Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, Izraeli zgjeron ofensivën në Gazë

Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, Izraeli zgjeron ofensivën në Gazë
konflikti i armatosur ne lindjen e mesme izraeli zgjeron ofensiven ne gaze

Izraeli zgjeroi të hënën ofensivën kundër militantëve të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evorpian, në Gazën e rrethuar ndërsa shqetësimi ndërkombëtar u thellua lidhur me numrin në rritje të viktimave civile në luftën që nisi nga sulmet e 7 tetorit, raporton AFP.

Që nga përfundimi i armëpushimit të premten, luftimet në Gaza kanë rifilluar midis grupit radikal Hamas dhe trupave izraelite që avancojnë, ashtu si lëshimet e raketave të militantëve drejt Izraelit dhe sulmet ajrore të Izraelit në territorin palestinez.

Gjatë fundjavës, sulmet ajrore izraelite në Gazën veriore hodhën në qiell re të dendura tymi dhe pluhuri.

Të dielën, ushtria izraelite raportoi disa raketa nga Gaza në Izrael, duke shtuar se shumica ishin kapur.

Qeveria e drejtuar nga Hamasi në Gaza dhe agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa thanë se një sulm kishte goditur hyrjen e spitalit Kamal Aduan në veri të territorit të dielën vonë.

Disa njerëz u vranë në sulm, tha agjencia e lajmeve, ndërsa Hamasi akuzoi Izraelin në Telegram për një “shkelje të rëndë” të ligjit humanitar.

E kontaktuar nga AFP, ushtria izraelite nuk komentoi menjëherë sulmin e supozuar.

Izraeli thotë se Hamasi përdorë spitalet dhe infrastrukturën tjetër civile për qëllime ushtarake – një akuzë që grupi militant e mohon.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit vazhdojnë të zgjerojnë operacionin tokësor kundër fronteve kryesore të Hamasit, në Rripin e Gazës”, tha të dielën zëdhënësi ushtarak izraelit, Daniel Hagari.

“Kudo që ka një bastion të Hamasit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit veprojnë,” tha ai.

“Bllokim në negociata”

Izraeli është zotuar të shtypë Hamasin në shenjë hakmarrjeje për sulmet e grupit militant të 7 tetorit që vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, sipas autoriteteve izraelite.

Rreth 240 të tjerë, mes tyre fëmijë të vegjël dhe persona të moshuar, gjatë sulmeve u morën peng në Gaza.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 15.500 njerëz janë vrarë në territorin e Gazës që nga 7 tetori, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë.

Në një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari, me mbështetjen e Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara, 80 pengje izraelitë u liruan, në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Megjithatë, luftimet rifilluan mes dy palëve të premten pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një zgjatje të armëpushimit.

Të nesërmen, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se negociatorët izraelitë po tërhiqen nga Katari “pas ngërçit në negociatat” që synojnë rinovimin e armëpushimit.

Me 137 pengje ende të mbajtura në Gaza, sipas ushtrisë izraelite, Hamasi ka përjashtuar mundësinë e lirimeve të tjera derisa të arrihet një armëpushim i përhershëm.

Të dielën, ushtria izraelite tha se kishte kryer rreth 10.000 sulme ajrore që nga fillimi i luftës.

Izraeli thotë se pesë nga ushtarët e tij kanë vdekur në luftime që nga përfundimi i armëpushimit, tre prej tyre të dielën.

“Në orët e fundit, vetëm 316 të vdekur dhe 664 të plagosur janë shpëtuar nga rrënojat dhe janë dërguar në spital, por shumë të tjerë janë ende të nën rrënoja”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit, Ashraf al-Qudra.

Numri në rritje i të vdekurve në Gaza ka rritur shqetësimet ndërkombëtare lidhur me sjelljen e Izraelit në luftën për të zhdukur grupin radikal palestinez, Hamasin.

Të dielën, spitalet në Gazën jugore ishin të mbushura me të vdekur dhe të plagosur.

“Po më mbarojnë mënyrat për të përshkruar tmerret që godasin fëmijët këtu,” tha James Elder, një zëdhënës i agjencisë së fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, UNICEF, në një video nga spitali Nasser në Khan Yunis.

“Ky është bombardimi më i keq i luftës në jug të Gazës. Unë po shoh viktima masive të fëmijëve,” tha ai në videon e postuar në X, dikur Twitter.

Aleati i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, që i ofrojnë miliarda dollarë ndihmë ushtarake çdo vit, ka intensifikuar thirrjet për mbrojtjen e civilëve në Gazë.

“Shumë palestinezë të pafajshëm janë vrarë,” u tha gazetarëve nënpresidentja Kamala Harris, në bisedimet e OKB-së për klimën, në Dubai.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara besojnë se Izraeli “po bën një përpjekje” për të minimizuar viktimat civile në Gaza.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite, Eylon Levy, tha se fajin për vdekjet e ka Hamasi dhe të vrarët “do të ishin ende gjallë” nëse grupi nuk do të kishte kryer sulmet e 7 tetorit.

Me fokusin e luftës në Gaza, Bregu Perëndimor ka parë gjithashtu një rritje të dhunës që nga tetori./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts