
09:38 14/09/2023
Guterres: Përpjekjet duhet të ndahen nga të gjitha vendet evropiane
Ishulli italian i Lampedusa po lufton me një numër rekord të emigrantëve të paligjshëm, ndërsa autoritetet e cilësojnë situatën dramatike.
Lampedusa , pika më jugore e Italisë dhe porti më i tejmbushur për njerëzit që vijnë nga Afrika e Veriut, ka qenë prej kohësh një pikë e ndezur e krizës së migracionit në Evropë.
Një ditë më parë një foshnjë pesëmuajshe u mbyt gjatë një operacioni shpëtimi në ishullin italian të Lampedusa pasi një varkë që transportonte emigrantë përtej detit nga Afrika e Veriut u përmbys. Varka me të cilën po udhëtonte foshnja u përmbys pak para se të kapej nga roja bregdetare italiane. Emigrantët ishin nisur nga qyteti tunizian Sfax.
“Është thelbësore të marrim përsipër një përgjegjësi evropiane, sepse përpjekja nuk mund të bëhet vetëm në vendet që janë në kufijtë e Evropës. Përpjekjet duhet të ndahen nga të gjitha vendet evropiane dhe vazhdoj të këmbëngul se ky nuk është një problem i vetëm një vendi. Është një problem i Bashkimit Evropian dhe duhet të ketë mekanizma solidariteti dhe ndarje të barrës që të jenë efektive në këtë drejtim.”
Rreth 1,850 të ardhur të rinj zbarkuan të mërkurën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të emigrantëve në Lampedusa në më shumë se 6,700. Kryebashkiakët në disa qytete janë ankuar se u është lënë barra kryesore e kujdesit për emigrantët, me pak ndihmë financiare nga qeveria, veçanërisht për të miturit e pashoqëruar.
Anëtarët e koalicionit qeverisës kanë akuzuar BE-në se nuk ofron mbështetje të mjaftueshme për Italinë. Meloni arriti në muajin korrik një marrëveshje me Tunizinë për të frenuar flukset e migracionit, por deri më tani pakti ka pasur pak efekt. Italia po kërkon marrëveshje të ngjashme me vendet e tjera të origjinës dhe tranzitit.
Qeveria ka marrë gjithashtu një qëndrim të ashpër kundër organizatave bamirëse të shpëtimit të emigrantëve, duke i bllokuar varkat e tyre. Rreth 123,860 emigrantë kanë mbërritur në Itali që nga fillimi i vitit, dyfishi i asaj që u regjistrua në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Klan News