Kongresi amerikan ende pa një paketë sanksionesh ndaj Rusisë

18:20 17/02/2022

Ligjvënësit amerikanë nuk arritën të bien dakord këtë javë për një paketë sanksionesh ndëshkuese që do të parandalonin presidentin rus Vladimir Putin të ndërmerrte një agresion të mundshëm ndaj Ukrainës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, njofton se pavarësisht përpjekjeve të bllokuara, vazhdon presioni ndaj Kongresit për të gjetur një emërues të përbashkët për përgjigjen ndaj Rusisë.

Senatorët amerikanë duken të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit rus, por përpjekja për të hartuar legjislacionin që do të sanksiononte Presidentin rus Vladimir Putin për një sulm të mundshëm ndaj Ukrainës mbetet e bllokuar.

“Projekt-ligji i sanksioneve ka ngecur si pasojë e një dallimi themelor. Demokratët mendojnë se duhet të hartohet një projekt-ligj sanksionesh duke njoftuar paraprakisht se çfarë do të bënim nëse do të kishte një sulm, dhe pozicioni i republikanëve ka qenë se sanksionet duhet të vendosen menjëherë”, thotë senatori demokrat Tim Kaine.

Një ish-zyrtar i administratës Trump u tha ligjvënësve të mërkurën se qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj sanksioneve është e kufizuar nga aleatët evropianë.

“Joe Bideni dhe administrata e tij kanë vendosur që ne duhet të veprojmë në një zë të përbashkët me evropianët, dhe për këtë arsye gjermanët në të vërtetë po e zbutin përgjigjen tonë”, tha ish drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Richard Grenell.

Kjo ka bërë që shumë republikanë të Kongresit të besojnë se mundësia për të frenuar zotin Putin tashmë mund të jetë ezauruar.

“Unë besoj se jemi shumë vonë tani. Duhet të jemi në një pozitë për t’u siguruar që zoti Putin të kuptojë se nëse ai sulmon, do të ketë pasoja të rënda, jo vetëm për popullin e Rusisë, por me të vërtetë edhe tek njerëzit që e mbështesin atë”, tha senatori republikan Mike Rounds.

Republikanët e kanë kritikuar Presidentin Biden se ka qënë i ngadaltë për t’iu përgjigjur krizës, por ka gjithashtu një ndjenjë në Kongres se Shtetet e Bashkuara duhet të paraqesin një front të bashkuar për Rusinë.

Sanksionet në shqyrtim përfshijnë vendosjen e kufizimeve të rrepta për bankat ruse, ndërprerjen e gazsjellësit Nord Stream 2 për në Gjermani dhe rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

“Ne duhet të tregojmë vendosmëri dhe të bashkohemi për një paketë që i tregon Putinit se ne jemi të bashkuar në të gjithë spektrin politik dhe se ka mbështetje dypartiake për parandalimin e një sulmi, se jemi të vendosur, për sanksione ekonomike paralizuese si dhe të vazhdueshme, se do të ndihmojmë me armë Ukrainën, pa trupa amerikane në terren. Por Vladimir Putin duket se po e merr këtë mesazh dhe ne në asnjë mënyrë nuk duhet të dorëzohemi në këtë pikë për një strategji që duket se po funksionon”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal.

Fjalimi i Presidentit Biden për Ukrainën të martën u mirëprit në të dy anët e spektrit politik, pasi ligjvënësit thanë se kishte ende opsione përtej paketës së sanksioneve.

“Shpresoj që presidenti Biden do të veprojë si duhet. Ashtu si një grup kolegësh nga të dyja partitë dhe unë e bëmë të qartë në një deklarat të përbashkët, presidenti do të ketlll një mbështetje të fuqishme dypartiake për të përdorur autoritetin e tij ekzekutiv për sanksione të ashpra ndaj Rusisë në se ajo sulmon”, tha udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConell.

Urdhëri ekzekutiv mund të jetë opsioni më i shpejtë për përgjigjen amerikane – pasi Senatit i kanë mbetur vetëm dy ditë seancë pune këtë muaj./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.