Kishte konvertuar targat në “RKS”, i vihet flaka makinës në Leposaviç të Kosovës

Një veturë në Leposaviç të Kosovës, që sapo kishte konvertuar targat në RKS (Republika e Kosovës) është djegur, thanë nga Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush ia vuri flakën veturës.

“Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për detyrat e tyre, por sidoqoftë mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshëm për aktorët e mundshëm të këtij akti kriminal”, tha Hoti.

Djegia e veturës në fshatin Krajkovë të Leposaviçit të banuar me shumicë serbe, sipas raportit 24-orësh të policisë, ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit.

Ky incident ndodhi disa ditë para se të përmbyllet procesi i riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për djegie të veturave të personave që i kanë konvertuar targat në RKS.

“Nuk kemi ndonjë informacion në këtë fazë, sepse nuk është vetura e vetme që është djegur, janë disa vetura që në këtë periudhë kohore që janë djegur dhe qytetarët janë dëmtuar në pronat e tyre, sidoqoftë mbetet të hetohet më tutje”, tha Hoti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, komentoi për ngjarjen në Leposaviq, por edhe për siç tha ajo, kërcënimet që serbët në Kosovë po përballen nga “strukturat ilegale”.

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.

Edhe në të kaluarën, autoritetet kishin fajësuar strukturat në veriun e banuar me shumicë serbe, për djegien e veturave. Në shtator ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte shkruar në Twitter se “edhe një zyrtar serb i Policisë së Kosovës u sulmua nga strukturat paralele që dogjën veturën e tij me targa legale RKS. Kjo është thirrje e hapur për të luftuar institucionet e Kosovës”./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com