Kombëtarja, skaneri i një dështimi të paralajmëruar/ 20 arsye pse trajneri Edi Reja & CO zhgënjyen këtë edicion









Liga e Kombeve rezultoi një dështim për Kombëtaren shqiptare. Jo pa pasoja, sepse humbasim një shans për të shkuar në “play off” për Europianin 2024. Gjithashtu humbasim terren edhe në renditjen e përgjithshme për shortin që do të hidhet në kuadër të kualifikueseve të Europianit. Përtej pikëve të grumbulluara dhe faktit që as vendin e dytë nuk e kemi siguruar ende, problemi më i madh i Shqipërisë, ai që i shqetëson pothuajse të gjithë është pikërisht loja.

SHQIPERIA 3

Nën drejtimin e Edi Rejës, ky është një defekt që pothuajse nuk u korrigjua asnjëherë. Megjithatë, kur flitet për dështim, përgjegjësia nuk është vetëm e një personi, në këtë rast trajnerit. Në situatën ku ndodhemi, përgjegjësia është padyshim e Edi Rejës, por edhe e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për zgjedhjen që bëri në stolin kuqezi, si dhe natyrisht e futbollistëve. Le t’i marrim gjërat me radhë dhe të kuptojmë se çfarë nuk ka shkuar gjithë “epokën” Reja në Kombëtaren shqiptare…

1. Së pari, trajneri italian pati të gjithë kohën e mjaftueshme për të ndërtuar grupin e futbollistëve, që do të formonin atë që cilësohet skuadër, nga ku do të bazohej për të pasur sukses në Ligën e Kombeve.

2. Nuk dolëm dot të parët në një grup me vetëm tri skuadra, ku favoritja dhe më e rrezikshmja u përjashtua nga aktiviteti (Rusia).

3. Nuk ia dolëm të lëmë pas dy ekipe si Izraeli dhe Islanda, që natyrisht nuk janë të lehta, por nuk janë as Gjermania dhe as Anglia.

4. Reja dhe stafi i tij nuk shfrytëzuan dot potencialin e një brezi të shkëlqyer lojtarësh, ndoshta më i kompletuari në letër sa i përket nivelit ku luajnë sot në Europë.

5. Nuk u shfrytëzua as mosha mesatare, relativisht e ulët e skuadrës.

6. U aplikua me kokëfortësi një skemë (5-3-2), që nuk bindi asnjëherë dhe nuk i dha ekipit kurrë qetësinë e të luajturit të sigurte. Edhe të shtunën ndaj Izraelit, që ishte nga të rrallat herë kur trajneri e nisi një ndeshje me një tjetër variant taktik (4-3-1-2), sërish dështoi dhe mbi të gjitha pësoi golin e parë sapo iu kthye skemës 5-3-2 gjatë lojës.

7. U menaxhuan keq lojtarët e rinj. Diskutimi që, “duhet apo jo të luajë Broja”, ndërkohë që ai ishte në superformë gjatë eliminatoreve të Botërorit, diçka e krisi në atmosferën e skuadrës. Shikoni me vëmendje deklaratat pas humbjes së fundit: fatura u shkon të rinjve.

8. U bënë eksperimente pafund, të panevojshme dhe deri diku absurde. Reja e nisi në krye të Shqipërisë duke futur Odise Roshin mbrojtës të majtë kundër Francës dhe e përfundoi duke spostuar një të djathtë tipik si Hysaj, që të luante në të majtë.

9. Lojtarë që shkëlqenin në skuadrat e tyre nuk luajtën për një periudhë të gjatë në Kombëtare. Shembulli tipik ishte ai i Ivan Balliut, për të cilin Reja u kujtua kur mbrojtësi i djathtë ishte më shumë se dinjitoz edhe kundër Realit të Madridit në Spanjë.

10. Kombëtares i mungojnë liderët, lojtarët me personalitet të tipit Lorik Cana, Ansi Agolli, Mërgim Mavraj apo Taulant Xhaka, që imponohen brenda grupit dhe ndonjëherë ndikojnë edhe te trajneri.

11. Reja e ka “shëtitur” shiritin e kapitenit në disa lojtarë, ndonjëherë edhe sipas oreksit të shefave të federatës. Kjo tregoi mungesë serioziteti dhe krijoi keqkuptime të panevojshme te lojtarët.

12. Nuk u gjet kurrë një zëvendësues i Odise Roshit, lojtari i krahut që bën diferencën. Për ta ilustruar këtë, mjafton të shohësh se fitoret më të mëdha i kemi me Roshin në fushë, që ka qenë njeriu-asist.

13. Nuk u gjet kurrë një mbrojtës i majtë që të kishte vazhdimësi, edhe pse fillimisht Reja i dha besim Lorenc Trashit. Në ndeshjen e fundit ndaj Izraelit luajti sërish Elseid Hysaj në të majtë, ndërsa në stol u mbajt për 90 minuta Ermir Lenjani, për më tepër në një takim ku kapiteni gaboi jo pak dhe këtë e pranoi vetë pas sfidës.

14. Skuadra nuk ka një plan B dhe praktikisht kur pëson një gol nuk fiton kurrë nën drejtimin e Edi Rejës. Për herë të fundit Kombëtarja ka përmbysur rezultate vetëm në kohën e De Biazit (6 vite më parë).

15. Nuk shënojmë kurrë me goditje standarde, çka tregon se punohet pak ose keq në këtë drejtim. Nuk ka pasur asnjëherë reflektim për këtë.

16. Ka lojtarë që nuk mbajnë përgjegjësi, sepse janë “edukuar” ndër vite se çfarëdo që të ndodhë në fund, sërish do e pësojë trajneri dhe jo ata. Këtë film e kemi parë për dy dekada dhe e dimë mirë se si kanë ikur të ndjerët Oto Bariç dhe Josip Kuzhe, e gjithashtu Ari Han dhe Kristian Panuçi. Kësisoj, po të njëjtin fat mund të ketë edhe Reja.

17. Një pjesë e lojtarëve e shohin Kombëtaren si klub. Nën tutelën e FSHF-së për të izoluar gjithçka se mos dikush “thotë gjëra me zarar”, një pjesë e madhe e kuqezinjve janë të shkëputur nga realiteti ynë dhe ndonjëherë duken si të huaj. Paradoks i madh: izolojmë Kombëtaren nga njerëzit, por i ftojmë ata të mbushin stadiumet.

18. Në Itali ka një vlerësim të madh për lojtarë si Krisjan Asllani (Interi) dhe Nedim Bajrami (Empoli), duke i parë si yjet e rinj të Serisë A, por menaxhimi që u është bërë atyre nga Reja ka lënë për të dëshiruar. Në ndeshjen e fundi trajneri “dogji” Asllanin si numër 10, në një rol që ai nuk e kishte bërë kurrë dhe la Bajramin në stol.

19. Drejtoria e ekipeve kombëtare nuk ka fuqi as të imponojë zgjedhjet që bën Armand Duka te trajnerët. Nuk ka asnjë filozofi apo strategji për të ardhmen. Sot, askush nuk jep përgjigje për mungesën e sulmuesit Ernest Muçi në Kombëtare. Tashmë që po kalon një formë të shkëlqyer, sulmuesi injorohet, ndërsa më parë Reja e grumbullonte kur nuk luante fare te Legia e Varshavës dhe Shqipëria nuk kishte mungesa.

20. Nuk mund të kesh një Kombëtare të fortë kur niveli i kampionatit shqiptar bie gjithnjë e më shumë. Klubet tona vijnë pas një dështimi spektakolar në Kupat e Europës dhe në grumbullimin e fundit, trajneri Reja nuk mori asnjë lojtar të Superiores.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *