
11:30 08/07/2023
Reagime të ndryshme pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar planin e Biden për kreditë
Kreditë studentore në Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar miliona të rinj të marrin një diplomë kolegji. Por, ato gjithashtu kanë lënë shumë prej këtyre ish-studentëve me borxhe të mëdha, duke ndikuar në planet e tyre për të ardhmen.
“E dini se çfarë thonë shumica e studentëve? Unë kurrë nuk do të jem në gjendje ta paguaj atë. E dini se çfarë është e frikshme? Imagjinoni se keni punuar shumë për të marrë një diplomë master dhe doktoraturën dhe të sapo keni dalë nga bankat e shkollës me një borxh 180,000 dollarë. Pra, ti pajisesh me një doktoraturë, por nuk je në gjendje të paguash borxhin. Është presion i jashtëzakonshëm. Sa herë që je duke shlyer detyrimet e tjera financiare kujtohesh se ke për të paguar edhe kredinë studentore .Të jem i sinqertë, është një presion i madh. Nuk mund ta injorosh faktin që ke për të paguar edhe kredinë studentore e cila është një barrë për ne”, tha Yonas Haile, banor i Nju Jorkut.
[embedded content][embedded content]
Por kur në Gusht të vitit 2022, Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të falte deri në 10,000 Dollarë borxhe kredie studentore për huamarrësit që merrnin më pak se 125,000 Dollarë në vit, ose 250,000 Dollarë për çiftet e martuara lajmi u mirëprit në mesin e studentëve. Ata që kishin marrë hua për shkak të të ardhurave më të ulëta do t’u anulohej deri në 20,000 Dollarë të borxhit.
Vendimi ishte përmbushja e një premtimi që Biden bëri gjatë fushatës presidenciale 2020 për të ndihmuar ish-studentët e ngarkuar me borxhe. Por republikanët e quajtën atë një tejkalim kompetencash nga ana e presidentit, e që do të siguronte përfitim të padrejtë për një pjesë dhe jo për të gjithë ata që kanë marrë kredi studentore.
Zyra e Kongresit për Buxhetit llogariti në Shtator të vitit të kaluar se falja e borxhit do t’i kushtonte qeverisë rreth 400 miliardë Dollarë. Megjithatë, ky premtim i Biden hasi shpejt në pengesa ligjore.
Gjykata e Lartë bllokoi planin e tij për të anuluar borxhet prej 430 miliardë Dollarësh në kredi studentore, nga i cili do të përfitonin 43 milionë amerikanë. Por Biden e dënoi këtë vendim dhe fajësoi republikanët për dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën e Lartë dhe e cilësoi të gabuar vendimin për bllokimin e planit të tij për të falur borxhet e kredive studentore.
Ja çfarë pohoi vetë Biden para disa ditëve.
“Jam i shqetësuar për këtë që po ndodh. Vendimi i Gjykatës së Lartë ka mbyllur një rrugë dhe tani ne do të ndjekim një tjetër rrugë. Ne të do të shohim se si mund të përdorim mjete të tjera që i kemi në dispozicion për të lehtësuar borxhet nga kreditë studentore dhe për të realizuar ëndrrat tuaja. Ekonomia është në gjendje të mire dhe kjo është një gjë e mirë si për vendin dhe për ju”, tha Biden.
Por nuk ishte i këtij mendimi ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili vlerësoi vendimin e Gjykatës së Lartë si të drejtë.
“Nëse keni punuar shumë, keni marrë nota fantastike dhe keni shkëlqyer në fusha të tjera të jetës dhe nga ana tjetër kemi një person tjetër që nuk ka punuar si ju, ky person nuk mundet që të marrë vendin tuaj në universitet apo kolegj. Gjykata e Lartë vendosi që Presidentit Biden nuk i lejohet të fshijë qindra miliarda e ndoshta triliona dollarë borxhe të kredisë studentore, që do të ishte shumë e padrejtë për miliona e miliona njerëz të cilët i paguan borxhet e tyre me punë të palodhur dhe zell. Falja e kredive studentore do të ishte shumë e padrejtë”, tha Trump.
Edhe republikani i lartë i Senatit Mitch McConnell e ka cilësuar faljen e borxhit të gabuar pasi ky vendim do të të përkeqësonte inflacionin, do të shpërblente “aktivistët e ekstremit të majtë” dhe do t’u jepte një “shuplakë në fytyrë” amerikanëve që kanë shlyer kreditë e tyre studentore ose kanë zgjedhur rrugë të tjera përfshirë shërbimin në ushtri për të shmangur marrjen e kredive studentore.
Gjatë shtete, Arkansa, Ajova, Kansas, Mizuri, Nebraska dhe Karolina e Jugut, kishin ngritur padi kundër planit të Presidentit Biden. Këto shtete pretendonin në padinë e tyre se plani Biden anashkalonte autoritetin e Kongresit dhe vinte në rrezik të ardhurat tatimore të shteteve dhe paratë e fituara nga entitetet shtetërore që investojnë ose ofrojnë kredi.
Padi kishin ngritur edhe dy persona, që kishin marrë kredi studentore e nuk kualifikoheshin për lehtësim, sipas kritereve të planit. Vetë njurokezët dhanë opinionin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë.
“Unë kam vetëm 38,000 Dollarë borxh. 20,000 Dollarë mund të më kishin ndihmuar patjetër.”
Por përveç njujorkezëve edhe vizitorët e huaj dhanë reagimin e tyre për këtë çështje mjaft të rëndësishme.
“Ne jemi nga Kanadaja, kështu që nuk paguajmë aq shumë për t’u arsimuar. Nuk mund ta imagjinoj se si do të ishte të jetoja këtu dhe të paguaja kaq shumë. Sapo mbarova studimet e larta dhe kam zero borxh, kështu që unë jam vërtet i lumtur për këtë dhe nuk mund ta imagjinoj se si do të ishte që njerëzit të paguajnë të gjitha ato para. Mendoj është kaq e vështirë të ia dalësh veçanërisht kur je në fillim të 20-ave”.
Të tjerë qytetarë e cilësuan të drejtë vendimin e Gjykatës së Lartë.
“Unë jam nga ata persona që arritën të paguanin kredinë studentore dhe për këtë punova shumë. Kam punuar tre punë në të njëjtën kohë dhe i kam paguar të gjitha detyrimet e mia financiare para kohe.”
Presidenti Biden përballet me presionin e liberalëve që kërkojnë lehtësim më të madh financiar për personat me detyrimet më të mëdha financiare, ndërkohë që më të moderuarit dhe republikanët ngrenë pikëpyetje për drejtësinë e një skeme faljeje në masë.
Borxhi federal i studentëve në Shtetet e Bashkuara është rritur ndër vite dhe aktivistët e konsiderojnë një krizë kombëtare.
Pothuajse një në tre studentë amerikanë marrin kredi për të paguar universitetin. Borxhi mesatar i një studenti amerikan arriti në vitin 2021 rekordin prej mbi 37 mijë dollarësh.
Klan News
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al