Koment/ Një vetëdije e re mund të lindë nga samiti i fundit, Italia me Mario Draghin mund ta zgjerojë BE-në në Ballkan

Nga Francesco De Palo
“Formiche”
Zgjidhja e problemeve, para shfaqjes së pengesave ideologjike dhe debateve. Një vetëdije e re mund të lindë nga samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua të mërkurën në Brdo të Sllovenisë. Sigurisht i dominuar nga zhgënjimi, duke pasur parasysh vonesat dhe problemet logjistike të regjistruara mbi një sërë çështjesh të rëndësishme si zgjerimi, energjia dhe gjeopolitika.

Por në të njëjtën kohë i shoqëruar me atë pragmatizëm të pastër, që po e karakterizon axhendën e Mario Draghi në Palazzo Chigi: zgjidhja e problemeve para polemikave mbi to. Në qendër të samitit ishte tërheqja e NATO-s nga Afganistani, marrëveshja mbi nëndetëset midis SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë, gjeografia e re politike e Ballkanit, rajon shumë me interes për Brukselin për shkak të afërsisë së madhe me BE-në, dhe padyshim pasojat gjeopolitike të sfidave energjetike.

Zgjerimi i BE-së
Pro zgjerimit të unionit, por si një rrugë strategjike e ndjekur prej kohësh nga BE, por me vetëdijen se duhet të hiqen pengesat (politike, burokratike dhe ideologjike) që mbeten ende përpara. Raportet midis BE-së dhe Ballkanit, janë aktualisht në një moment vendimtar.

Për çështjet e ardhshme gjeopolitike si energjia, në investimet lokale janë përfshirë tashmë edhe italianët, me aftësinë e veçantë të Romës për të bashkëvepruar me të gjitha shtetet e bregdetit të Ballkanit, aty ku Gjermania ka kohë në fakt që ka ndërmarrë veprime konkrete.

Kështu nga njëra anë, udhëheqësit e BE-së e kanë shpallur mbështetjen e tyre të hapur që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me unionin, ndërsa nga ana tjetër ata nuk i kanë fshehur vonesat që po ndodhin me procesin e anëtarësimit.

Një element ky i nënvizuar edhe nga Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel:“Nuk është ndonjë sekret, që sot ka një diskutim të vazhdueshëm mes 27 vendeve anëtare mbi aftësinë tonë për të rekrutuar anëtarë të rinj. Për këtë çështje është më se e qartë se ne duhet

të bëjmë ende progres”. Pa harruar Kosovën, një tjetër lojtare e rëndësishme rajonale, kryeministri i të cilës, Albin Kurti, deklaroi se donte ta mirëpriste deklaratën finale të Brdos,por “me disa rezerva”.

Frenimi i procesit
Çështja mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, mbetet peng i sjelljes së Bullgarisë, pavarësisht dritës jeshile nga ana e Brukselit. Siç dihet, problemi ka të bëjë me konfliktet e një natyre historike dhe gjuhësore, që për pasojë ndikojnë edhe në procesin e Tiranës dhe Shkupit.

Sipas Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen: “Ballkani Perëndimor ësht ëpara së gjithash pjesë e së njëjtës Evropë të Bashkimit Evropian. Ne ndajmë të njëjtën histori, të njëjtat interesa, të njëjtat vlera dhe unë jam thellësisht e bindur, që në ndajmë gjithashtu edhe të njëjtin fat. Dhe Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor!”.

G20
Është e qartë se samiti slloven ishte në një farë mënyre edhe përgatitor, për aktivitetin tjetër të madh që pritet të mbahet këtë vjeshtë, samitin e G20 që do të mbahet në Romë në fund të këtij muaji, e cila do t’i paraprijë ndër të tjera, samitit për Libinë më 12 nëntor.

Draghi bisedoi mbi këtë çështje me presidentin francez Emmanuel Macron (që sapo ka nënshkruar krijimin e një aleancë me Greqinë në fushën e mbrojtjes), dhe samiti i Brdos ishtenjë mundësi që të dy udhëheqësit (siç vërejnë burimet diplomatike) të diskutonin mbi çështjet që do të jenë në tryezën e G20, si vaksinimi ndaj Covid-19, solidariteti me Afrikën, Libinë,me një objektiv të saktë për Romën, Parisin dhe Berlinin:të vazhdohet përmes një koordinimi shumë të ngushtë, që anashkalon vonesat dhe pasiguritë.

Nuk është mister fakti që çështja e krizës së energjisë, edhe pse nuk përmendet hapur, lidhet drejtpërdrejt me rajonet e Ballkanit dhe Euro-Mesdheut, duke u gërshetuar me fatet e vendeve dhe qeverive që kufizohen me Mesdheun si Turqia, Qipro, Greqia, Egjipti dhe Izraeli, pa harruar lojtarët e mëdhenj që janë gjeografikisht më larg (si Rusia dhe Kina), por që gjithsesi kanë ndikimet e tyre në zonë.

Gjeopolitika
“Aleanca Atlantike duket më pak e interesuar për Evropën, duke e zhvendosur vëmendjen në pjesët e tjera të botës”- deklaroi Draghi në samitin slloven, duke shtuar se mbrojtja e përbashkët e BE-së nuk do ta dobësonte aspak NATO -n, siç deklaroi Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, por do të ishte komplementare me të, dhe “e forcon NATO-n dhe Evropën”.

Lidhur me çështjen afgane, ai vuri në dukje se:”Tërheqja nga Afganistani, sa i përket mënyrës sesi u vendos, u komunikua dhe u krye, dhe anulimi i kontratës midis Australisë dhe Francës për furnizimin e nëndetëseve bërthamore, për të blerë nëndetëset e prodhuara nga Amerika – dhe këtu nuk po i referohem vetëm thelbit, por edhe mënyrës në të cilën është komunikuar – janë dy mesazhe shumë të forta, të cilat na tregojnë se NATO duket më pak e interesuar për Evropën nga pikëpamja gjeopolitike dhe fushat e interesit të Evropës, duke i zhvendosur zonat e saj të interesit në pjesë të tjera të botës”.

Draghi theksoi se për të pasur progres në fushën e mbrojtjes, BE-ja ka nevojë për një politikë e jashtme më kohezive dhe më të unifikuar. “Ne dëgjojmë shumë të flitet për autonominë strategjike në mbrojtje. Por nëse ka nuk ka politikë të jashtme të përbashkët, është shumë e vështirë të mendosh për një mbrojtje të përbashkët.

Në atë pikë mund të arrihet në 2 mënyra. E para është brenda Bashkimit Evropian. Dhe nëse nuk funksionon, mund të arrish atje në mënyrë tradicionale, nëpërmjet aleancave midis vendeve të shumta të Bashkimit Evropian. Është e qartë se rruga e parë është shumë më e preferueshme. Pa dyshim, ka ardhur koha të mendojmë seriozisht mbi të”,-theksoi kryeministri italian.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *