Koncesionet trembin edhe deputetët e Partisë Socialiste, ja debati i plotë në Komisionin e Ekonomisë








braceKELMENT BAÇI/ Kontratat e koncesioneve nga qeveria për vitin 2022 u kthyen në qendër të diskutimeve dhe debateve në Komisionin e Ekonomisë jo vetëm midis maxhorancës dhe opozitës, por edhe nga deputetët socialistë. Lista e investimeve me PPP-të që janë parashikuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, e prezantuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, ngjallën mosbesim te deputetët, të cilët kërkuan informacion të detajuar në lidhje me buxhetin që do të investohet nga buxheti i shtetit për koncesione dhe listën e tyre.

Ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe ngiti disa shqetësime që lidheshin me burimin e të ardhura që do të shërbenin për rritjen ekonomike, si dhe sektorët që do të ndikoheshin nga ndryshimi i taksave. Po ashtu, edhe kryetari i këtij komisioni, Eduart Shalsi, kërkoi nga ministrja sqarime për disa koncesione. Gjatë diskutimeve, Ibrahimaj tha se janë 13 kontrata koncesionare të cilat janë në funksionim dhe mbështeten nga buxheti i shtetit. Ministrja sqaroi se jo domosdoshmërisht lista e koncesioneve që është e paraqitur në projektbuxhet do të fillojë në 2022-ën. Më herët Ibrahimaj pohoi se për vitin 2021 pritet një rritje 7.6% e ekonomisë dhe në vitin që vjen mbi 4%.

Produkti i Brendshëm Bruto pritet që të jetë 661 mijë lekë për banor në vitin 2022, ndërsa konsumi do të rritet me 2.6% në vit dhe do të kontribuojë me 2.4% në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, ngriti shqetësimin e rritjes së pagave dhe numrit të të punësuarve në administratë. Sipas saj, kjo po i kushton shumë buxhetit të shteti, ndërsa i bëri thirrje Ministrisë që t’i vendosë fre abuzimit që po bëhet në këtë drejtim. Deputeti Bujar Leskaj i tha ministres Ibrahimaj se kjo qeveri nuk e ka mbajtur premtimin për uljen e borxhit publik.

DISKUTIMET NË KOMISION

Delina Ibrahimaj: Për vitin 2021 presim rritje 7.6% dhe në vitin që vjen mbi 4%. Produkti i Brendshëm Bruto pritet që të jetë 661 mijë lekë për banor në vitin 2022. 563.8 miliardë lekë pritet që të jenë të ardhurat e vitit 2022. Në vitin 2013, paga minimale ka qenë 22 mijë lekë dhe tani është 30 mijë lekë. Paga mesatare 45 mijë e 961 lekë në tremujorin e parë të 2014-ës, ka arritur në 56 mijë e 710 lekë në fund të këtij viti. Për të mbështetur rritjen e mëtejshme ekonomike, ne prezantojmë pr.buxhetin 2022 që është buxheti më i madh në histori. Ky dokument fokusohet te vijimi i reformave për rritje ekonomike dhe punësim, mbështetja e shtresave në nevojë, rritja e produktivitetit, forcimi i shtetit ligjor, dixhitalizimi i ekonomisë dhe projektet në infrastrukturë. Konsumi do të rritet me 2.6% në vit dhe do të kontribuojë me 2.4% në rritjen ekonomike, dhe investimet do të rriten 5.5% në vitet 2022-2024, duke kontribuar me 1.4% në vitet që vijnë. Do të ketë 1 miliard lekë garanci sovrane për turizmin dhe 500 milionë lekë për pastrimin e mjedisit.

Eduard Shalsi: Unë kam dy gjëra për të cila ka një ngacmim mediatik. Do të doja një prononcim në lidhje me dy lloj koncesionesh që gjenden në buxhetin e paraqitur. Njëri është ndërtim, operim dhe transferim i parkimeve nëntokësore të Parkut Rinia në Tiranë dhe i dyti është dhënia me koncesion PPP e bazës së të dhënave dhe mbikëqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore, ndërkohë që ne, siç jemi në dijeni, ai ka filluar dhe po funksionon bindshëm dhe mirë.

Delina Ibrahimaj: Lista e koncesioneve që ju i referoheni dhe mediat i janë referuar në vijimësi gjatë javëve të fundit, janë lista potencialisht, koncesione që mund të fillojnë gjatë viti 2022, të cilat ne për qëllime transparence dhe të disiplinimit të praktikave buxhetore i publikojmë dhe i bëjmë pjesë të projektbuxhetit të vitit. Kjo listë ka qenë e njëjtë edhe për vitin 2021 dhe jo domosdoshmërisht lista e koncesioneve që është e paraqitur do të fillojë dhe bëhet pjesë e buxhetit të 2022-shit, por është një listë potenciale.

Në parim është kështu për të gjithë listën që është publikuar. Ishin 7 koncesione në atë listë për të cilat ne nuk kemi marrë ende një konfirmim nga institucionet që na thonë se këto koncesione do të fillojnë apo jo. Të shtata ato koncesione nuk kanë efekte buxhetore, pra nuk është parashikuar që për to do të ketë mbështetje buxhetore. Ato që ju përmendët nuk kanë filluar ende dhe mund të mos fillojnë.

Erion Braçe: Ju planifikoni që rritja ekonomike do të jetë 4.1 për qind, unë dua të di cilat janë burimet e kësaj rritjeje? Ju planifikoni rritje të konsumit për vitin e ardhshëm dhe a do të ndikohet nga rritja e çmimeve? E kam fjalën për konsumin e popullatës dhe konsumin e qeverisë. Nga të dhënat e projektbuxhetit, qeveria do të shpenzojë më pak për investimet kapitale vitin e ardhshëm. Të gjitha raportet thonë që kemi probleme, pikërisht për shkak të ndërhyrjes së politikës. Është bërë gjullurdi e madhe për listën e PPP apo koncesioneve. A mund të na jepni një listë se çfarë koncesionesh kemi për të paguar vitin e ardhshëm? Ato aktualet dhe ato që mund të firmosen? Sa është vlera totale e pagesave për PPP-të për vitin e ardhshëm? Ka shumë abuzime në këtë rast dhe është në të drejtën e qeverisë të bëjë transparencë.

Delina Ibrahimaj: Për sa u përket PPP-ve, më lejoni që të saktësoj se në bazë të ligjit organik të buxhetit, ne kemi si limit përdorimin e pagesave të PPP-ve në nivel të % të të ardhurave të mbledhura për vitin. Janë 13 kontrata koncesionare të cilat janë në funksionim dhe mbështeten nga buxheti i shtetit. Niveli total i kontratave koncesionare për vitin 2021 shkon në 3% të të ardhurave tatimore të mbledhura, pra dukshëm nën limitin e përcaktuar nga ligji organik i buxhetit. Nga ana tjetër, planifikohet që për vitin 2021 të paguhet një total prej 14.5 miliardë lekësh si pagesa ndaj koncesionarëve për vitin 2021, ndërsa për vitin 2022 planifikohet një shumë prej 13.8 miliardë lekësh. Nuk kemi asnjë informacion për kontrata koncesionare që mbështeten nga buxheti i shtetit, janë në rënie. Pra, nuk ka kontrata të reja për vitin 2022. Ato kontrata potenciale që janë në listën e publikuar në faqen e Kuvendit janë potenciale dhe nuk janë parashikuar të kenë mbështetje buxhetore.

Erion Braçe: Unë e dua këtë listën e kontratave koncesionare. Delina Ibrahimaj: Mbas komisionit do t’jua vëmë në dispozicion.

Jorida Tabaku: Kam një shqetësim për rritjen e fondit të pagave. Tendenca e rritjes në vitin 2021 duket sikur është formalizuar edhe me këtë vit pasi vazhdon po e njëjta rritje me pothuajse 20%. Kam një shqetësim i cili lidhet edhe me rritjen e normave të interesit. Shpenzimet për interesa do të rriten me pothuajse 7 miliardë lekë. Dhe një shqetësim për fondin rezervë. Po ngrihen 3 agjenci brenda zyrës së Kryeministrit, ke 4 ministra pa portofol, shqetësimi është që jo vetëm zyra e Kryeministrit, por e gjithë administrata publike po u kushton shqiptarëve më shumë. Tendenca për rritjen e shpenzimeve të administratës publike, të rritjes së stafit të pakontrolluar, sipas meje, duhet të marrin fund dhe duhet t’i vendosni fre. Është momenti që tani në diskutimin e buxhetit ne t’i shohim këto çështje dhe të marrim masa edhe për t’i ndryshuar ato.

Bujar Leskaj: Ai pohim që bëri ministrja se ky është buxheti më i madh e i mirë, unë mendoj që nuk qëndron. Në optikën time, ky është buxheti më i papërgjegjshëm dhe kjo vazhdon në vijimësi të buxheteve të kësaj qeverie të viteve të fundit. Ju si qeveri keni vënë një objektiv madhor që borxhin publik do ta kaloni në 60% të PBB-së. Tani ju vetë e pohoni që borxhi publik në 2025-ën pritet të shkojë në 74.9%. Pra, kemi një mosmbajtje premtimi me 15% të PBB-së, ose mbi dy miliardë euro. Ju, si Ministri, a shqetësoheni për këtë mosmbajtje premtimi.

Delina Ibrahimaj: Borxhi u rrit për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe tërmeti. Borxhi nuk u rrit si qëllim i qeverisë. Qëllimet qeveria i tregoi gjatë mandateve. Deri në vitin 2018 kur borxhi ishte 70% dhe u ul në nivelin 60 për qind. Vit pas viti deficiti dhe borxhi ishin të konsoliduar. Pa përgjegjshmërinë në trajtimin e borxhit ne nuk do të kishim pasur mundësi të përballonim dhe kishim dalë nga këto situata me rritje ekonomike. Buxheti parashikon ulje graduale të borxhit në zbatim të ligjit organik të buxhetit ku në vitin 2024 parashikohet një balancë primare pozitive. Pra, nuk është e vërtetë që ne parashikojmë të vijojmë me rritjen e borxhit.

Bujar Leskaj: Për ta ndihmuar ministren. Në programin e qeverisë aktuale shkruhet se: Qeveria shqiptare angazhohet për uljen e borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit. Pra, është 16% gënjeshtra juaj qeveritare

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *