Klan News në Pragë, qyteti i trishtuar pas tragjedisë

klan news ne prage qyteti i trishtuar pas tragjedise
klan news ne prage qyteti i trishtuar pas tragjedise
[embedded content][embedded content]

18:03 29/12/2023

Vijon pelegrinazhi në nderim të 14 studentëve të vrarë

Frikë, pikëllim, shi dhe borë! Kambanat në kisha që bien në nderim të viktimave. Kështu duket Praga kur ka kaluar më shumë se një javë nga masakra mbi studentët e pafajshëm të Fakultetit të Filozofisë, të Universitetit të Karlit në qendër të qytetit historik.

Përderisa banorët kujtojnë viktimat, policia ka dalë në rrugë, ligjëratat në universitet janë anuluar.

Qytetarët vendas si dhe turistët e huaj vijojnë që të nderojnë viktimat, duke ndezur qirinj dhe vendosur kurora lulesh jashtë ndërtesës së Universitetit të Karlit. Studentët dhe miqtë e viktimave po mbledhin fonde financiare për t`ju ardhur në ndihmë familjeve të tyre. Universiteti i Karlit i themeluar më 1347 është më i vjetri dhe më i madhi në Republikën Çeke, dhe një prej institucioneve më të vjetra akademike në Evropë.

“Ishte një ngjarje me të vërtet e tmerrshme. Ne jemi të gjithë të shokuar sepse mendonim se jetojmë në një vend të bukur , të qetë. Unë kam studiuar në këtë universitet disa vite më parë, por ende ndjehem pjesë e tij. Unë personalisht nuk e dija që secili prej nesh mund të mbajë armë me leje në shtëpi.”

“Ndjehem i trishtuar. Është hera e dytë që vij këtu dhe ndez qiri sepse ajo që ndodhi një javë më parë është e pabesueshme. Duhen masa strikte në përdorimin e armëve që kjo ngjarje e rëndë të mos ndodhë më këtu.”

“Është hera ime e parë si turist në këtë qytet. Erdhëm në këtë vend pasi ndoqëm nga mediat këtë ngjarje të rëndë. Shoh njerëz që shprehin nderim për viktimat e pafajshme. Duhen ndryshuar ligjet për përdorimin e armëve në duart e popullsisë civile. Në vendin tonë zgjodhëm një president liberal në përdorimin e armëve nga qytetarët, por unë jam kundër.”

“Ajo që ndodhi këtu në qendër të qytetit, është diçka krejtësisht e paprecedentë. Të gjithë jemi ende të tronditur. Për ne, është edhe më e rëndë sepse jemi vendas dhe sepse jemi të diplomuar në Fakultetin Filozofik. Nëse do të kishim qenë në vendin e gabuar në kohën e gabuar, mund të na kishte ndikuar shumë më tepër sesa thjesht një fakt që ndodhi disa metra larg nesh. Kur mendoj se mund të ishim prekur nga plumbat.”

Sulmi që ndodhi në universitet, më 21 dhjetor, është akti më i rëndë me të shtëna me armë zjarri në historinë e Republikës Çeke.  Qeveria po reflekton për masa të rrepta që do të kufizonin numrin e armëve në duart e popullsisë civile. Ky shtet me 10.5 milionë banorë, ka ligje liberale për mbajtjen e armëve nga qytetarët, në krahasim me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Në duart e popullsisë civile ka më shumë se një milion armë të regjistruara. Armëmbajtja personale u lejua për shkak të sulmeve terroriste që ndodhen në Berlin dhe në Nicë vite më parë në mënyrë që qytetarët çekë të bënin një mbrojtje aktive dhe të shpejtë, por tashmë kjo ka rezultuar fatale.

Qytetarët këtu befasohen çdo ditë nga të dhëna të reja që publikohen në gazeta e televizione rreth autorit të sulmit të armatosur në Universitetin e Karlit nga 24 vjeçari David Kozak. Policia është përqendruar edhe në monitorimin e rrjeteve sociale ku ende ka individë që admirojnë akte të tilla të rënda kriminale.

Vendngjarja e masakrës ndodhet jo shumë larg nga Sheshi i Qytetit të Vjetër të Pragës ku ngjyrat e festive të fundvitit nuk arrijnë të shuajne nga memorja atë akt të rëndë. Administrata qendrore u ka kërkuar kryetarëve të të gjitha qyteteve dhe fshatrave që t’i anulojnë fishekzjarrët për natën e Vitit të Ri.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts