Kosova për herë të parë bëhet pjesë e konferencës “Java e industrisë në BE”

Kosova, për herë të parë është bërë pjesë e “Javës së industrisë në Bashkimin Evropian”, e cila është ngjarja kryesore vjetore e industrisë në Evropë.

Me këtë rast, Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) në koordinim me Zyrën e BE-së në Kosovë, organizuan konferencën “Rritja e konkurrencës ekonomike të Kosovës në periudhën pas COVID-19”.

Kryetari i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë, Visar Ramajli tha se Kosova ka një histori të konsiderueshme në industri.

Ai tha se në të kaluarën shumë vende evropiane kanë prodhuar pjesë të automjeteve në Kosovë e po kështu edhe bateritë që dikur janë shfrytëzuar nga vende të ndryshme evropiane.

Ramajli tha se Kosova duhet të bëhet pjesë e iniciativave evropiane për rimodelimin e industrisë, në mënyrë që “të rimodelojmë strukturat tona ekonomike duke lëvizur përpara nga tregtia drejt industrisë”.

“Besoj se Kosova mund ta rigjallërojë industrinë e saj duke e ristrukturuar ekonominë e saj. Na duhen partnerë në këtë rrugë dhe BE është partneri më i mirë që mund ta kemi që ta rrisim industrinë në Kosovë”, theksoi Ramajli.

Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri tha se shtrirja në sa më shumë vende e dialogut mbi industrinë është me rëndësi për BE-në.

Serri tha se fokusi i edicionit të sivjetmë i “Javës së industrisë në BE”, është se si kompanitë mund të përfitojnë nga dixhitalizimi dhe ndalja e emetimit të gazrave të dëmshëm në atmosferë, që të dyja elemente që sipas tij, do ta gdhendin të ardhmen e ekonomisë në Ballkanin Perëndimor.

“Është një ambicie e qartë e BE-së në industri për t’u bërë lidere kur është në pyetje dixhitalizimi dhe tranzicioni i gjelbër. Por, shpresoj se kjo do të jetë edhe ambicia e njëjtë në Kosovë. Dhe, në këtë aspekt duhet të theksoj se Kosova duhet të angazhohet në rrugën e BE-së me politikat e saj tregtare, lidhjet e investimeve me BE-në, të ndërfutura në një ide për ta mundësuar tranzicionin e gjelbër dhe atë dixhital”, theksoi Serri.

Ai tha se kjo nuk do të jetë e lehtë për Kosovën, ngase kërkohet një ekonomi e qëndrueshme dhe ndryshime në shoqërinë kosovare, gjithashtu edhe vullnet politik “për të adresuar këtë sfidë”.

Përfaqësuesi i Qeverisë në këtë konferencë, Jeton Zulfaj tha se marrëdhëniet me BE-në janë prioritet kyç për qeverinë e re, ndërsa procesi i integrimit nuk duhet të jetë një cak në vete por, rezultat i reformave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Java e industrisë në BE” shërben si platformë kryesore për të diskutuar sfidat industriale dhe për të bashkë-zhvilluar mundësitë dhe përgjigjet e politikave në një dialog gjithëpërfshirës me një gamë të gjerë partnerësh.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *