“Komunist i marrë”- Lulzim Basha i faturon Sali Berishës “21 janarin”: Nuk u solla si ai. Ja të gjitha akuzat e kreut të PD-së









MARIGLEN KUME/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi dje ish-Kryeministrin Sali Berisha se ka themeluar organizatën antiamerikane me të cilën, sipas tij, po bëhet barrë për demokratët.

Gjatë këtyre tre muajve, pasi e pezulloi nga Grupi i PD-së, Basha ka përdorur një gjuhë të moderuar duke treguar vlerësim ndaj liderit historik të PD-së, por dje pas skenave që Berisha u fut në selinë blu, Basha e quajti atë një ish-komunist të vjetër që përdor skemat e propagandës dhe mashtrimit. Më tej, në një konferencë të gjatë me gazetarët pas mbledhjes që pati me të rinjtë, Basha tha se Berisha, Rama e Meta janë bërë bashkë për të mbajtur statusquonë e 30 viteve. Ndërkohë, Basha paralajmëroi edhe shpallje të tjera të “Trekëndëshit të Bermudës”.

ORGANIZATË ANTIAMERIKANE

Sali Berisha është tubi i vetëm që mban në këmbë këtë regjim. Në vend që të merremi sot me hallin e përmbytjeve, në vend që të merremi sot me hallin e shqiptarëve, në vend që të merremi me këto detyra, duhet të merremi me tollovitë e Seli Berishës, këtë nuk ia fal as vetes. Sali Berisha është bërë një barrë për demokratët. Është një tub oksigjeni i Edi Ramës dhe është bërë pengesë për betejën tonë. Berisha ka themeluar një organizatë antiamerikane. Sali Berisha është bërë një barrë për demokratët dhe Partinë Demokratike, është një tub oksigjeni i Edi Ramës dhe është bërë një pengesë serioze për luftën tonë opozitare, aq më shumë për realizimin e qëllimit tonë, që është largimi një orë e më parë i regjimit të Edi Ramës nga pushteti. Asnjë lloj force, aq më pak forca që patë me personat me të cilët kishte ardhur, banditë, njerëz me precedentë kriminalë që i njeh e gjithë Tirana, njerëz të pasuruar, që kanë ardhur me pantallona të grisura në 2005-ën dhe sot janë multimilionerë e aksionerë në gropat e Tiranës, bashkë me Erjon Veliajn e me Edi Ramën, e me oligarkët, e me krimin e organizuar, baronë të drogës dhe ushtarë të tyre”, tha Basha.

“KOMUNIST I VJETËR DHE BURRACAK”

Opinioni publik ka pasur rastin të njihet pjesërisht, se ne kemi bërë çdo përpjekje, siç i thashë, duke thyer edhe standardin që kemi ndjekur në raste të tjera të personave “non grata”, për t’i shpëtuar erzin Sali Berishës, por Sali Berisha ka treguar me ato që ka bërë sot se kur vjen puna për interesat e veta nuk ka as erz dhe as burrëri. Është një burracak, i cili si një ish-komunist i vjetër, me propagandë, me mashtrim edhe gënjeshtra, është gati të thërrmojë e të shkatërrojë gjithçka, edhe fëmijën e vet politik, Partinë Demokratike, vetëm e vetëm për interesin e tij personal. Puçi institucional ndaj Partisë Demokratike i tentuar para dy ditësh, siç e patë, është pa asnjë perspektivë. Ata që besuan për interesat e tyre, apo ndokush i mashtruar dhe i manipuluar se do të kishte një zgjidhje përmes Sali Berishës, e kupton se sot Sali Berisha është problemi i Partisë Demokratike, ndaj dhe do ta lëmë atë pas, do t’i themi se është pakicë e dëshpëruar, dhe si pakicë e dëshpëruar, nuk do të ketë asnjë shans dhe asnjë mundësi që të marrë peng shumicën e demokratëve, të cilët janë të vendosur të shkojnë përpara dhe të lënë pas të shkuarën. Të shkuarën e kam fjalën atë pjesë të hidhur të së shkuarës, sepse ne nuk mund të heqim kurrë dorë nga krenaria legjitime që nuk vjen prej një personi, por vjen prej sakrificave të panumërta të qindra-mijëra demokratëve ndër breza.

AKUZAT PËR “21 JANARIN”

PD ka qenë dhe është e gatshme të përballet me çdo situatë. Në miniaturë Berisha kopjoi skenarin e Tom Doshit në 21 janar, por unë nuk u përgjigja, siç u përgjigj Berisha në 21 janar. Ne do të ruajmë qetësinë, por do të kemi vendosmërinë për të ruajtur interesin e demokratëve, por duke mos lejuar asnjë horr, trafikant, asnjë hiç të vijë këtu për të marrë nëpërkëmbë dinjitetin e demokratëve. Për këtë të jeni të sigurt! Ju e patë ndërkohë që ata bënin si gorilla jashtë, ne vazhdonim mbledhjen. Ngutet frikacaku dhe ngutja e frikacakut i ka kushtuar PD-së në 30 vite.

“TREKËNDËSHI I BERMUDËS”

“Trekëndëshi i Bermudës” e ka marrë 31 vjet peng Shqipërinë. Sot shqiptarët e kanë një rrugë përpara, është Partia Demokratike. Partia Demokratike është e vendosur të ecë në këtë rrugë duke nisur me Kuvendin e 18 dhjetorit. Ndaj nervoziteti i Sali Berishës do të vijë duke u shtuar. I bëri thirrje këshillit të mos mblidhej, këshilli u mblodh dhe mori vendimet e duhura. Bëri sot një shfaqje qesharake, e turpshme, koha na mbaron të gjithëve ne dhe në veçanti dikush në moshë, por gjithnjë e më i vetëdijshëm se ka më pak e jo më shumë kohë nga Zoti. Shqiptarët e dinë thënien e Veriut: “Burri ka kohë me u korit”.

Edhe unë në këtë kohë, pavarësisht qëndrimeve të mia politike, nuk mund të mos shpreh keqardhjen time për rënien kaq poshtë të Sali Berishës, për koritjen e tij në shfaqjen si një hije, si një fantazmë e një të kaluare që bëri kaq shumë për ta fshirë nga mendjet e shqiptarëve këtë ditë të turpshme në këtë mizanskenë të 1997-ës. Një viti me kosto të lartë për shqiptarët, një viti të turpshëm, një viti që nuk do të përsëritet kurrë. Por Partia Demokratike, siç ju thashë, është e vendosur ta lërë këtë të kaluar prapa, të ecë përpara. Më 18 dhjetor demokratët bashkohen. Me Sali Berishën po konkurrojnë me sukses dy brinjët e tjera të “Trekëndëshit e Bermudës” për t’u shpallur “non grata”. Mesa di unë, edhe dy brinjët e tjera të “Trekëndëshit të Bermudës” do të kenë fatin e tij. Mbani mend ato billboard-et me Sali Berishën dhe Ilir Metën? Sepse këta mbajnë njëri-tjetrin. Konkurrencën e kanë me njëri-tjetrin. Ndoshta do të ishte dikush tjetër përpara “non grata”. Jam i bindur që koha do të jetë ilaçi më i mirë për dy brinjët e tjera. Deri tani në pole position “non grata” është Berisha. Ky është fillimi dhe jo fundi”.

PRESIONI NDAJ ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR

“Jam kulturë tjetër, edhe në çështjen më të padrejtë që është ngritur për mua jam përballur pa asnjë sprapsje. Nuk do t’i japim kartë anëtarësie as Aqif Rakipit, as Tom Doshit dhe asnjë tjetri nga partitë e tjera. Ku e ka frikën ky që të mos mblidhet Kuvendi Kombëtar. Nëse ky mendon se ka shumicën, pse nuk na lë të dalim zbuluar. Pse marrin në telefon ish-badigardët e tij. Që për fat të keq i kam pasur për tepër gjatë, përkundër këshillave të bashkëpunëtorëve, edhe në funksion të PD-së, njerëz që sot Tirana i tregon me gisht si bashkëpunëtorë oligarkësh. Ku e gjejnë guximin këto, Agron Kuliçi të marrë në telefon demokratët që të bëjë presion mos merrni pjesë në Këshilli Kombëtar. Nëse na ka bërë një nder Sali Berisha, është që i ka marrë me vete këta. Çfarë frike kishte dje që u çonte SMS anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të mos vinin në mbledhjen tonë. Çfarë frike ka nga delegatët e 18 dhjetorit. Ai e di që është pakicë absolute, është i vetëm”.

AKUZAT PËR ORGANIZATORËT E KUVENDIT

“Organizatorë të lartë, jo demokratë të thjeshtë. Siç e tha një nga këta që u shkarkua dje, u çua dhe më tha para një muaj: ‘O kryetar, të themi atë që është 60% e këtyre që kanë firmosur për 11 dhjetorin nuk e dinë çfarë kanë firmosur. Ata të tjerët e dinë, por janë kundër dhe nuk kanë ardhur dhe neve na vjen turp që do t’i zëvendësojmë me njerëz të tjerë’. Ky person që tha një të vërtetë të madhe është shkarkuar. Ne nuk i shkojmë prapa asnjë gënjeshtre, ne nuk mund të ushqejmë gënjeshtrat dhe spektaklin e Sali Berishës. Kemi tre muaj që spektakli Berisha ka shfokusuar vëmendje, prandaj nuk e kam ofruar spektaklin për t’i treguar se i ka kaluar koha, ndërkohë që lëvizte nga Saranda në Tropojë me persona që i merrte me vete. Këtë mund ta bëja edhe unë, por kjo nuk na çonte askund.

Ia kam mohuar këtë kënaqësi, sepse ia kam mohuar edhe Edi Ramës. Historia e tij mbaroi në 19 maj. Po t’i kishte bërë shërbimin e fundit PD-së, do të ishte tërhequr, do të kishte ruajtur dinjitetin e tij, të cilin e përdhosi në mënyrën më të paimagjinueshme duke u sjellë më keq se bolshevik, me kultin e krimit. Koha e Sali Berishës si fenomen ka mbaruar me kohë”, tha Basha. Në lidhje me Kuvendin e 11 dhjetorit, Basha u shpreh se bashkëshorti i Blerina Gjylametit është aksioner në një nga kompanitë që e organizoi ata eveniment në stadiumin “Air Albania”. “Nuk kam asnjë njoftim ndaj çështjeve tona. Gënjeshtrat mos i riqarkulloni. A më ka stresuar mua Berisha? Më ka stresuar në faktin se nuk më ka lënë të bëj punën time. Ai më ka thënë që nuk lë askënd përpara vetes sime. 100% e energjive të mia duhet të ishin përballë Edi Ramës, në përballje parlamentare. Kemi 3 muaj që Rama na bredh i qetë me tubin e oksigjenit me vete. Vazhdon ta financojë arenën e hajnisë. Blerina Gjylameti i thotë Alibeajt: ‘Deri më 11 do të jesh ti kryetar komisioni’. Bashkëshorti i saj, Kostika, është aksioner ose menaxher në një kompani e cila solli organizimin e Kuvendit në ‘Air Albania’, duke sjellë atë skenografi aty. I kam thënë Berishës nuk jam më 17 vjeç, jam 47, prind i dy fëmijëve. Nuk na trajton dot më si fëmijë. Ti je e shkuara”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *