Konflikti në Kosovë/ Reflektime nga Operacioni i Parë Humanitar i Emirateve të Bashkuara Arabe në Europë nga Dr. Obaid Al Ketbi

Në vitin 1999, Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmorën operacionin e parë humanitar në Europë gjatë konfliktit në Kosovë. Në koordinim të ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë, Emiratet e Bashkuara Arabe ndërtuan një kamp refugjatësh në Kukës për të strehuar dhe mbrojtur mbi 10,000 refugjatë kosovarë.

Duke marrë shkas nga eksperienca e tij personale si ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura të Emirateve të Bashkuara Arabe, Gjeneral Major Obaid Al Ketbi në kampin e refugjatëve në Kukës rikthen ngjarjet e ndodhura në konfliktin e 1999. Refleksione të cilat hedhin dritë mbi një operacion humanitar tejet kompleks dhe të vështirë për t’u menaxhuar për shkak se rrethanat ndryshonin në përditshmëri.

Nëpërmjet refleksioneve të tij personale ai shpjegon modelin unik të menaxhimit humanitar që ndërtoi ekipi i tij dhe ndan disa mësime kryesore të nxjerra gjatë rrugëtimit të këtij operacioni humanitar.

Dr. Obaid tregon se një nga prioritet kryesore të mbështetjes humanitare arabe ishte pikërisht shëndeti mendor i fëmijëve dhe i të rinjve refugjatë. Shëndeti mendor sigurisht nuk ishte një nga prioritetet e operacioneve humanitare të viteve ’90, por për shkak të impaktit në popullate të krimeve makabre të konfliktit në Kosovë, investimi në këtë drejtim ishte domosdoshmëri.

Mbështetja shëndetësore ishte një tjetër sfidë që përmendet në refleksionet e Dr. Obaid. Trajtimi i rasteve emergjente shëndetësore në kamp apo i rasteve të komplikuara shëndetësore në Emiratet Arabe mundësuan një lehtësim të pasojave të konfliktit në popullatën e shpërngulur nga shtëpitë e tyre.

Një nga sfidat që përmend autori në memoriet e tij është edhe ndërtimi i pistës ajrore e cila u kthye në një pikë qëndrore jo vetëm për operacionet logjistike të Emirateve Arabe por dhe për vendet e tjera. Kjo pistë mundësoi fluturime të përditshme me furnizime nga Abu Dhabi dhe katër helikopterë të dedikuar që monitoronin zonën përreth për të transportuar vullnetarë, vizitorë ndërkombëtarë dhe profesionistë të medias në kampin e Emirateve.

E njëjta pistë në fakt që u ndërtua në vitin 1999 tani është shndërruar në një aeroport ndërkombëtar duke mbajtur emrin e Sheikh Zayed, në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tij humanitare në rajon.

Dr Obaid në fund të refleksionit të tij thekson se ishte pikërisht operacioni humanitar në Kukës pikënisja e operacioneve të suksesshme humanitare ku mësimet e nxjerra shërbyen jo vetëm për Emiratet Arape por edhe për partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *