Konstitucionalisti i njohur analizon dështimin e komisioneve hetimore, Njazi Jaho: S’duhet të kalojnë kompetencat kushtetuese






ARISTIR LUMEZI/ Konstitucionalisti Njazi Jaho ka deklaruar se komisionet hetimore parlamentare nuk duhet të kalojnë kompetencat e tyre kushtetuese dhe të bëjnë një hetim penal apo paragjykojnë objektin e hetimit.

njazijaho

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Jaho thotë se synimi i një komisioni hetimor duhet të jetë parandalimi i krimit dhe shkeljes së ligjeve, rekomandime për përmirësimin e gjendjes.

I pyetur për arsyet që kanë dërguar në dështimin e komisioneve, njohësi i kushtetutës rendit disa arsye mes të cilave akuzat dhe konkluzionet e parakohshme që kanë cenuar parimet kushtetuese si prezumimi i pafajësisë apo shkelja e privatësisë.

Sipas tij, legjislacioni shqiptar bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve ku çdo organ ka kompetencat e veta, asnjë s’ka të drejtë të ndërhyjë në kompetencat e tjetrit ose të ushtrojë kompetenca që nuk i takojnë. Sot, Kuvendi i Shqipërisë do hedhë në votim dy raporte të ndara të PS-së dhe PD-së me gjetjet nga hetimi i çështjes së inceneratorëve.

Cila është baza ligjore për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare?

Jaho: Ngritja e komisioneve hetimore parlamentare është sanksionuar në nenin 77 pika 2 të Kushtetutës, ku thuhet se Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesën e të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktoj komision hetimor për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Komisionet e hetimit thuhet në pikën 3 të nenit të mësipërm, veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj. Kjo do të thotë se Kuvendi duhet të miratonte ligjin, ku do të përcaktohej procedura që duhej zbatuar. Ky ligj u miratua në maj të vitit 2002 dhe vazhdon të jetë në fuqi. Pas një viti nga miratimi i këtij ligji, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr. 18 datë 14.05.2003, ka bërë interpretimin përfundimtar të nenit 77 pika 2 të Kushtetutës.

Përse dilte nevoja e këtij interpretimi dhe si u vu në lëvizje Gjykata Kushtetuese?

Jaho: Në fillim të vitit 2003, 32 deputetë të Kuvendit, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për interpretimin e nenit 77 pika 2 të Kushtetutës. Kjo u bë sepse lidhur me ngritjen e komisionit hetimor paraqiteshin dy qëndrime të ndryshme ose interpretime jo të njëllojta që i bëheshin dispozitës së mësipërme. Është kjo arsyeja që Gjykata Kushtetuese u investua për ta shqyrtuar këtë kërkesë dhe për të bërë interpretimin përfundimtar të kësaj dispozite. Kjo nuk është e lehtë. Ne nuk kishim përvojë, prandaj në këtë drejtim u shfrytëzua si doktrina kushtetuese edhe përvoja pozitive e vendeve të tjera demokratike. Megjithëse vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese ka afro 19 vjet që është miratuar ai aktual edhe sot, sepse është mjaft i argumentuar, i qartë dhe i mbështetur në standardet ndërkombëtare.

Ç’mendim keni për ligjin e miratuar në vitin 2002 “Për organizimin dhe funksionimin hetimor të Kuvendit?

Jaho: Kur njihesh me këtë ligj edhe pse është miratuar 3 vjet mbas miratimit të Kushtetutës dhe 1 vit para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si pasojë edhe përcaktimi i procedurës është në përputhje me to. Deri më sot, atij nuk i është bërë ndonjë ndryshim.

A do të thotë se nuk del nevoja që këtij ligji t’i bëhet ndonjë ndryshim, shtesë apo saktësim?

Jaho: Jo, nuk dua të them këtë. Në fakt, vetë ndryshimet kushtetuese që u bënë në vitin 2016 imponojnë që të hiqen nga ligji (neni 3 pika 3) nenet 128, 140, 149 pika 2 të Kushtetutës kur përkatësisht bëhet fjalë për shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të prokurorit të Përgjithshëm. Në ligj përmendet neni 73 pika 3 e deputetëve, por ky nen në vitin 2012 është ndryshuar. Mundet që ndonjë dispozitë e këtij ligji të rishikohet në frymën e vendimit interpretues të Gjykatës Kushtetuese.

A mundet të shprehni ndonjë mendim se cilat mund të jenë arsyet që ngritja dhe funksionimi i komisioneve hetimore është ndeshur me pengesa dhe keqkuptime dhe në përgjithësi ato nuk kanë qenë produktive?

Jaho: Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje do të ishte mirë që të mbështetesh në ndonjë studim apo përgjithësim të praktikës së derisotshme. Prandaj, mendimi që do të shpreh mund të mos jetë i thelluar. Në kushtet kur mungon analiza nuk përjashtohen elementet subjektive që justifikojnë edhe mendimet e ndryshme. Por, pavarësisht nga kjo rezultati joproduktiv i komisioneve hetimore mendoj se nuk ka të bëjë me ndonjë boshllëk, apo paqartësi në ligj. Besoj se kjo ka ndodhur për shkak të qëndrimeve të ndryshme të natyrës politike të palëve (mazhorancëopozitë) për shkak të interpretimit të ligjit sipas interesave të ngushta partiake.

Është normale të shprehen mendime të ndryshme, por ato nuk janë shoqëruar me argumente bindëse. Diskutime të stërholluara, debati i acaruar që ka shmangur konsensusin akuzat e ndërsjella që kanë acaruar atmosferën, konkluzione të parakohshme kanë çuar në cenimin e parimeve kushtetuese: prezumimin e pafajësisë, procesin e rregullt ligjor, privatësinë. Pikërisht këto mendoj se kanë qenë shkaku i defekteve dhe mungesës së produktivitetit të komisioneve hetimore.

Përse të ketë pasur kundërshtime derisa Kushtetuta e bëri të detyrueshme ngritjen e komisionit kur kjo kërkohet nga një e katërta e deputetëve?

Jaho: Ne fakt, kundërshtimet janë shprehur kur është diskutuar çështja e objektit të hetimit, sepse sipas Gjykatës Kushtetuese i vetmi kufizim për të kontestuar ngritjen e komisionit është objekti i hetimit. Ky objekt, sipas gjykatës është në përputhje me respektimin e parimeve kushtetuese. Duke trajtuar çështjen e objektit të hetimit Gjykata Kushtetuese i është referuar nenit 7 të Kushtetutës ku thuhet se sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve: ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në këtë vështrim, çdo organ ka kompetencat e veta që do të thotë asnjë s’ka të drejtë të ndërhyjë në kompetencat e tjetrit ose të ushtroj kompetenca që nuk i takojnë. Objekti i hetimit ka të bëjë me faktin se çfarë do të hetohet, deri ku do të shtrihet ky kontroll. Megjithëse edhe pse mund të ketë mendime apo interpretime të ndryshme lidhur me objektin e hetimit parlamentar duhet të bëhen përpjekje për arritjen e konsensusit (natyrisht jo në cenim të parimeve). Neni 7 kushtetues nuk e pengon pakicën që në objektin e hetimit të parashikojë p.sh. hetimin e një fenomeni ose të një ngjarjeje që ka të bëjë me përgjegjësinë e qeverisë.

Ju thoni se i vetmi kufizim për të kontestuar ngritjen e komisionit hetimor është i lidhur me objektin e tij. Mirëpo për këtë nuk bëhet fjalë në nenin 77 të Kushtetutës?!

Jaho: Këtë nuk e them unë. Kjo theksohet shprehimisht në vendimin e Gjykatës duke përmendur njëkohësisht se ngritja e komisioneve hetimore parlamentare njihet si instrument i fuqishëm i opozitës. Në një sistem parlamentar, siç dihet qeveria formohet nga deputetët që përmbajnë shumicën në Kuvend, e cila ka në dorë shumë mjete të tjera ligjore. Pakica këto mjete i ka relativisht të kufizuara. Interpelancat nuk mund të zëvendësojnë komisionet hetimore.

A ka të drejtë që edhe maxhoranca të iniciojë ngritjen e një komisioni parlamentar?

Jaho: Ligji këtë nuk e ndalon, por kjo ndodh rrallë.

Në nenin 77 thuhet se komisioni hetimor ngrihet për të shqyrtuar një çështje të veçantë, si e ka interpretuar Gjykata se ç’duhet kuptuar me këtë shprehje?

Jaho: Gjykata është shprehur se listimi i çështjeve të veçanta nuk është detyrë e saj dhe as objekt i vendimit interpretues. Këtë, sipas rastit e vlerëson Kuvendi. Kam mendimin se çështje të veçanta mund të konsiderohen ato që paraqesin interes të veçantë publik në fushën ekonomike, sociale, politike, administrim i fondeve publike, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, hetimi i fenomenit të kriminalitetit etj.

Ka mendime se nëpërmjet komisioneve hetimore, synohet identifikimi i personave që kanë kryer vepra penale? Sa të bazuara janë mendime të tilla?

Jaho: Mendoj se jo. Ato jo vetëm nuk janë të bazuara, por nëse gjejnë vend dhe reflektohen në praktikën e funksionimit të komisionit mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme. Praktika ka vërtetuar se çdo paragjykim cenon objektivitetin, lejon subjektivizmin, çon në një anshmëri. Bindja krijohet nëpërmjet shqyrtimit të provave (thënieve të dëshmitarëve, konkluzionit të ekspertëve, dokumenteve etj.) Nëse rezulton se dikush ka kryer vepër penale denoncohet në organet e ndjekjes penale. Nëse përgjegjësia nuk është e natyrës penale paraqiten rekomandime për masa të tjera. Por në çdo rast, synimi duhet të jetë: “parandalimi i krimit dhe shkeljes së ligjeve, rekomandime për përmirësimin e gjendjes”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *