“Kostoja për Rrugën e Arbrit do të rritet në 3.5 miliardë lekë”, BIRN: Koncesionet dhe PPP-të dështuan, tashmë pritet…

kostoja per rrugen e arbrit do te rritet ne 3 5 miliarde leke birn koncesionet dhe ppp te deshtuan tashme pritet
kostoja per rrugen e arbrit do te rritet ne 3 5 miliarde leke birn koncesionet dhe ppp te deshtuan tashme pritet

Qytetarët shqiptarë pritet të paguajnë edhe më shtrenjtë vitin e ardhshëm një paketë kontratash të partneritetit publik-privat, tashmë famëkeqe për shkallë të lartë korrupsioni të hetuar në disa procedime penale nga SPAK. Sipas të dhënave të projekt-buxhetit 2024, kostoja e këtyre kontratave pritet të rritet në 14.3 miliardë lekë nga 13.1 miliardë këtë vit, pavarësisht se dy nga këto kontrata, incineratori i Fierit dhe ai i Elbasanit, janë shlyer tashmë tërësisht.

Kontrata më e shtrenjtë është ajo që parashikonte ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kostoja e së cilës do të rritet vitin e ardhshëm në 3.5 miliardë nga 2.8 miliardë që po shpenzohen këtë vit. Rruga e Arbrit në total pritet t’i kushtojë qytetarëve 40.3 miliardë lekë me pagesa që do të vijojnë deri në vitin 2031. Qytetarët kanë paguar sakaq 15 miliardë lekë ndërsa kompania sipërmarrëse ka dështuar deri më sot të dorëzojë objektin sipas kontratës, ku pjesa kyçe, tuneli nën qafën e Murrizit, vijon të mos jetë operacionale edhe një vit e gjysmë pas skadimit të afatit fillestar.

Aktualisht qeveria nuk jep të dhëna se kur mundet që rruga të përfundojë së ndërtuari, pavarësisht se kompania sipërmarrëse ka marrë shtesë kontrate. Dhe jo vetëm kaq, por e njëjta kompani ka fituar një tender të titulluar “rivitalizimi i skarpatave”, gjë që efektivisht është shtesë mbi shtesën e kontratës për ndërtimin e këtyre pesëdhjetë kilometrave rrugë.

Ofrimi i Shërbimeve laboratorike spitalore, një koncesion që është aktualisht në hetim, është i dyti më i madh që do t’i kushtojë shqiptarëve 1.85 miliardë lekë, me një rritje 3% në krahasim me këtë vit.

Koncesioni i seteve kirurgjikale, për të cilin propozuesi dhe zëvendësministri janë aktualisht në paraburgim në pritje të gjykimit planifikohet të kushtojë 1.76 miliardë lekë, i pandryshuar nga viti i kaluar, ndërsa koncesioni i fushave të plehrave të Tiranës pritet të kushtojë 1.27 miliardë lekë, me rritje prej 23%. Landfilli i Sharrës, aktualisht në sekuestro preventive nga SPAK si objekt krimi, i siguron të ardhurat nga pagesat e buxhetit përmes kontratës koncesionare, nga pagesat e bashkive Durrës e të tjera si tarifë depozitimi si dhe nga tarifat e depozitimit për subjektet private. Megjithëse tashmë është e qartë se pronarët finalë të kontratës koncesionare janë biznesmenët në arrati Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, dhe se kontrata koncesionare nuk është zbatuar nga ana e kompanisë sa i përket investimeve të planifikuara, qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk ka lëvizur për të anuluar kontratën apo për të ndërprerë pagesën apo për të zgjidhur problemin e plehrave në tërësi.

Rruga Milot – Morinë është një kontratë tjetër që i kushton taksapaguesve rreth 738 milionë lekë si pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti përveç të ardhurave nga tarifat. Sipas të dhënave të bilancit të saj, kompania pati të ardhura në masën 1.16 miliardë lekë vitin e kaluar dhe fitime në masën 141 milionë lekë.

Shpenzimet e drejtpërdrejta të taksapaguesve për koncesionet pritet të rriten më tej në 15 miliardë lekë nëvitin 2025, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave. /Birn/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts