
00:04 13/02/2022
Biden: Lufta do sjellë mjerim. Putin: Akuzat për sulm, spekulime provokuese
Teksa rreziku për nisjen e një lufte mes Ukrainës dhe Rusisë bëhet gjithnjë e më prezent, presidenti amerikan Xho Bajden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin nuk arritën të gjejnë një zgjidhje paqësore për evitimin e saj. Ata biseduan për afro 1 orë në telefon, por në fund u ndanë me qendrime të pandryshuara.
Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, thuhej se Presidenti Joe Biden i bëri të qartë presidenti Putin se, nëse Rusia ndërmerr një sulm ndaj Ukrainës, atëherë Uashingtoni së bashku me aleatët dhe partnerët e tij do të përgjigjen me vendosmëri duke goditur Rusisë me sanksione që do kenë kosto të shpejtë e të rëndë.
Presidenti Biden përsëriti se një sulm rus do të prodhonte vuajtje e mjerim të gjerë për njerëzit dhe do të dobësonte pozitat e Rusisë. Ndaj ai i kërkoi Presidentit Putin që në vend të luftës të angazhohej në de-përshkallëzimin e situatës nëpërmjet diplomacisë.
Ndërsa ndihmësi presidencial rus Yury Ushakov e përshkroi telefonatën mes presidentëve “të ekuilibruar” dhe shtoi se Putin i tha presidentit Biden se Perëndimi kishte injoruar shqetësimet kryesore të sigurisë së Rusisë dhe se SHBA dhe aleatët e saj kishin furnizuar Ukrainën me armatime të reja.
Më herët presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin francez Emanuel Makron e cila zgjati për më shumë se 90 minuta. Media britanike “The Guardian” duke cituar burime pranë presidencës franceze bëri të ditur se Macron i bëri të ditur Putinit se “bisedimet apo negociatat e sinqerta, janë të papajtueshme me aktet që ka ndërmarrë Rusia ndaj Ukrainës”.
Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin mësohet të jetë shprehur se “Akuzat kundër Rusisë për planet e pushtimit të Ukrainës janë “spekulime provokuese”.
Ndërkohë agjencia e lajmeve ruse TASS duke cituar burime nga ministria e mbrojtjes bëri të ditur se një nëndetëse e Marinës së SHBA-së hyri në ujërat territorial ruse në zonën e paqësorit. TASS raportoi se ajo u detyrua të largohet nga flota ruse.
Mes tensioneve në rritje këtë të shtunë mijëra qytetarë ukrainas u mblodhën në Kiev në një marshim uniteti.
Tv Klan
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al