveria shqiptare vazhdoi të punojë për një proces të monitoruar ndërkombërtarisht si vetingu. “Deri në shtator, 42 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të verifikuar kishin dështuar dhe ishin shkarkuar”, thotë raporti. “36 për qind kaluan dhe 22 për qind dhanë dorëheqjen ose pezulluan. Sot, që flasim kanë kaluar në sitë diku te 550 gjyqtarë dhe prokurorë, gati 58 për qind e tyre kanë ngelur në sitën e vetingut. Nuk di si e lexojnë opozitat tona këto, por besoj se nuk ka nevojë për koment, është e shkruar në raport. Ky është vlerësim për qeverinë. Drejtësia e re është për të gjithë shqiptarët”.

Manja iu drejtua opozitës, duke thënë se: “Korrupsionin po e luftojmë fortë në qelizë pa pritur të na kthehet në kancer. Lufta kundër korrupsionit që 9 vite më parë as që mendohet të kalonte mbi nivelin e specialistëve, imagjinoni për drejtorë e ministra. Sot, nuk njeh nivele! Çudia është që maxhoranca nuk bën kurrë asnjë mbrojtje për këdo që akuzohet për korrupsion edhe në radhët tona, ju herë pas herë bëni ndonjë mbrojtje me stil për ndonjë gjyqtar apo prokuror që iu jep ndonjë vendim për t’u regjistruar në Gjykatë”. Sipas ministrit Manja, një sërë zyrtarësh kanë kërkuar ekspertizë nga Shqipëria për realizimin e Reformës në Drejtësi.

“Një sërë zyrtarësh të lartë nga vendet mike kanë kërkuar ekspertizë nga Shqipëria për të sjellë shembullin e saj për vendet e tjera sa i përket Reformës në Drejtësi. Ua kam përmendur gjithmonë më kryesoren: Vullnetin politik për implementimin e kësaj reforme”, tha kreu i Ministrisë së Drejtësisë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.