Kievi dhe Moska, sot mbajtën një tjetër takim online

19:59 21/03/2022

Kremlini: Marrëdhëniet diplomatike SHBA – Rusi pranë kolapsit

Delegacionet e Kievit dhe Moskës po përpiqen sërish këtë të hënë të sheshojnë më tej ndasitë për konfliktin e Ukrainës. Grupet negociatore të dy vendeve biseduan sërish online për 90 minuta rreth çështjes së armëpushimit, të kërkuar nga Ukraina teksa ende nuk ka detaje. Është bërë e ditur se grupet e punës do të vijojnë të bisedojnë gjatë gjithë ditës edhe për vënien në funksion të korridoreve humanitare .

Pavarësisht optimizmit të shprehur të dielën nga ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushogllu se palët janë pranë një marrëveshjeje, duket se palët nuk po arrijnë t’i çojnë përpara bisedimet. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, tha se negociatat kanë ngecur, duke fajësuar Kievin. Moska nuk duket e gatshme të pranojë që vende të huaja, të garantojnë sovranitetin e Ukrainës në rast të një sulmi nga jashtë. Ky është kushti i Kievit për të pranuar mosanëtarësimin në NATO dhe demilitarizimin e gjithë vendit, siç kërkon Moska.

Peskov iu përgjigj edhe kërkesës së Zelenskit për një takim me Putinin. Sipas tij, ky takim do të zhvillohet vetëm kur të jenë vënë baza të forta, çka nënkupton se Putin dhe Zelenski do të takohen vetëm për të nënshkruar traktatet që do të përpilohen nga dialogu në nivel diplomatësh.

Teksa Moska dhe Kievi në dukje po përpiqen të përdorin diplomacinë për zgjidhjen e konfliktit , marrëdhëniet diplomatike mes SHBA dhe Rusisë janë drejt kolapsit .

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, arsyeja e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve është deklarata që Presidenti amerikan Joe Biden ka bërë duke cilësuar Vladimir Putin si kriminel Lufte. Mbi këto deklarata të Kremlinit nuk ka ende një reagim të Uashingtonit.

Sakaq, Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë një bisedë telefonike me liderët evropianë Dragi, Macron, Scholz e Johnson, para se të nisë turin e tij në vendet e BE-së ku do të marrë pjesë edhe në samitin e NATO-s këtë javë në  Bruksel.

Tv Klan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.