Kroacia ndan për Kosovën 10.000 vaksina kundër COVID-19

Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq Radman ka njoftuar se Kroacia ka ndarë për Kosovën 10,000 vaksina kundër koronavirusit. Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar të enjten në Prishtinë me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla.
“Me kënaqësi të veçantë e kam informuar zonjën ministre rreth vendimit të Qeverisë së Kroacisë për dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave te vaksinave kundër koronavirusit për Republikën e Kosovës. Besojmë se ky donacion do të jetë i mirë për mbrojtjen e njerëzve”, ka thënë ai në një konferencë për media pas takimit.

Ministri kroat nuk e ka përmendur se vaksina e cilës kompani do t’iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës. Më 4 maj, Kosova ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer/BioNTech. Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar të martën se këto doza do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit, për arsye shëndetësore.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka mundur të nënshkruajë ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe çdo vaksinë e siguruar deri tash, është donacion nga Bashkimi Evropian ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 105,864, i viktimave në 2,195 dhe i të shëruarve në 96,322.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *